Bekteshi mbetet në burg, Papazov dhe ish-drejtori i ISHT-së, Trajkovski në arrest shtëpiak
Ish-kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili dha dorëheqje nga detyra pas tragjedisë në të ashtuquajturën kabare “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona dhe u plagosën gati 200, nga burgu shkon në arrest shtëpiak, transmeton Portalb.mk. Dënimi me burg me arrest shtëpiak, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike në Koçan, përveç […]


Ish-kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili dha dorëheqje nga detyra pas tragjedisë në të ashtuquajturën kabare “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona dhe u plagosën gati 200, nga burgu shkon në arrest shtëpiak, transmeton Portalb.mk.
Dënimi me burg me arrest shtëpiak, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike në Koçan, përveç Papazovit, tani i është zëvendësuar edhe ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Goran Trajkovski, inspektor i këtij institucioni dhe pjesëtar i sigurimit të klubit, transmeton televizioni Telma.
Gjykata Themelore e Koçanit sot ka publikuar një deklaratë në uebfaqen e saj brenda portalit gjyqësor, duke informuar për masat e marra për të siguruar praninë e të dyshuarve në hetimin për zjarrin në të ashtuquajturën kabare Puls në Koçan.
Në njoftim nuk janë shënuar inicialet apo pozitat e të dyshuarve për të cilët janë vendosur masat e reja. Nga sa mund të kuptohet, nga 24 të dyshuar për të cilët është caktuar masa e ndalimit në kuadër të procedurës hetimore të hapur më 20 mars, për tre me ankesë të të dyshuarve është zëvendësuar me arrest shtëpiak, ndërsa katër persona me propozim të Prokurorisë kalojnë nga burgu në arrest shtëpiak.
“Pas propozimeve të paraqitura për caktimin e masës së paraburgimit në bazë të urdhrit të lëshuar për procedurë hetimore Ko nr.180/25 të datës 20.03.2025 të Prokurorisë Publike Koçani, gjyqtari në procedurë paraprake ka caktuar gjithsej 24 masa për sigurimin e prezencës – paraburgimit, nga të cilët pas ankesës së të dyshuarve përmes mbrojtësve të tyre u është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak për tre të dyshuar dhe në vazhdim të procedurës me propozim të Prokurorisë Publike Koçan për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak për 4 të dyshuar, me propozimet e paraqitura për caktimin e masës së prezencës për kryerjen e procedurës hetimore Ko nr.180/25 nga 20.03. 2025 nga Prokuroria Publike Koçan, në Gjykatën Themelore Koçan është dorëzuar propozim për vazhdimin e këtyre masave të shqiptuara dhe Propozimet e shprehura në këtë mënyrë për vazhdimin e masave të përcaktuara më parë për sigurimin e prezencës po veprohet në afatet e përcaktuara ligjore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale.
Prandaj, dy ish-kryetarët e tjerë të Komunës së Koçanit, Ratko Dimitrievski dhe Nikolço Iliev, si dhe ish-drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska-Dimoska, mbeten në arrest shtëpiak.
Në të njëjtën kohë, ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i është vazhduar paraburgimi edhe për 30 ditë. Këtë e ka konfirmuar për disa media avokati i tij, Elenko Milanov, i cili ka paralajmëruar ankesë kundër këtij vendimi.
Kujtojmë se Bekteshi ndodhet në paraburgim që nga fillimi i hetimeve për zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Pulse”.
BDI-ja ka reaguar mëngjesin e sotëm ndaj këtij vendimi. Sipas partisë, ky nuk është një rast individual, por një model i rrezikshëm i drejtësisë selektive, i cili po kthehet në një mjet presioni dhe eliminimi politik. Andaj, kërkojnë nga BDI-ja, që të kërkojë përgjigje nga Prokuroria në tri pyetje që kanë të bëjnë me ngjarjet dhe hetimin në Koçan.
“A është e vërtetë se një prokuror është tërhequr për shkak të hetimit të udhëhequr politikisht?– A do ta lejojë Prokuroria që të shndërrohet në instrument të hakmarrjes politike ndaj opozitës?
– Cilat janë kriteret sipas të cilave disa lirohen, e disa mbeten në paraburgim pa prova të mjaftueshme dhe me hetim të paqartë?”– pyesin nga kjo parti.
Pas zgjerimit të hetimeve për aksidentin e diskotekën në Koçan, me shtatë policë të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të dyshuar të policisë në 14, Prokuroria kërkoi që ndaj të gjithëve të vendosen masa paraprake, me çka u hoqi edhe masat e paraburgimit për policët e dyshuar në hetimet paraprake.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.