RMV, këto janë propozimet për kabinetin e ri qeveritar, edhe VMRO-DPMNE i zbuloi emrat
Mandatari për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sonte i bëri zyrtare propozimet për ministra nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE pas mbledhjes së Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv të kësaj partie. Mickoski tha se në qeverinë e re do të jenë VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM dhe se përbërja e qeverisë së tij […]
Mandatari për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sonte i bëri zyrtare propozimet për ministra nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE pas mbledhjes së Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv të kësaj partie. Mickoski tha se në qeverinë e re do të jenë VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM dhe se përbërja e qeverisë së tij do të dorëzohet në Kuvend ditën e martë, më 18 qershor pas së cilës duhet të caktohet seanca parlamentare për zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar, transmeton Portalb.mk.
Këto janë propozimet për ministrat e rinj nga koalicioni “Maqedonia e Jote” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE:
- Zëvendësministër i Qeverisë dhe Ministër i Transportit: Aleksandar Nikollovski
- Ministër i Mbrojtjes: Vllado Misajllovski
- Ministre e Financave: Gordana Dimitrieska Koçoska
- Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme: Timço Mucunski
- Ministër i Vetëqeverisjes Lokale: Zllatko Perinski
- Ministër për Shoqëri Informatike dhe Transformim Digjital: Stefan Andonovski
- Ministër i Sportit: Borko Ristovski
- Ministre e Energjisë dhe Minierave: Sanja Bozhinovska
- Ministër i Bujqësisë: Cvetan Tripunovski
- Ministër i Kulturës dhe Turizmit: Zoran Ljutkov
- Ministër i Punëve të Brendshme: Pançe Toshkovski
- Ministre e Arsimit dhe Shkencës: Vesna Janevska
- Ljupço Dimovski, zëvendëskryeministër, përgjegjës për Sistemin Politik
- Ivan Stoljkoviç, zëvendëskryeministër dhe ministër i Marrëdhënieve Mes Komuniteteve
- Shaban Saliu, ministër pa portofol i ngarkuar për zbatimin e Dekadës së Romëve
Sipas informacioneve ende jozyrtare nga partitë, partneri shqiptar në Qeverinë e ardhshme, Koalicioni VLEN pritet të ketë:
- Ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Izet Mexhiti
- Ministër të Shëndetësisë: Arben Taravari
- Ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë: Fatmir Limani
- Ministër të Ekonomisë dhe Punës: Besart Durmishi
- Ministër i Çështjeve Evropiane: Admirim Aliti
- Ministër pa portofol të ngarkuar për Qeverisjen e Mirë dhe Transparencë
Edhe negociatat me ZNAM kanë përfunduar. Partia e Dimitrievskit jozyrtarisht, ka të ngjarë të menaxhojë dy ministri:
- Ministria e Drejtësisë, me ministër Igor Filkov
- Ministria e Administratës dhe Digjitalizimit me ministër Goran Minçev
Mickoski e ka marrë mandatin nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova më 6 qershor dhe kishte prej 20 ditësh për të paraqitur programin dhe propozimin e përbërjes së qeverisë në Kuvend. Kuvendi cakton seancën për zgjedhjen e qeverisë së re brenda 15 ditëve nga marrja e propozimit dhe debati zgjat më së shumti dy ditë.
Kujtojmë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 88 vota “për”, 22 “kundër” dhe “asnjë” abstenim rreth orës 02:30 të mëngjesit të 8 qershorit ka miratuar ndryshimet e propozuara të Ligjit për Organizimin e Punës së Organeve të Administratës Shtetërore, me të cilat nga 16 do të bëhen 20 ministri. Këto propozime erdhën nga mandatari i qeverisë së ardhshme, kryetari i VMRO-DMPNE-së Hristijan Mickoski.
Përveç votave të deputetëve të shumicës (VMRO, VLEN, ZNAM) e cila pritet të formojë Qeverinë e re, votuan edhe deputetët e Frontit Evropian, të cilët përmes një njoftimi në orët e vona njoftuan se do përkrahin këtë ligj.