Çdo e shtata martesë në Maqedoninë e Veriut përfundon me divorc
Çdo e shtata martesë në Maqedoninë e Veriut përfundon me divorc. Vitet e fundit, numri i çifteve të divorcuara është rritur në mënyrë dramatike dhe çdo vit ky numër është më shumë se 2,000, që është një rritje e trefishtë në krahasim me një periudhë prej tre dekadash më parë, shkruan Alsat. “Mesatarja është diku […]
Çdo e shtata martesë në Maqedoninë e Veriut përfundon me divorc. Vitet e fundit, numri i çifteve të divorcuara është rritur në mënyrë dramatike dhe çdo vit ky numër është më shumë se 2,000, që është një rritje e trefishtë në krahasim me një periudhë prej tre dekadash më parë, shkruan Alsat.
“Mesatarja është diku rreth 14,000 martesa, dy mijë e gjysmë martesa të divorcuara. Pra, çdo e shtata martesë shkurorëzohet, por potenciali për rritje të numrit të martesave të divorcuara në Maqedoni është i madh. Pres një rritje të këtij numri edhe në periudhën e ardhshme”, tha Dejan Mickoviq, profesor i së Drejtës Familjare dhe Trashëgimore.
Duke ndryshuar rrethanat shoqërore, propozohet gjithashtu të përpilohet kodi civil, i cili do të mbulojë edhe marrëdhëniet juridike familjare.
“Do të kemi një reformë serioze të ushtrimit të të drejtave prindërore pas divorcit. Dhe si në vendet e tjera evropiane, ne do të prezantojmë një model të prindërimit të ndarë. Prindërimi i ndarë do të thotë që prindërit, edhe pas divorcit të martesës, do të kenë të drejta dhe detyrime të barabarta ndaj fëmijëve dhe do të ushtrojnë bashkërisht të drejtat prindërore me marrëveshje të ndërsjellë”, shtoi ai.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (EShS) më së shumti martesa në vitin 2023, 12,6 përqind, janë lidhur në gusht, ndërsa më së paku në mars, 5,8 përqind.
93.2 për qind e të gjitha femrave dhe 92.2 për qind e të gjithë meshkujve që u martuan në vitin 2023, kanë hyrë për herë të parë në martesë vitin e kaluar. Burrat më shpesh hyjnë në një martesë të dytë (7 përqind) dhe të tretë (0.8 përqind).
Sipas moshës, vitin e kaluar më së shumti martesa janë lidhur nga personat e grupmoshës nga 25 deri në 29 vjeç, pra 4.228 persona.
Mosha mesatare në martesën e parë është 27.5 vjeç për nusen dhe 30.1 vjeç për dhëndrin.
Nga ana tjetër, numri i divorceve në vitin 2023 ka shënuar një rritje prej 9,4 përqind krahasuar me të dhënat e vitit 2022 – vitin e kaluar janë divorcuar 1.765 martesa.
Më së shumti divorce janë regjistruar në dhjetor – gjithsej 201, dhe më së paku në gusht – gjithsej 66.
Sipas moshës, numri më i madh i divorceve ka ndodhur në grupmoshën 35 deri në 39 vjeç. Sipas kohëzgjatjes së martesës, megjithatë, më së shumti divorce (393) kanë ndodhur në periudhën nga 5 deri në 9 vjet pas lidhjes së martesës.