“Bota Serbe” nën akuzë në draft-rezolutën e BE-së – ‘Flaket’ skena politike në Shkup!
Draft-rezoluta e Parlamentit Evropian, e bazuar në raportin e eurodeputetit austriak Tomas Waitz, ka ndezur skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Dokumenti, i cili pritet të diskutohet më 8 korrik The post “Bota Serbe” nën akuzë në draft-rezolutën e BE-së – ‘Flaket’ skena politike në Shkup! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Draft-rezoluta e Parlamentit Evropian, e bazuar në raportin e eurodeputetit austriak Tomas Waitz, ka ndezur skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Dokumenti, i cili pritet të diskutohet më 8 korrik në Strasburg, ngre akuza serioze për ndikimin destabilizues të konceptit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton Flaka Media
Sipas korrespondencës nga Brukseli të agjencisë BGNES, përmes gazetarit Dimitar Ruskov, në dokument thuhet se:
“Bota serbe po zhvat sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit, dhe për këtë ka përkrahje dhe promovim nga përfaqësues të Qeverisë në Shkup.”
Në tekstin e draft-rezolutës theksohet nevoja urgjente për hapjen e arkivave të ish-shërbimeve sekrete jugosllave – UDBA dhe KOS – që mbahen si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Serbi. Sipas dokumentit, ky hap do të ndihmojë në kapërcimin e të kaluarës totalitare, për të forcuar demokracinë, llogaridhënien dhe transparencën institucionale në rajon.
Drafti evidencon edhe përpjekjet e aktorëve të jashtëm për ndikim:
“Maqedonia e Veriut mbetet objekt i operacioneve armiqësore për ndikim të huaj, përfshirë përpjekjet për të ndarë indin shoqëror të vendit dhe për të shfrytëzuar ndjenjat anti-evropiane.”
Sipas dokumentit, ky ndikim bëhet veçanërisht përmes tabloidëve dhe mediave në gjuhën serbe, të cilat veprojnë si zëra rajonalë të narrativave të Kremlinit dhe gëzojnë ndikim të konsiderueshëm.
Ndikimi rus, sipas raportit, është i vazhdueshëm: 13 diplomatë rusë janë dëbuar nga Shkupi gjatë viteve 2018–2023, për veprime të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik. Po ashtu, drafti ngre shqetësime për propagandën kineze, investimet me klauzola të detyrueshme, si dhe për një hua të marrë nga Hungaria, që dyshohet se ka origjinë kineze.
Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së dhe ish-ministër i Jashtëm, në një prononcim për KTV të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për këtë zhvillim.
“E kanë shndërruar shtetin në proksi të Botës Serbe. Unë nuk do të them Serbisë, sepse Serbia është shtet fqinj me të cilin duhet të kemi raporte normale, por Bota Serbe është një koncept tjetër i dominimit rajonal,” – tha Osmani.
Ai paralajmëroi se ky është një model i demokracisë i-liberale, që rrezikon të sabotojë perspektivën evropiane të rajonit. Osmani përmendi edhe emërimin e Ivan Stoilkoviç në krye të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve:
“Ai është ekspoziturë e Vulinit në Serbi, dhe një vizitues i përditshëm i kongreseve të Putinit në Moskë… Ky emërim është një akt poshtërues ndaj shqiptarëve,” – theksoi Osmani.
Ai theksoi se të gjitha përfitimet që shqiptarët i kanë fituar përmes Marrëveshjes së Ohrit – gjuha zyrtare, e drejta e vetos dhe autonomia institucionale – janë rrënuar.
Në një komunikatë zyrtare, Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, përshëndeti përmbajtjen e draft-rezolutës dhe tha se vërejtjet që ka artikuluar kjo parti po verifikohen nga vetë institucionet e BE-së:
“Në këtë dokument thuhet qartë se Bota Serbe po zhvat sovranitetin dhe se për këtë ka përkrahje nga përfaqësues të Qeverisë në Shkup.”
Në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Taravari shtoi: Nëse bisedoni me njerëz kompetentë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, është i pamohueshëm ndikimi serb, posaçërisht në vitin e fundit si asnjëherë më parë në këto 35 vite. Ai ka ndikuar në siguri, politikë dhe investime. Investimet që planifikohen nga VMRO-DPMNE i shërbejnë vetëm politikave serbe.
Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi se ndikimi i “Botës Serbe” përmes mediave, investimeve dhe strukturave të errëta të sigurisë përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe për bashkëjetesën ndëretnike.
Debati në Parlamentin Evropian mbi këtë dokument do të zhvillohet më 8 korrik, ndërsa miratimi i mundshëm i draft-rezolutës mund të shkaktojë tronditje të mëdha politike në Shkup.
Aleanca për Shqiptarët u bëri thirrje të gjitha forcave demokratike në vend që të bashkohen në mbrojtje të orientimit euroatlantik dhe të refuzojnë çdo instrumentalizim të institucioneve nga agjenda të huaja anti-demokratike. Flaka Media
The post “Bota Serbe” nën akuzë në draft-rezolutën e BE-së – ‘Flaket’ skena politike në Shkup! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
