Mickoski gazetarit: Do t’ju thërrasin organet përkatëse nëse nuk tregoni se cilat markete i rrisin marzhet
Kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e djeshme për media në pyetjen e një gazetari se çfarë masash do të ndërmarrë shteti ndaj tregtarëve të cilët kinse përmes “marrëveshjeve speciale” i rrisin marzhet tregtare të produkteve për 40 deri në 45 përqind, këmbënguli që gazetari të tregojë për cilët tregtarë bëhet fjalë. Mickoski theksoi se nëse […]
Kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e djeshme për media në pyetjen e një gazetari se çfarë masash do të ndërmarrë shteti ndaj tregtarëve të cilët kinse përmes “marrëveshjeve speciale” i rrisin marzhet tregtare të produkteve për 40 deri në 45 përqind, këmbënguli që gazetari të tregojë për cilët tregtarë bëhet fjalë. Mickoski theksoi se nëse gazetari që e bëri pyetjen nuk i tregon tregtarëve për të cilët ka njohuri, kjo do të thotë se fsheh një vepër penale dhe se organet përgjegjëse do ta thërrasin, kështu që ai do të tregojë para organeve përkatëse, transmeton Portalb.mk.
E gjithë biseda mes kryeministrit Mickoski dhe gazetarit u zhvillua kështu:
Gazetari: Tashmë në rrjetet sociale ka thirrje për bojkot të marketevee të premten, cili është qëndrimi juaj personal për këtë çështje, duke qenë se ju kryeministër keni pasur deklarata mjaft të ashpra ndaj marketeve kur filloi të implementohet e ashtuquajtura shporta e Vitit të Ri. A do t’i mbështesnit qytetarët?
Mickoski: Unë kam mirëkuptim personal për këtë veprim të qytetarëve dhe këtu nuk duhet të kemi ndonjë dilemë sepse që në fillim e kam folur për sjelljen e individëve në këtë biznes dhe se në mënyrë spekulative po mundohen të nxjerrin fitime të larta. Institucionet, inspektorati i tregut monitorojnë situatën dhe reagojnë me shpejtësi.
Gazetari: Për t’u ndërlidhur me këtë pyetje, tashmë ka ankesa nga disa prodhues se janë të kërcënuar nga zinxhirët e mëdhenj të marketeve, konkretisht unë njoh dy markete që po tentojnë të t’ bëjnë bisht Ligjit për praktikat e padrejta tregtare që ka hyrë në fuqi këtë muaj. Atyre u jepen kontrata me marzhë 10 përqind, megjithatë më pas u ofrohen kontrata të veçanta, disa prej tyre janë verbale, ku marzhi rritet në 40-45 përqind. A keni informacione të tilla dhe çfarë do të bëni si shtet?
Mickoski: Pas kësaj përmbajtjeje të pyetjes, ka dy dilema, dilema e parë është absolutisht nëse po ndodh, është vepër penale. Dhe e dyta, ju lutem me tregoni se kush janë ata dy për te cilët keni informacion, si quhen, kush janë ata?
Gazetari: Publikisht?
Mickoski: Atëherë po fshihni një vepër penale nëse nuk i tregoni.
Gazetari: Do t’jua them kur të përfundojë konferenca për shtyp.
Mickoski: Jo, ju do t’ua thoni organeve që janë përgjegjës për këtë. Unë mendova se publiku duhet ta dijë se kush janë ata. Ja, doja që publiku ta dinte sepse i përmendët, por autoritetet do t’ju thërrasin dhe do t’i tregoni para tyre.
Gazetari: I thashë.
Mickoski: Nuk ju dëgjova, më fal.
Gazetarja: Tinex dhe Vero.
Mickoski: Tinex dhe Vero. Në rregull, ja, që nga ky moment kur të largohem nga kjo konferencë për shtyp do t’i bëj thirrje institucioneve përkatëse që menjëherë të marrin masa.
Kujtojmë se shporta e vitit të ri përfundoi me 15 janar, e cila zgjati një muaj dhe u formua me iniciativën e sektorit të biznesit. Ajo përfshinte mbi një mijë produkte dhe autoritetet prisnin që çmimi i produkteve ushqimore bazë të ulej me të paktën 10 përqind.
Që në fillim të shportës së Vitit të Ri, nga opinioni publik pati reagime se për shkak të uljes së disa produkteve ushqimore, çmimet e produkteve të tjera që nuk ishin pjesë e shportës u rritën ndjeshëm.
Nga ana tjetër, Enti Shtetëror i Statistikave bëri të ditur se inflacioni në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.4 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2023 dhe se kërcimi më i madh ishte tek ushqimet.
Masën e Shportës së Vitit të Ri,Qeveria e shpalli me 5 dhjetor, pas mbi një muaji konsultimesh me biznesin. Kjo iniciativë për “Shportën e Vitit të Ri” u iniciua nga prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtarët e produkteve ushqimore dhe produkteve alkoolike dhe joalkoolike të cilët u ofruan të dorëzojnë listë të produkteve të tyre më të shitura gjatë festave të Vitit të Ri që do të shiten me aksion me çmime më të ulëta prej 10 e më shumë përqind.