Bojkotimi i marketeve, pushteti në RMV me deklarata opozite, pa zgjidhje konkrete: “I mbështesim qytetarët”

Autoritetet e vendit kanë shprehur mbështetje për bojkotin që do të zhvillohet të premten. Deklaratat e tyre ngjajnë me të partive që janë në opozitë, mbështetëse, por pa zgjidhje definitive. Sot, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, deklaroi se edhe pse nuk është e lidhur me organizimin e iniciativave për bojkotimin e marketeve, mbështetë qytetarët në […]

Jan 29, 2025 - 15:00
 0  5
Bojkotimi i marketeve, pushteti në RMV me deklarata opozite, pa zgjidhje konkrete: “I mbështesim qytetarët”
Market, produkte, foto: Unsplash/Victoriano Izquierdo

Autoritetet e vendit kanë shprehur mbështetje për bojkotin që do të zhvillohet të premten. Deklaratat e tyre ngjajnë me të partive që janë në opozitë, mbështetëse, por pa zgjidhje definitive. Sot, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, deklaroi se edhe pse nuk është e lidhur me organizimin e iniciativave për bojkotimin e marketeve, mbështetë qytetarët në bojkotin e tyre. “Kjo është e drejtë e tyre qytetare dhe qytetarët, respektivisht konsumatorët, kanë të drejtë të vendosin vetë se si dhe ku i shpenzojnë paratë e tyre”, shkroi në Facebook ministri i këtij dikasteri, Besar Durmishi, transmeton Portalb.mk.

“Ne mbështesim qytetarët në bojkotin, mbi të gjitha në tregjet që vitet e fundit kanë rritur jashtëzakonisht çmimet e produkteve pa asnjë logjikë ekonomike. Ne, si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, kemi miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve duke ngrirë marzhin e produkteve ushqimore bazë në mënyrë që të mos çojë në rritje enorme të çmimeve ku nuk ka bazë për atë dhe në këtë drejtim mirëpresim inicativat e tilla dhe qytetarët me aktivitete të tilla. Vitet e fundit, qeveria e mëparshme toleroi tregtarët, të cilët për fitim shtesë përmes rritjes joreale të çmimeve janë pasuruar në mënyrë plotësuese në kurriz të qytetarëve. Kjo sjellje duhet të ndalet”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Durmishi.

Inspektorati Shtetëror i Tregu, thotë Durmishi është në terren, kontrollon çmimet e produkteve dhe nëse ka rritje të paarsyeshme enorme të çmimeve dhe prishje të logjikës së tregut, shton ai, “do të përdorim të gjithë mekanizmat që kemi dhe do të miratojmë vendime dhe masa për të mbrojtur standardin e qytetarëve”.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski dje shprehu mbështetje ndaj bojkotit, pa premtuar zgjidhje, duke shtuar se e kupton aksionin e paralajmëruar të qytetarëve për bojkotimin e marketeve, sepse siç tha ai, prej kohësh ka folur për sjelljen e individëve në këtë biznes se po mundohen të nxjerrin fitime të larta në mënyrë spekulative.

“Kam mirëkuptim personal për këtë veprim të qytetarëve dhe këtu nuk duhet të kemi asnjë dilemë. Që në fillim kam folur për sjelljen e individëve në këtë biznes dhe se në mënyrë spekulative përpiqen të gjenerojnë fitime të larta. Institucionet, inspektorati i tregut, po e monitorojnë situatën dhe reagojnë me shpejtësi”, tha Mickoski në konferencën e sotme për media, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se a do ta përkrah iniciativën qytetare për bojkotimin e tregjeve të premten e kësaj jave.

Edhe VMRODPMNE-ja në pushtet, dje përmes një komunikate për media njoftoi se përkrah iniciativën për bojkotimin e marketeve.

“Në të njëjtën kohë, pritet që qeveria të përgatisë një sërë masash për të kontrolluar rritjen e çmimeve, për të hetuar këto sjellje të marketeve, nëse kanë kryer abuzime, evazion fiskal apo shkelje të tjera të ligjeve ndër vite dhe në të njëjtën kohë të forcohet kontrolli mbi punën e tyre”, thonë nga partia në pushtet dhe shtojnë veprimi i tillë në tregje duhet të ndalet.

Nga LSDM thanë se kjo do të thotë se trendi nga rajoni për bojkotimin e marketeve është bartur te ne dhe për këtë fajin e kanë Qeveria dhe VMRO-DPMNE-ja dhe direkt Mickoski.

Kanë reaguar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ata shprehën shqetësim të thellë për situatën alarmante që po ndodh në vend. 

Në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut po përhapen thirrje për qytetarët që të premten më 31 janar të bojkotohet blerja dhe përdorimi i shërbimeve në markete. Qëllimi i kësaj është, siç komentohet në rrjetet sociale, ashtu si kroatët dhe malazezët, të dërgohet mesazhi i pakënaqësisë për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë.

Në Kroaci, më 24 janar, u mbajt bojkot i dyqaneve, rrjeteve të marketeve dhe pikave të benzinës për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

Thirrjet për bojkot të dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve të premten (31 janar 2025) po përhapen në mediat sociale në Bosnje dhe Hercegovinë.