Bojkoti i mësimit në Moranë hyri në javën e tretë, Janevska nuk i jep dritë jeshile mëvetësimit të shkollës
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska nuk i dha dritë jeshile mëvetësimit të shkollës periferike “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Komunës së Studeniçanit e cila tashmë ka hyrë në javën e tretë të bojkotit. Sipas Janevskës, kërkesa për ndarjen e objektit nga shkolla qendrore nuk mban dhe nuk ka asnjë arsye për t’u plotësuar. Madje, […]
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska nuk i dha dritë jeshile mëvetësimit të shkollës periferike “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Komunës së Studeniçanit e cila tashmë ka hyrë në javën e tretë të bojkotit. Sipas Janevskës, kërkesa për ndarjen e objektit nga shkolla qendrore nuk mban dhe nuk ka asnjë arsye për t’u plotësuar. Madje, Janevska apeloi që nxënësit sa më shpejtë të kthehen në mësim, transmeton Alsat.
“Mua më vjen shumë keq që si ministre dhe ministri nuk mund t’ua plotësojmë kërkesën sepse ne vlerësuam se nuk mban kjo kërkesë. Unë kërkoj ndjesë por vlerësimi është se kërkesa për krijimin e një shkolle të re është “de facto” kërkesë për udhëheqës të ri që nuk është pjesë e procesit mësimor. Nëse ka numër të mjaftueshëm të nxënësve në ndonjë shkollë periferike nuk e kuptojmë pse duhet të ndahet nga shkolla qendrore. Ajo shkollë qendrore ka udhëheqës që mban llogari edhe për shkollat periferike, mëvetësimi në këtë moment nuk ka asnjë arsye”, tha Janevska.
Në shkollën fillore “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Komunës së Studeniçanit prej 7 Tetor ka nisur bojkotimi i mësimit. Sipas këshillit iniciues, mësimi bojkotohet për shkak se nuk lejohet mëvetësimi i shkollës e cila për momentin figuron si shkollë periferike e shkollës qendrore të fshatit Studeniçan.
Banorët e fshatit Moranë të revoltuar thanë për Alsat se kërkesa për ndarjen e shkollës ka nisur që në vitin 2014 dhe e njëjta i plotëson të gjitha kushtet për të funksionuar si shkollë më vete. Gjithashtu, banorët thanë se ndër shkaqet kryesore të mëvetësimit të shkollës është mos investimi në këtë objekt nga ana e komunës. Sipas banorëve, përveç sallës së sportit, çdo investim tjetër në këtë shkollë është bërë me financim të banorëve. Nga Komuna e Studeniçanit apeluan banorët për ndërprerje të bojkotit për shkak se është në dëm të nxënësve.