BE-ja i kërkoi Ballkanit Perëndimor të përafrohet me regjimin e saj të vizave

Bashkëpunimi i autoriteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian në luftimin e imigrimit ilegal është një prej prioriteteve më të mëdha të bllokut, raporton Radio Evropa e Lirë. Kjo përsëritet vazhdimisht në takimet dypalëshe që zyrtarët e BE-së mbajnë me partnerë nga rajoni. Kjo thirrje përfshihet edhe në raportet, konkluzat, deklaratat apo dokumentet […]

Nëntor 26, 2024 - 01:00
 0  6
BE-ja i kërkoi Ballkanit Perëndimor të përafrohet me regjimin e saj të vizave
Ballkani Perëndimor. Foto: Arman Fazlic në Canva

Bashkëpunimi i autoriteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian në luftimin e imigrimit ilegal është një prej prioriteteve më të mëdha të bllokut, raporton Radio Evropa e Lirë. Kjo përsëritet vazhdimisht në takimet dypalëshe që zyrtarët e BE-së mbajnë me partnerë nga rajoni.

Kjo thirrje përfshihet edhe në raportet, konkluzat, deklaratat apo dokumentet e tjera që BE-ja i miraton në lidhje me rajonin.

Rrjedhimisht, edhe në paketën e fundit të zgjerimit, si dhe në raportet individuale të progresit, kujdes i veçantë u kushtohet pikërisht obligimeve që këto vende kanë ndaj BE-së për menaxhimin e imigrimit ilegal.
BE-ja, sipas zyrtarëve me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, është relativisht e kënaqur me faktin se numri i imigrantëve që hyjnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor është në rënie, krahasuar me vitet e mëparshme.

Në BE shprehen të kënaqur edhe me gatishmërinë e autoriteteve të vendeve të rajonit për të vepruar së bashku me agjencitë dhe autoritetet e BE-së.

Shumica e vendeve të rajonit kanë tashmë edhe marrëveshje për bashkëpunim me Frontex-in – agjencinë e BE-së për mbrojtjen e kufijve.

Edhe numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, të cilët nuk kanë bazë për të fituar azil, është në përgjithësi në rënie, ndonëse ekziston ende si shqetësim.

Fusha ku BE-ja e sidomos vendet e saj anëtare që kufizohen me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të donin më shumë përparim, është përshtatja e regjimit të vizave të këtyre vendeve për shtetasit e vendeve të treta, me regjimin e vizave të BE-së.

Kjo do të thotë që vendet e rajonit, për qytetarët e të cilave nuk ka nevojë për viza për të udhëtuar në BE, të vendosin viza për hyrjen në territorin e tyre për ata shtetas të huaj, për të cilët BE-ja kërkon viza, e sidomos për shtetasit e atyre vendeve që paraqesin rrezik potencial për rritjen e numrit të imigrantëve ilegalë.

Deri vonë, Serbia ishte problem serioz, sepse për qytetarët nga një varg shtetesh nga Afrika dhe Azia, ajo i hoqi vizat për vizita.

Serbia e bëri këtë kryesisht për qëllime politike. Dhe, vetëm pas vërejtjeve nga BE-ja se me këtë do ta rrezikojë liberalizimin e vizave nga blloku për qytetarët e Serbisë, Beogradi nisi ta përshtatë regjimin e vizave me atë të BE-së. Ai i riktheu vizat për disa shtete, por jo për të gjitha.

Edhe Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina kanë liberalizim vizash për një varg shtetesh për të cilat BE-ja kërkon viza.

Të dyja këto vende u ftuan gjithashtu që ta përshtatin sa më shpejt dhe sa më shumë regjimin e tyre të vizave me atë të BE-së.

Mali i Zi është tashmë në proces të vendosjes së vizave për shtetasit e Rusisë dhe të Bjellorusisë.

Bashkimi Evropian e mirëpriti këtë nismë, duke rikujtuar se në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE, nga ky vend pritet që ta përshtatë politikën e vizave me atë të BE-së, në mënyrë që të kontribuojë në parandalimin e imigrimit ilegal.

Përshtatja e regjimit të vizave kërkohet sidomos për ato vende që paraqesin rrezik për imigrim të paligjshëm drejt BE-së. Në këtë kategori bëjnë pjesë Rusia dhe Bjellorusia.

Shqipëria, po ashtu, ka disa lehtësime për viza – nganjëherë vetëm sezonale – për disa vende.

Por, një mundësi e tillë për heqjen e vizave gjatë sezonit veror, nga cilido shtet i rajonit, nuk është në përputhje me legjislacionin e BE-së, sipas Komisionit Evropian.

Përshtatjen me regjimin e vizave të BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë obligim dhe kusht për përfitimet financiare nga Paketa e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Pos kësaj, këto vende duhet të vendosin edhe kontrolle më të rrepta për dhënien e vizave, mbledhjen e të dhënave biometrike të atyre që hyjnë në territorin e tyre dhe t’i shkëmbejnë të dhënat e tilla edhe me Bashkimin Evropian.

BE-ja, sipas disa raporteve të brendshme, ka identifikuar se ka shumë raste të mbërritjes së imigrantëve ilegalë në BE përmes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në të cilat ata kanë hyrë si turistë pa viza.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka thënë disa herë gjatë takimeve të Këshillit Evropian në Bruksel se rreth 40 për qind e imigrantëve, të cilët hyjnë ilegalisht nga vendet fqinje në territorin e Kroacisë, kanë mbërritur pa viza në ato vende – shumica prej tyre në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Kroacia ka kufirin më të gjatë të jashtëm tokësor të BE-së nga të gjitha vendet anëtare të bllokut. Pikërisht për shkak të numrit të madh të imigrantëve ilegalë që hyjnë në Kroaci nga vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor, Sllovenia ka pezulluar regjimin e Schengenit dhe ka kthyer kontrollet në pikat kufitare me Kroacinë.

Italia dhe Austria kanë kthyer, po ashtu, kontrollet në kufijtë me Slloveninë.

Kjo, sipas burimeve të BE-së, dëshmon se sa i rëndësishëm konsiderohet problemi i imigrimit ilegal në mesin e vendeve anëtare të bllokut.

Burimet e BE-së thonë, gjithashtu, se ka një numër të konsiderueshëm të shtetasve të Rusisë që arrijnë në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë pa viza, e pastaj kalojnë në territorin e BE-së.

Numër i lartë është sidomos nga rajonet si Çeçenia dhe Dagestani, që janë pjesë e Federatës Ruse dhe qytetarët e të cilave kanë pasaporta të Rusisë.

Bashkimi Evropian pranon se ka përparim drejt përshtatjes së vendeve të rajonit me regjimin e vizave të BE-së, por do që kjo të bëhet me një ritëm më të shpejtë.