Çfarë pasojash ka urdhër-arresti kundër Netanyahut?

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) pranoi kërkesën e kryeprokurorit të saj Karim Khan duke lëshuar urdhër-arrest kundër kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Joav Gallant. Arsyeja janë krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, për të cilat përgjegjës mund të jenë politikanët. Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarresti edhe kundër udhëheqësit të […] The post Çfarë pasojash ka urdhër-arresti kundër Netanyahut? appeared first on InfoShqip.com.

Nëntor 23, 2024 - 11:00
 0  11
Çfarë pasojash ka urdhër-arresti kundër Netanyahut?

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) pranoi kërkesën e kryeprokurorit të saj Karim Khan duke lëshuar urdhër-arrest kundër kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Joav Gallant. Arsyeja janë krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, për të cilat përgjegjës mund të jenë politikanët.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarresti edhe kundër udhëheqësit të organizatës terroriste radikal islamike Hamas Mohammad Diab Ibrahim Al-Masri në kontekstin e sulmeve terroriste ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Çfarë lloj procedimi penal mund të ngrejë GJNP kundër Netanjahut?

Gjykata Ndërkombëtare Penale kryen hetime ekskluzivisht kundër individëve. Gjykata aktivizohet vetëm nëse një person dyshohet, se është përgjegjës për një nga katër krimet themelore në kohën kur kryen një funksion drejtues: gjenocid, krime të rënda lufte, krime kundër njerëzimit ose luftë agresioni.

Në të vërtetë GJNP që nga viti 2021, kryen hetime kundër disa përgjegjësve në Izrael për krime të mundshme të luftës. Sipas të dhënave të saj, Gjykata po zhvillon hetime me të njëjtën akuzë kundër luftëtarëve të Hamasit. Ka hetime të vazhdueshme edhe për dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.

Në të njëjtën kohë, duhet të merren parasysh edhe zhvillimet e fundit në luftë: ajo luftë filloi pasi militantët islamikë Hamas në Izrael vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen më shumë se 240 pengje më 7 tetor 2023 në Rripin e Gazës.

Hamasi klasifikohet nga shumë shtete perëndimore, ndër to vendet anëtare të BE-së dhe SHBA, si organizatë terroriste.

Udhëheqësi aktual i organizatës terrorite Hamas, Mohammad Diab Ibrahim Al-Masri (i quajtur edhe Mohammed Deif) konsiderohet si njëri prej organizatorëve të sulmit të pashembullt ndaj Izraelit. Fillimisht kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale kishte lëshuar urdhërarreste edhe kundër shefit të Hamasit Jahja Sinwar në Gazë dhe shefit të Hamasit në diasporë Ismail Hanija. Por ndërkohë që të dy janë vrarë, me gjasë nga aksionet izraelite.

Si pasojë e përgjigjes ushtarake të Izraelit ndaj sulmit deri më tani janë vrarë më shumë se 43,000 njerëz, sipas autoriteteve të udhëhequra nga Hamasi në Rripin e Gazës. Ky informacion nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Sipas një raporti të revistës mjekësore “The Lancet” nga korriku 2024 mund “të jenë vrarë deri në 186.000 ose më shumë” si pasojë e dhunës në Gazë.

Kur mundet Gjykata Penale Ndërkombëtare të hetojë qytetarët izraelitë?

Në parim, Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të aktivizohet vetëm nëse shtetet nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të ndjekin penalisht krimet e lartpërmendura në nivel kombëtar. Për momentin, dhe për shkak të luftës në vazhdim, nuk ka gjasa që gjykatat izraelite të jenë në gjendje të nisin procedimet penale kundër kreut të qeverisë, ministrave ose udhëheqjes ushtarake.

Përveç kësaj, gjykatën duhet të njohë ose vendi i autorit të krimeve – Izraeli nuk e njeh këtë gjykatë – ose vendi ku janë kryer krimet e supozuara. Kjo e fundit mund të veprojë, pasi territoret palestineze kanë aderuar në Traktatin për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Përveç Izraelit, Gjykatën Ndërkombëtare Penale nuk e njeh as SHBA-ja, Kina, Rusia dhe India, si dhe gati asnjë vend arab dhe Irani. Nëse asnjë nga zonat e prekura nuk është palë e GJNP-së, vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së me një rezolutë mund të urdhërojë Gjykatën të aktivizohet. Ky ishte, për shembull, rasti kur ishte fjala për Sudanin dhe Libinë.

Çfarë pasojash do të kishte urdhër-arresti për kryeministrin izraelit?

Një urdhër-arresti nuk është gjykim. Para së gjithash, është një shenjë se GJNP-ja i merr mjaft seriozisht akuzat ndaj një personi të dyshimtë. Siç thekson GJNP në faqen e saj të internetit, kjo gjykatë lëshon një urdhër-arresti vetëm nëse gjyqtarët e gjykojnë të nevojshme që personi në fjalë të paraqitet në gjykim. Prania e një personi është e nevojshme në procesin e ICC. Arsye të tjera mund të jenë se gjyqtarët kanë frikë se i akuzuari mund të ndërhyjë në procedurë ose të kryejë krime të reja.

Megjithatë, duke qenë se Gjykata nuk ka forcën e vet policore për të arrestuar të dyshuarit, nuk ka gjasa që anëtarët e qeverisë izraelite të dalin në gjyq në Hagë.

Por urdhër-arresti do të kufizonte rëndë lirinë e lëvizjes së Netanjahut, të ministrit Galant si dhe të udhëheqësit të Hamasit, pasi të 124 vendeve që e njohin GJNP u kërkohet të arrestojnë personat e kërkuar nëse gjenden në territorin e tyre dhe t’i sjellin ata në gjykatë.

Për shembull, Vladimir Putin ka qëndruar larg shumicës së takimeve ndërkombëtare që kur gjykata lëshoi ​​një urdhër-arresti kundër tij për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas në Rusi. Presidenti i Federatës Ruse udhëton vetëm në vendet që nuk e njohin GJNP-në.

Çfarë lidhje ka një urdhër-arrest me akuzat për gjenocid?

Hetimi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk duhet të ngatërrohet me akuzën e gjenocidit që disa vende kanë ngritur kundër Izraelit. Republika e Afrikës së Jugut, ndër të tjera, akuzoi Izraelin përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për numrin e madh të të vdekurve gjatë luftës në Rripin e Gazës. Edhe kjo Gjykatë është në Hagë, por nuk heton individë dhe nuk lëshon urdhër-arreste. Gjykata është përgjegjëse për mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve.

Në fund të janarit të këtij viti, GJND-ja njohu “rrezikun e gjenocidit në Rripin e Gazës”. Megjithatë, kërkesa urgjente e Afrikës së Jugut që Izraeli të ndërpresë të gjitha armiqësitë nuk u pranua. Pas këtij vendimi fillestar, gjyqi i gjenocidit ka të ngjarë të vazhdojë për muaj apo vite.

The post Çfarë pasojash ka urdhër-arresti kundër Netanyahut? appeared first on InfoShqip.com.