Kuvendi hodhi poshtë kërkesën për krijimin e Komisionit Mbikëqyrës për tragjedinë e Koçanit
Pasi nuk u votua pika e vetme e Komisionit për Sistemin Politik për të mbajtur debat mbikëqyrës për qasjen selektive në hetimin e tragjedisë së Koçanit, deputetët e BDI-së, të cilët parashtruan iniciativën, thonë se po shmanget e vërteta. Pas kësaj, në Kuvend ka pasur një debat të shkurtër mes kryetarit të komisionit, Ljupço Prenzov […]


Pasi nuk u votua pika e vetme e Komisionit për Sistemin Politik për të mbajtur debat mbikëqyrës për qasjen selektive në hetimin e tragjedisë së Koçanit, deputetët e BDI-së, të cilët parashtruan iniciativën, thonë se po shmanget e vërteta. Pas kësaj, në Kuvend ka pasur një debat të shkurtër mes kryetarit të komisionit, Ljupço Prenzov dhe deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti , transmeton Portalb.mk.
Nga LSDM thonë se edhe pse iniciativa nuk është dorëzuar nga grupi i tyre parlamentar, asnjëherë në Kuvend nuk ka ndodhur që të mos jepet mundësia për të mbajtur debat mbikëqyrës. VMRO-DPMNE, megjithatë, mbetet në qëndrimin e saj se nëse do të ketë debat, ai duhet të përfshijë të gjitha tragjeditë që kanë ndodhur në vend në vitet e fundit.
Pasi partia politike Levica paraqiti interpelancë dhe LSDM dhe BDI kërkuan dorëheqjen e tij, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, përmes rrjeteve sociale shkruan se BDI, LSDM dhe Levica i kanë bashkuar forcat në mënyrë të sinkronizuar dhe të orkestruar dhe i kanë drejtuar sulmet e tyre ndaj tij.
“Tre parti, të cilat gjoja luftojnë kundër njëra-tjetrës, treguan dje se interesi i tyre i përbashkët është më i fortë se të gjitha dallimet e tyre në dukje. Kjo është arsyeja pse unë nuk i shoh këto sulme si kërcënim, por si një kompliment që drejtësia më në fund arriti tek ata që menduan se do të mbeten përgjithmonë të paprekshëm”, iu përgjigj Toshkovski kritikave të partive opozitare.
Prokuroria Themelore Publike në Koçan dje ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Koçan propozim për caktimin e masës së sigurimit për të dyshuarin e fundit të 19-të, të cilit i është zgjatur hetimi për zjarrin në diskotekën e Koçanit “Pulse”, njoftoi Prokuroria.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.