Çfarë kërkoi Dodiku në Shkup?
Shkruan: Naser SELMANI Kryetari i entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, të martën në Shkup mori pjesë në shënimin e Festës së komunitetit serb në Maqedoninë e Veriut, Shën Sava. Në fjalimin e tij Dodik dërgoi dy mesazhe kryesore, promovoi idenë e pansllavizmit duke brohoritur rroftë Rusia vëllazërore dhe shau Perendimin sepse pengon […]
Shkruan: Naser SELMANI
Kryetari i entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, të martën në Shkup mori pjesë në shënimin e Festës së komunitetit serb në Maqedoninë e Veriut, Shën Sava. Në fjalimin e tij Dodik dërgoi dy mesazhe kryesore, promovoi idenë e pansllavizmit duke brohoritur rroftë Rusia vëllazërore dhe shau Perendimin sepse pengon bashkimin e serbëve në një shtet.
Dodik si përfaqësues i serbëve boshnjak, angazhohet për shpërbërjen e Bosnjës si shtet, mohon gjenocidin kundër boshnjakëve në Srebrenicë, është mik i afërt i presidentit rus Putin, dhe armik i përbetuar i Perendimit. Për këto arsye ai është vënë në listën e zezë amerikane. Ai bëri përshtypje se përdori një anëtare të NATO-s për të promovuar idetë e tij pansllaviste e antiperendimore. Në mënyrë perfide mikloi sedrën maqedone duke e quajtur vendin nikoqir, Maqedoni, e jo me emrin e tij zyrtar, Maqedonia e Veriut. Qëllimi ishte i qartë, të nxisë ndjenjat antiperendimore te maqedonët për shkak të ndërrimin e emrit dhe ti tërheq ato në botën serbosllave.
Ajo që shqetëson më tepër nuk janë deklaratat e Dodikut, por është reagimi i klasës politike dhe i medias ndaj këtij provokim perfid serbo-rus. Raportimi i medias maqedone ishte skandaloz sepse fshehën faktin se Dodik brohoriti rroftë Rusia vëllazërore. Mos vallë ju pëlqyen politikat raciste të Dodikut, apo patën frikë ose u penguan të thonë të vërtetën. Media shqipe ishte joprofesionale sepse mungoi në vendngjarrje, ju ranë tupanave pas dasmës.
Dodiku e koriti edhe faktorin politik shqiptar. Në vend të folin me një zë ndaj këtyre provokimeve të rrezikshme, reaguan në mënyrë stihike e joserioze. Të mos ishin deklaratat individuale të Zëvendëkryeministrit Arben Fetahi, kryetarit të Besës Bilall Kasami dhe deputetit Zijadin Sela, të cilët i dhanë diognozën e duhur veprimeve të Dodikut, do të dukej se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë të pazë kur duhet të kundërshtohen politikat raciste e kriminale të shtetit serb.
Sjellja e BDI ishte e çuditshme. Nxorrën Forumin rinor të dënojë deklaratat e Dodikut sikur të ishte një çështje krejt e parëndësishme. Shqiptarët meritojnë sqarim pse heshtën njerëzit e parë të kësaj partie për provokimet e Dodikut. U fshehën nga frika se ai, argati i Vuçiçit dhe Putinit, mund të shpalosë dosje për ndonjërin prej tyre, apo presin përkrahje prej qendrave serbo-ruse me ndikim për ti ndihmuar të rikthehen në pushtet? Mirë është të sqarohen sesa të heshtin e të keqkuptohen!
Opozita maqedone ishte e vakët dhe e paartikuluar qartë për tema të rëndësishme. Në vend të luajë rolin e liderit, ai sillet si ushtrues detyre. Çfarë mund të pritet prej një lideri të opozitës, i cili si ministër i shëndetësisë, nuk dha dorëhqeje kur në spitalin modularë në Tetovë u dogjën gjallë 14 pacientë. Kjo flet shumë për integritetin dhe peshën e tij politike.
Sjellja e Dodikut e vuri në siklet edhe kryeministrin Mickovski. Bëri mirë që u distancua nga deklaratat e Dodikut. U shfajsua se ai ka keqpërdorur besimin e tij. Por problemi kryesor i Mickovskit, nuk është Dodiku, por ministri për komunitete, Ivan Stoilkoviq, i cili mblodhi në Shkup eksponentët e politikës serbomadhe. Nuk mund të kultivojë marrëdhënie të mira ndëretnike, një ministër me mendësi të njejtë si Dodiku, që mohon gjenocidin në Srebrenicë, që promovon idene e Serbisë së Madhe duke promovuar politikën pansllaviste të Rusisë në Ballkan. Nëse Mickovski sot nuk e frenon Stoilkoviqin, nesër do jetë vonë. Në pyetje është kredibiliteti i kryeministrit si partner i besueshëm i partnerëve strategjik në NATO. Herën e parë e sfidoi duke mos njohur pavarësinë e Kosovës, së dyti e mashtroi me Dodikun, e treta do të jetë e vërteta.