Borisov dhe Petkov për ndarjen e Shqipërisë nga RMV: Shkupi të zgjedhë, ose bullgarët në Kushtetutë ose s’ka BE
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë që është përfshirë në Kornizën Negociatore dhe askush nuk mund të devijojë prej saj. Kështu deklaroi sot Bojko Borisov, kreu i partisë GERB, njëherësh kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvendin Kombëtar të Bullgarisë, duke komentuar vendimin e djeshëm të ambasadorëve të […]
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë që është përfshirë në Kornizën Negociatore dhe askush nuk mund të devijojë prej saj. Kështu deklaroi sot Bojko Borisov, kreu i partisë GERB, njëherësh kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvendin Kombëtar të Bullgarisë, duke komentuar vendimin e djeshëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë veçmas nga Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Vendimi u njoftua dje në mbrëmje nga disa media bullgare, ndërsa sot komentet e tyre i dhanë ish-kryeministrat e Bullgarisë, Bojko Borisov dhe Kiril Petkov. Ata u bënë thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut që të vendosin nëse do të përfshijnë bullgarët në Kushtetutë apo nëse rruga e vendit drejt BE-së do të mbetet e mbyllur. Të dy thonë se Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë e nënshkruar në vitin 2017 duhet respektuar.
Borisov beson se pala bullgare duhet të jetë e duruar dhe e moderuar në komentet e saj.
“Nuk duhet të jemi agresivë, sepse taktika e kolegëve tanë nga Maqedonia e Veriut është që ne të dalim fajtorë”, thotë ai.
Borisov tha se dëshiron të sigurojë popullin bullgar se zëri i tyre dëgjohet në Partinë Popullore Evropiane, në Këshillin Evropian dhe në Komisionin Evropian dhe se shteti bullgar nuk duhet të reagojë emocionalisht.
“Kështu funksionojnë institucionet evropiane. Ata nuk kërcënojnë, nuk shajnë njëri-tjetrin. Rezultati është që Shqipëria të ecë përpara. Ajo e pranoi pakicën bullgare dhe kolegët e saj nga Maqedonia e Veriut do të duhet të mbajnë pasojat e sjelljes së tyre të deritanishme”, tha Borisov.
Sipas tij, Bullgaria nuk e ka shkelur tonin e mirë sepse është kërkuar vetëm dorëheqja e zëvendëskryeministrit Aleksandar Nikolloski, të cilën ai e konsideron normale.
“Si vend, ne duhet të drejtohemi dhe të ndjekim tonin e një ministri”, thotë kreu i GERB.
Në prag të mbledhjes së sotme të Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin bullgar, ku pritet të shqyrtohet deklarata për Maqedoninë e Veriut të dorëzuar nga partia bullgare e ekstremit të djathtë Prerodba, Borisov tregoi se do të përpiqet të bindë anëtarët e Komisionit për të mos vepruar në mënyrë emocionale, por të arsyeshme dhe pragmatike.
Bashkëkryetari i Partisë Vazhdojmë me ndryshimet, Kiril Petkov, nga ana tjetër, beson se Maqedonia e Veriut duhet të vendosë nëse dëshiron t’i pranojë bullgarët në Kushtetutën e saj apo të ndalojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Marrëveshja që bëmë në kohën e qeverisë sonë – propozimi francez, doli të jetë e mirë për Bullgarinë. Në fakt, i gjithë Bashkimi Evropian doli në anën e Bullgarisë. Tani Maqedonia e Veriut duhet të vendosë nëse dëshiron të pranojë bullgarët në Kushtetutën e saj ose rruga e saj drejt Evropës është e mbyllur. Shpresoj se do ta rishikojnë sepse ajo që ka ndodhur tani është që Shqipëria të ndahet prej tyre dhe të vazhdojë rrugën e saj drejt BE-së”, tha Petkov.
Vendimi për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt rrugës së BE-së u komentua edhe nga kreu i partisë Prerodba, Kostadin Kostadinov, duke theksuar se shteti i Maqedonisë, veçanërisht pas zgjedhjeve të këtij viti, refuzon të përmbushë marrëveshjen me Bullgarinë dhe partnerët në BE.
“Maqedonia e Veriut ka dy opsione – ose do të njohë praninë e bullgarëve si një element shtetformues i vendit të saj ose do të qëndrojë jashtë procesit të negociatave,” tha ai.
Siç shkruan rrjeti i lajmeve pan-evropiane i specializuar për çështjet evropiane “Euraktiv”, rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe Kllasterin e parë të negociatave Tirana do ta hapet zyrtarisht më 15 tetor. Kështu vendosën dje njëzëri ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.
Media kujton se rruga e dy vendeve nga Ballkani Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian u bashkua dhe se të dy së bashku nisën negociatat për anëtarësim në korrik 2022.