Murtezani në takim me ambasadorin bullgar shprehu shpresën për zgjedhje të suksesshme në Bullgari
Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, ka takuar sot ambasadorin bullgar në vend, Zheljazko Radukov, duke shprehur shpresën për zgjedhje të suksesshme parlamentare në Bullgari. Procesi zgjedhor në shtetin fqinj, sipas ministrit, shihet si një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe përmes thellimit të besimit reciprok, transmeton Portalb.mk. Murtezani dhe Radukov theksuan rëndësinë e konsolidimit […]
Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, ka takuar sot ambasadorin bullgar në vend, Zheljazko Radukov, duke shprehur shpresën për zgjedhje të suksesshme parlamentare në Bullgari. Procesi zgjedhor në shtetin fqinj, sipas ministrit, shihet si një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe përmes thellimit të besimit reciprok, transmeton Portalb.mk.
Murtezani dhe Radukov theksuan rëndësinë e konsolidimit të besimit dhe bashkëpunimit, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian, i cili, siç theksuan, duhet parë si prioritet i përbashkët strategjik.
Lidhur me procesin e integrimeve evropiane të vendit, ministri Murtezani theksoi përkushtimin e Qeverisë për arritjen e një zgjidhjeje dinjitoze në kuadër të përmbushjes së kushteve të nevojshme për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE.
“Në bisedë u theksua edhe angazhimi për një dialog konstruktiv dhe transparent me qëllim të promovimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zgjidhjes së sfidave të përbashkëta në frymën e bashkëpunimit dhe partneritetit”, njofton Ministria e Çështjeve Evropiane.
Ministri i Çështjeve Evropiane në fillim të këtij muaji deklaroi se Qeveria po punon për gjetjen e zgjidhjeve për integrimet evropiane të vendit, por se ato nuk do të shpallen para zgjedhjeve në Bullgarinë fqinje.
Marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje janë përkeqësuar, pasi pas vizitës së fundit të presidentes maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje, ajo është fotografuar së bashku me kolegun e saj bullgar Rumen Radev pa flamurin maqedonas, por vetëm pranë flamurit të BE-së dhe Bullgarisë.
Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.