Këshilli Gjyqësor vendosi për ankesën e SHGM-së: Qortim publik për gjykatësen Spiroska Paneva, e cila përjashtoi publikun nga një proces gjyqësor

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot mbajti një konferencë për media, ku u prezantua publikisht vendimi i Këshillit Gjyqësor, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut. Më 10 tetor të këtij viti, Këshilli Gjyqësor mori një masë disiplinore – qortim publik për […]

tetor 22, 2024 - 19:00
 0  5
Këshilli Gjyqësor vendosi për ankesën e SHGM-së: Qortim publik për gjykatësen Spiroska Paneva, e cila përjashtoi publikun nga një proces gjyqësor
SHGM. Foto: Petar Stojanovski/SHGM

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot mbajti një konferencë për media, ku u prezantua publikisht vendimi i Këshillit Gjyqësor, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut. Më 10 tetor të këtij viti, Këshilli Gjyqësor mori një masë disiplinore – qortim publik për gjykatësen Jovanka Spiroska Paneva, me të cilën u konfirmua se ajo në mënyrë të paligjshme i kishte ndaluar publikut të ndiqte ballafaqimin gjyqësor ndërmjet biznesmenit Koço Angjushev dhe koleges Sashka Cvetkovska për rastin “Feroinvest kundër medias IRL”, një proces në të cilin gazetarët u penguan të informonin qytetarët për këtë proces të rëndësishëm gjyqësor, thonë nga SHGM, transmeton Portalb.mk.

Në vendimin e Këshillit Gjyqësor është theksuar qartë se, “përjashtimi i publikut gjatë seancave gjyqësore përbën një shkelje të rëndë të transparencës dhe të drejtës për informim, gjë që është me rëndësi thelbësore për lirinë e medias.

Dragan Sekullovski, drejtori i SHGM-së, theksoi se me veprimin e gjykatëses për largimin e gazetarëve nga salla e gjykatës, liria e medias sulmohet drejtpërdrejt, arsye për të cilën vendimi i Këshillit Gjyqësor është një shembull pozitiv për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

“Ky veprim i gjykatëses Spiroska Paneva konsiderohet si një gabim i rëndë profesional dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Civile. Prandaj ky vendim përbën një pikë kthese për komunitetin e medias. Kjo dërgon një mesazh të qartë se liria e informimit duhet të mbrohet. Njëkohësisht, ky është një hap drejt garantimit të transparencës në proceset gjyqësore dhe se ligjet duhet të respektohen nga të gjithë gjykatësit”, tha Sekullovski.

Më 19 tetor 2023, SHGM-ja dorëzoi ankesë në Këshillin Gjyqësor, duke kërkuar përgjegjësi nga gjykatësja Spiroska Paneva për përjashtimin e publikut nga seanca e sipërpërmendur, si dhe ngritjen e një procedure disiplinore. SHGM-ja mori pjesë aktive në të gjitha katër seancat para Komisionit të përbërë nga tre gjykatës, duke paraqitur prova relevante që konfirmonin veprimet e parregullta të gjykatëses.

Vendimi i Këshillit Gjyqësor tregon se siguria dhe liria e gazetarëve janë me rëndësi thelbësore për proceset demokratike, dhe transparenca e autoriteteve gjyqësore është e nevojshme.

SHGM-ja bëri përpjekje të mëdha në këtë rast dhe vendimi përfundimtar është një konfirmim për rëndësinë e interesit publik dhe të drejtës për informim nga seancat gjyqësore, që duhet të jetë një mesazh për të gjithë gjyqtarët.

Për rikujtim, rasti ka të bëjë me storjen “Komplot kundër ajrit”, e publikuar më 24 tetor 2023 nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL). Reagimet për këtë rast çuan në protesta nga gazetarët dhe punonjësit e medias, të cilët shprehën publikisht revoltën e tyre kundër padrejtësive.

Gjithashtu, vendimi kundër IRL-së, me të cilin gjykata mori rolin për të përcaktuar kush ka të drejtë të jetë gazetar e kush jo, shkaktoi reagime të ashpra nga Federata Evropiane e Gazetarëve.

Prandaj, ne besojmë se vendimi i Këshillit Gjyqësor për masën disiplinore do të shërbejë si një nxitje për autoritetet gjyqësore në të ardhmen që të njohin dhe mbrojnë rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe interesit publik.