Blerim Bexheti: Presioni nga kryeministri Mickoski vjen me qëllim diskreditimin e figurave politike shqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim ankohet për presion të qëllimshëm politik ndaj tyre pas kallëzimeve të vazhdueshme penale, kryesisht ndaj dy ish kryetarëve të komunave Kërçovë dhe Saraj, Fatmir Dehari dhe Blerim Bexheti. Për këtë, këshilli i përgjithshëm i kësaj partie mbrëmë mbajti mbledhje ku u bë analizë e situatës politike në vend. Blerim Bexheti nga […]

Prill 20, 2026 - 17:30
Blerim Bexheti: Presioni nga kryeministri Mickoski vjen me qëllim diskreditimin e figurave politike shqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim ankohet për presion të qëllimshëm politik ndaj tyre pas kallëzimeve të vazhdueshme penale, kryesisht ndaj dy ish kryetarëve të komunave Kërçovë dhe Saraj, Fatmir Dehari dhe Blerim Bexheti. Për këtë, këshilli i përgjithshëm i kësaj partie mbrëmë mbajti mbledhje ku u bë analizë e situatës politike në vend. Blerim Bexheti nga kjo parti, shprehet se qëllimi i kësaj Qeverie në fakt është cenimi i Marrëveshjes së Ohrit veçanërisht pasi siç thotë, gjërat që ndodhin vijnë pas “ndjenjave” të kryeministrit Mickoski.

“Qëllimi i këtyre veprimeve dhe presioneve politike bëhet për këtë dhe për procesin integrues. Nëse nuk ka dakordësi, shqiptarët kanë të drejtën legjitime që të kërkojnë rregullim të ri shtetëror dhe vet të përcaktojnë se si dhe ku duan të jetojnë dhe jo të presin këtë veprim destruktiv të Hristijanit nga Vllae në cilësinë e kryeministrit që keqpërdor organet shtetërore dhe dëshiron të diskrediton në veçanti politikanët shqiptar”, deklaroi Blerim Bexheti – Deputet i BDI-së.

E derisa Bexheti pohon se po keqpërdoren organet shtetërore, kallëzimet penale kundër tij dhe Deharit në fakt kanë të bëjnë për shpërdorime të detyrës si kryetarë komunash dhe nuk lidhen me Marrëveshjen e Ohrit. Kundër Bexhetit në nëntor të vitit të kaluar Prokuroria hapi lëndë për keqpërdorime në dhënien e lejes, raportit teknik të rrejshëm dhe mbikëqyrjes së rrejshme për një kompani nga Gllumova në vlerë prej 1,8 milion euro. Ditë më parë edhe MPB ngriti kallëzim penal pasi Bexheti i kishte mundësuar një kompanie nga fshati Krushopek të fitojë në mënyrë të paligjshme 700 mijë euro.

E në krahasim me Bexhetin, për ish kryetarin e Kërçovës, Fatmir Deharin, janë ngritur madje 6 kallëzime penale por deri tani nuk është ngritur ende ndonjë akuzë. I njëjti dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për rrezikim të mjedisit jetësor dhe punë të pandërgjegjshme në shërbim e dëmtimi i buxhetit shënon miliona euro.

Por akuzat kundër ish kryetarëve të komunave nga radhët e BDI-së nuk përfundojnë te Bexheti e Dehari. Disa kallëzime penale dhe procese gjyqësore janë duke u udhëhequr edhe ndaj ish kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, kryesisht për shpërdorim të detyrës zyrtare, ndjeja penale aktualisht e ish ministrit të Ekonomisë mbi tragjedinë në Koçan, ish zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi i kallëzuar penalisht për mashtrim në shërbim, ish zëvendëskryeministri Festim Halili, shpërdorim me detyrën zyrtare, si drejtori komercial i EMV-së, Ardian Muça për shpërdorim me detyrën zyrtare, ish drejtori i NP Parqe dhe Gjelbërim, Sabaudin Rustemi për shpërdorim me detyrën zyrtare, ish sekretari shtetëror, Jahi Jahiu për shpërdorim të fondeve ndërkombëtare, i akuzuar dhe ndjekur penalisht nga Prokuroria Italiane, ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami për mashtrim dhe shpërdorim me detyrën zyrtare, ish deputeti Ejup Alimi për manipulime me procesin zgjedhor, bashkë me të edhe Ismet Guri. Ish ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani për shpërdorimin e IPA fondeve në Ministri të Ekologjisë dhe Nefi Useini për dhunë dhe armëmbajtje pa leje.

Simptomatike ose, BDI-ja ndaloi së kërkuar vetting për të gjithë funksionarët vetëm pasi organet ligj zbatuese nisën filtrimin e veprimtarisë së funksionarëve të Ali Ahmetit./Alsat.mk.