BDI: Komuna e Çairit pagoi mbi 14 mijë euro për kafe në kafiterinë e zëvendësministres Zekolli-Shaqiri
Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur shqetësime serioze për, siç e quan, “korrupsion flagrant” në Komunën e Çairit. Sipas partisë, mijëra euro nga taksat e qytetarëve janë derdhur në kafiterinë The post BDI: Komuna e Çairit pagoi mbi 14 mijë euro për kafe në kafiterinë e zëvendësministres Zekolli-Shaqiri appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur shqetësime serioze për, siç e quan, “korrupsion flagrant” në Komunën e Çairit. Sipas partisë, mijëra euro nga taksat e qytetarëve janë derdhur në kafiterinë “1sh”, në pronësi të zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri.
“Mijëra euro që janë nga taksat tona, para të qytetarëve të zakonshëm, janë ndarë sistematikisht për kafiterinë ‘1sh’, në pronësi të zëvendësministres Kaltrina Zekolli-Shaqirit. Kjo ndarje është bërë pa asnjë shpallje publike, vetëm me marrëveshje ‘sy-më-sy’, duke thelluar edhe më tepër korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin”, theksohet në reagimin e BDI-së.
Sipas të dhënave të publikuara, vetëm në vitin 2024, kafiteria ka marrë mbi 14 416 euro nga buxheti i komunës përmes kontos së reprezentacionit, ndërsa ka pasur raste kur për një ditë janë shpenzuar mbi 2 000 euro.
“Klienti më i rregullt i këtij lokali në vitet e fundit ka qenë stafi nga Komuna e Çairit. Shuma të mëdha parash janë harxhuar në ‘1sh’ nën arsyetimin e shërbimeve me kafe dhe ushqim të shpejtë, në mënyrë jotransparente dhe pa konkurrencë”, theksojnë nga BDI.
Partia kujton se sipas Ligjit për prokurime publike, çdo shërbim që tejkalon 1 000 euro duhet të kalojë përmes një procedure transparente dhe konkurruese.
“Ky rast është tipik për nepotizëm përmes afërsisë politike: pronarja është në partinë e Izet Mexhitit, pjesë e Lëvizjes Demokratike, si dhe bashkëpartiake e kryetarit aktual të komunës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në total, për katër vite e gjysmë, lokali “1sh” ka inkasuar rreth 30 000 euro nga buxheti i komunës, duke ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe shpërdorim fondesh.
“Kjo sjellje sfidon parimet bazë kushtetuese dhe ligjore si transparenca, konkurrenca e barabartë dhe integriteti institucional. Kur institucioni i komunës përdoret për përfitime klienteliste, kur pronari në fjalë është funksionar i lartë shtetëror, nuk kemi të bëjmë me shërbim publik, por me kapje shtetërore”, theksohet më tej.
BDI i bën thirrje institucioneve të drejtësisë dhe organeve kompetente që të veprojnë menjëherë:
“Sot, kërkojmë hetim të plotë dhe transparencë nga autoritetet përgjegjëse. Procedura të rrepta duhet të merren për përjashtimin e bizneseve me konflikt interesi dhe për zbulim të menjëhershëm të skemave të tilla.”
Në fund, BDI nënvizon se kjo nuk është vetëm çështje e një biznesi të privilegjuar, por një sfidë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit. Flaka
The post BDI: Komuna e Çairit pagoi mbi 14 mijë euro për kafe në kafiterinë e zëvendësministres Zekolli-Shaqiri appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
