Berisha i përgjigjet Ramës, nxjerr bufin e bardhë në tavolinë
“Bufi i kënetës”. Ky ka qenë togfjalëshi që nuk ka munguar në fjalorin e kryeministrit Edi Rama duke iu referuar në këtë mënyrë kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Por ky i fundit këtë të premte para gazetarëve kishte vendosur t’i përgjigjej kreut të qeverisë. Në tavolinën ku u ul për t’iu përgjigjur mediave, Berisha vendosi […]

“Bufi i kënetës”. Ky ka qenë togfjalëshi që nuk ka munguar në fjalorin e kryeministrit Edi Rama duke iu referuar në këtë mënyrë kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Por ky i fundit këtë të premte para gazetarëve kishte vendosur t’i përgjigjej kreut të qeverisë. Në tavolinën ku u ul për t’iu përgjigjur mediave, Berisha vendosi një buf të bardhë. Në këtë mënyrë, ai sqaroi edhe se çfarë simbolizon bufi.
“Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën, sepse ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë. Dhe vendosa ta sjell këtu para mediave dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë. Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar. Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf. Injoranca nuk është argument, thotë Latini. Me kaq e mbyllim këtë pjesë të konferencës për shtyp”, tha Berisha.
I pyetur se a ishte kjo lëvizje një strategji për t’i “djegur” Ramës komunikimin e tij publik, kreu i demokratëve u përgjigj kështu:
“Kur e sheh të rrokulliset tjetri, mund ta lësh të rrokulliset deri në fund, ose mund ta ndalosh nga fundi. E paraqita për t’i thënë ke një defiçit të tmerrshëm, po e cilëson kundërshtarin me simbolin e zgjuarsisë!”