Çerdhja “Rilindja” në Tetovë e mori “aminin” e ministrisë, pritet miratimi i punësimeve
Çerdhja e re “Rilindja” në Tetovë e ka marrë vendimin për fillim me punë nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Mirëpo, Komuna e Tetovës pret nga ministria dhe miratimin e punësimeve për stafin e çerdhes, shkruan Portalb.mk. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për Portalb.mk tha se vendimin e kanë dhënë me […]
Çerdhja e re “Rilindja” në Tetovë e ka marrë vendimin për fillim me punë nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Mirëpo, Komuna e Tetovës pret nga ministria dhe miratimin e punësimeve për stafin e çerdhes, shkruan Portalb.mk.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për Portalb.mk tha se vendimin e kanë dhënë me 9 maj.
“Është dhënë vendimi për kryerjen e veprimtarisë me nr. 11-976/6 datë 09.05.2024 për objektin “Rilindja”, e cila është pjesë e Institucionit Publik Komunal për Fëmijë – Kopshti “Rinia” në Tetovë”, thanë nga MPPS.
Nga ana tjetër, Validin Ademi, nga Sektori për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës tha se pas pranimit të vendimit nga ana e ministrisë, Sektori për Veprimtari Publike me datë 17.05.2024 e dorëzoi si pikë deri te këshilli komunal për dhënie në shfrytëzim, mirëmbajtje dhe menaxhim të objektit të ri ,,Rilindja”.
“Në të njëjtën kohë kemi bërë kërkesë në MPPS për vendet e punës për funksionimin normal të çerdhes së re, ku edhe presim nga ana e tyre edhe miratimin”, tha Ademi.
Drejtoresha e çerdhes “Rinia” në Tetovë ka theksuar se për të filluar me punë çerdhja e re, nevojiten së paku 30 punëtorë.
Ministri teknik i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Velkovski me 5 mars 2023 në Tetovë pati theksuar se punët për këtë objekt janë zvarritur dhe se duhet të pritet në këtë drejtim, për shkak se në kohë të qeverisë teknike ligjet nuk lejojnë të kenë qasje në marrëveshje për punësim, dhe se duhet të pritet.
Në këtë çerdhe janë planifikuar të pranohen 154 fëmijë nga mosha prej gjashtë muaj deri në gjashtë vjeç, të cilët do jenë të organizuar në dhjetë grupe.
Çerdhja “Rilindja” premtohet prej vitit 2019, kurse u ndërtua në prill të vitit 2023. Hapja e saj vonon që atëherë shkaku i pengesave dhe neglizhencës nga autoritetet e përfshira në këtë proces.