Çitaku: Çdo votë është një vendim për të ardhmen e komunës suaj, dilni dhe votoni
Çitaku, në një konferencë për media, tha se këto zgjedhje nuk janë vetëm për një kandidat apo për një parti, por për drejtimin e komunave, për cilësinë e jetës dhe mënyrën e qeverisjes në nivel lokal për katër vitet e ardhshme. “Kandidatët tanë janë më afër qytetarëve, më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për


Çitaku, në një konferencë për media, tha se këto zgjedhje nuk janë vetëm për një kandidat apo për një parti, por për drejtimin e komunave, për cilësinë e jetës dhe mënyrën e qeverisjes në nivel lokal për katër vitet e ardhshme.
“Kandidatët tanë janë më afër qytetarëve, më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për t’u shërbyer me korrektësi dhe përulësi. Çdo votë është një vendim për të ardhmen, dhe sot, është dita që përcakton katër vitet e ardhshme. Le të mbajmë këtë ditë demokratike deri në fund të saj me qetësi, korrektësi dhe respekt ndaj secilit votues”, ka bërë thirrje ajo.
Çitaku tha se raportet nga terreni nga ekipet lokale tregojnë se dalja e qytetarëve në votime po rritet nga ora në orë dhe pritet që pjesëmarrja e tyre të shtohet edhe më shumë në orët e fundit, si zakonisht.
“Kanë kaluar tashmë nëntë orë nga hapja e vendvotimeve, dhe procesi zgjedhor po zhvillohet përgjithësisht qetë dhe pa incidente serioze. Mirënjohje për punën e komisionerëve, vëzhguesve dhe gjithë qytetarëve që po kontribuojnë për një ditë zgjedhore të rregullt, transparente dhe demokratike. Siç e dini, Partia Demokratike e Kosovës garon sot në gjashtë komuna të vendit: Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash. Në secilën prej tyre, qytetarët po e shprehin vullnetin e tyre për punë, për zhvillim dhe për përgjegjësi”, ka shtuar ajo.
Çitaku ka ftuar të gjithë akterët politikë dhe çdo person që mban përgjegjësi publike, që sot të tregojnë maturi dhe përgjegjësi, duke mos kontribuar në asnjë formë në tensionimin e situatave në asnjë komunë të vendit, por përkundrazi, t’u mundësojnë qytetarëve të votojnë lirshëm, qetë dhe në mënyrë plotësisht demokratike.