Arriti në 62 numri i viktimave të tragjedisë në Koçan, plagëve iu nënshtrua një 24 vjeçar i cili kurohej në Beograd
Sot u shënua edhe një viktimë nga rasti me zjarrin në Koçan, duke e rritur kështu numrin e të vdekurve në 62.Ministria e Shëndetësisë njoftoi se, sipas informacioneve të Akademisë Mjekësore Ushtarake në Beograd, mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë nga plagët e marra Stojançe Stefanov nga Koçani, i lindur në vitin 2001, transmeton Portalb.mk. […]


Sot u shënua edhe një viktimë nga rasti me zjarrin në Koçan, duke e rritur kështu numrin e të vdekurve në 62.Ministria e Shëndetësisë njoftoi se, sipas informacioneve të Akademisë Mjekësore Ushtarake në Beograd, mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë nga plagët e marra Stojançe Stefanov nga Koçani, i lindur në vitin 2001, transmeton Portalb.mk.
“Pacienti kishte djegie që përfshinin 27 për qind të trupit dhe lëndime serioze nga thithja e tymit. Në VMA është operuar më 4 prill dhe është vendosur në aparat ECMO, i cili oksigjenon gjakun përmes një makinerie për shkak të thithjes së tymit. Por, për shkak të seriozitetit të plagëve, gjatë shumicës së qëndrimit në spital ka qenë në gjendje të paqëndrueshme dhe me gjendje të rëndë të përgjithshme. Ministria e Shëndetësisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe për të gjithë të prekurit nga tragjedia në Koçani”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kujtojmë se MSH, ditë më parë informoi se, për trajtim në vend dhe jashtë vendit do të qëndrojnë edhe 56 pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan. Ministri Arben Taravari tha se në Shkup janë duke u trajtuar nëntë pacientë, dy prej tyre në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, një në “8 Shtatori”, katër në spitalin e vjetër të qytetit dhe dy të tjerë në klinika private.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.