Cilat janë dy vendet e BE-së me punëtorët më të vjetër?

Berlin, 3 shkurt – Punëtorët në Gjermani po plaken. Gjermania ka fuqinë punëtore më të vjetër në Bashkimin Evropian (BE), dhe pothuajse çdo i katërti i punësuar është mbi 55…

shkurt 4, 2026 - 06:00
 0
Cilat janë dy vendet e BE-së me punëtorët më të vjetër?

Berlin, 3 shkurt – Punëtorët në Gjermani po plaken. Gjermania ka fuqinë punëtore më të vjetër në Bashkimin Evropian (BE), dhe pothuajse çdo i katërti i punësuar është mbi 55 vjeç, sipas të dhënave të publikuara sot nga Zyra Federale e Statistikave (Destatis). Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2024 Gjermania kishte rreth 40,9 milionë të punësuar në grupmoshën 15–64 vjeç, prej të cilëve 9,8 milionë ishin punëtorë të moshës 55–64 vjeç, që përbën një pjesëmarrje prej 24 për qind, transmeton zhurnal.mk.

Arsyet kryesore janë plakja demografike e popullsisë në Gjermani, por edhe fakti që, mesatarisht, qytetarët dalin në pension më vonë se më parë.

Sipas të dhënave të Sigurimit Pensional Gjerman, në vitin 2024 gratë dhe burrat dolën në pension mesatarisht në moshën 64,7 vjeç. Para 20 vitesh, mesatarja ishte 63 vjeç.

Gjatë kësaj periudhe, mosha ligjore e pensionimit u rrit gradualisht, ndërsa modelet e pensionimit të parakohshëm u hoqën, gjë që kontribuoi më tej në rritjen e përqindjes së punëtorëve më të moshuar në tregun gjerman të punës.

Në nivel të Bashkimit Evropian, punëtorët mbi 55 vjeç përbënin rreth një të pestën e të gjithë të punësuarve, ose 20,1 për qind, tregojnë të dhënat e Eurostatit.

Pas Gjermanisë, Italia kishte përqindjen e dytë më të lartë të punëtorëve më të moshuar në BE në vitin 2024, ku personat e moshës 55–64 vjeç përbënin 23 për qind të të punësuarve, ndërsa Bullgaria renditej në vendin e tretë me 22,3 për qind.

Në të kundërt, përqindja më e ulët e punëtorëve më të moshuar u regjistrua në Maltë – 10,8 për qind, në Luksemburg – 12,8 për qind dhe në Poloni – 15,2 për qind, sipas faqes së internetit të Destatis.