Çmimet në RMV ose stagnojnë ose rriten, ulja është thjesht iluzion
Deri në fund të kësaj jave duhet të publikohet Shporta e Vitit të Ri. Shifrat zyrtare premtojnë një stabilizim të inflacionit, por qytetarët ankohen se po rritet ngarkesa mbi buxhetin e tyre. Ekspertët ekonomikë dyshojnë për rezultatet e shportave së festave, ndërkohë varfëria rritet, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk. “Një e shkuar në […]
Deri në fund të kësaj jave duhet të publikohet Shporta e Vitit të Ri. Shifrat zyrtare premtojnë një stabilizim të inflacionit, por qytetarët ankohen se po rritet ngarkesa mbi buxhetin e tyre. Ekspertët ekonomikë dyshojnë për rezultatet e shportave së festave, ndërkohë varfëria rritet, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
“Një e shkuar në treg për disa produkte bazë nuk kalon pa një mijë denarë”, ankohet pensionistja Biljana K., të cilën e gjetëm para një marketi në lagjen Karposh të Shkupit.
Historia e saj është vetëm një nga shumë të tillat që i pasqyrojnë sfidat e përditshme të qytetarëve me çmimet e larta në Maqedoninë e Veriut, edhe pse deri në fund të nëntorit ishin në fuqi masat e “shportës vjeshtore“.
Në prag të festave të fundvitit Ministria e Ekonomisë dhe Punës njofton për një Shportë të Vitit të Ri, e cila është planifikuar të përfshijë 600 produkte, që është më shumë se sa përfshinte ajo paraprakja.
Të dhënat zyrtare flasin për një ngadalësim të inflacionit. Qeveria është e mendimit se masat po japin rezultate, por qytetarët dëshmojnë se ngarkesa mbi buxhetin e tyre nuk po zvogëlohet.
“Çmimet vetëm rriten ose mbeten të njëjta. Zvogëlim? Kjo është një përrallë për ne”, shton Biljana.
Jeta çdo ditë më e shtrenjtë
Të dhënat e fundit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) tregojnë se krahasuar me muajin tetor të vitit 2024 shporta minimale e konsumatorit për muajin nëntor është rritur për 772 denarë.
Rritje të çmimeve ka tek disa nga produktet që qytetarët i konsumojnë në baza ditore:
- Domatet janë shtrenjtuar për 40 denarë,
- Krastavecat për 20 denarë,
- Оrizi për 21 denarë,
- Djathi i lopës për 16 denarë,
- Vezët për 10 denarë.
Krahas çmimeve të ushqimit rritje ka edhe tek çmimet e tekstileve, shërbimeve dhe nevojave të tjera themelore, “që na e ndërlikon edhe më shumë jetën”, thotë 60-vjeçari Bojan Rangellov.
“Kudo që të bëj pazar, gjithmonë shpenzoj më shumë”, thotë ai.
Po i këtij mendimi është edhe Risto G., i cili shton se “perimet janë dukshëm më të shtrenjta, ndërsa rritjet e çmimeve të shërbimeve dhe produkteve të tjera ndihen në çdo hap”.
Sipas shportës së LSM-së në mesin e produkteve çmimet e të cilave janë rritur është kosi i cili është më i shtrenjtë për 8 denarë, suxhuku për 18 denarë, karota për 10, qepa për 16, specat për 18, çaji për 20 dhe vaji i ullirit për 8 denarë.
Çmimet e disa produkteve janë ulur: djathi i deles për 46 denarë, një kilogram portokall -35 denarë, mollët për 10, spinaqi për 18, ndërsa sallata jeshile për 6 denarë më pak.
“Uljet e çmimeve janë qesharake”
“Nuk janë problem masat, por tregtarët”, thotë për Radion Evropa e Lirë Marija Zarezankova-Potevska, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik në Shkup.
“Vështirë e mund të kontrollosh tregtarët. Edhe sikur të kishte kontrolle më të mëdha, kjo gjë nuk është e mundur në nivel të gjithë vendit me kaq pak inspektorë tregu”, thotë Zarezankova-Potevska.
“Mendoj se masat e reja nuk do të japin rezultate domethënëse, siç nuk dhanë as deri më tani. “Është qesharake t’i ulësh çmimet me kësi shportash, ndërsa varfëria po rritet”, thotë ajo.
Shpresë në parashikimet zyrtare
E përderisa qytetarët janë në kërkim të mënyrave për t’i përballuar shpenzimet gjithnjë e në rritje, Banka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut siguron se në periudhën e ardhshme inflacioni do të ngadalësohet.
“Vitin e ardhshëm pritet që inflacioni mesatar të zvogëlohet në 2,5 përqind, ndërsa në periudhë më afatgjatë në një mesatare historike prej 2 përqind”, tha zëvendësguvernatorja Ana Mitreska.
Por, për një numër të madh të njerëzve këto janë vetëm statistika. “Realiteti është ndryshe – jeta është gjithnjë e më e shtrenjtë”, thonë qytetarët për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria lëvdohet
Me shportën e re janë përfshirë mbi 600 produkte, autoritetet njoftuan se masa do të jetë në fuqi një muaj, por ministri i ekonomisë dhe punës, Besar Durmishi, tha se më shumë detaje do të publikohen të enjten ose të premten.
Me “shportën e vjeshtës” për ta zbutur rritjen e çmimeve tregtarët me shumicë dhe pakicë duhej të ulnin deri në 10 përqind marzhin për 73 produkte bazë.
Lista përfshinte bukën, makaronat, miellin, produktet e furrës: byrekun dhe petët me mish dhe djathë, qumështin dhe produktet e qumështit, mishin dhe produktet e mishit, disa fruta dhe perime, orizin, fasulet, vajin për gatim dhe disa produkte të konservuara.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës bëri të ditur se shporta e vjeshtës “i ka dhënë rezultatet e pritura”.
Sipas Ministrisë një familje prej katër anëtarësh falë kufizimit të marzheve ka kursyer nga 690 deri në 1.360 denarë në muaj.
Por shifra të tilla nuk janë të mjaftueshme për shumë familje, duke pasur parasysh se sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), shporta minimale e konsumatorit është mbi 62 mijë denarë.
Për një familje e cila paguan qira për një apartament prej 60 metrash katrorë nevojiten 77.369 denarë.
LSM: “Pasurim në kurriz të qytetarëve“
Nga LSM-ja thonë se tashmë janë në bisedime me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës për krijimin e masave të ardhshme, por paralajmërojnë se:
“Tregtarët duhet të tregojnë përgjegjësi sociale ose qeveria të vendosë ndëshkime rigoroze për ata që përfitojnë në kurriz të qytetarëve”.
Shporta minimale e konsumatorit sa i përket pjesës së ushqimit dhe pijeve, një ditë pas përfundimit të masës së Qeverisë sërish është rritur për 609 denarë, ndërsa shporta minimale e konsumatorit për 772 denarë, thonë nga LSM-ja.
Përllogaritjet e sindikatës tregojnë se vlera e shportës minimale që nga muaji janar është rritur për 4.858 denarë.
“Është evidente se dikush po pasurohet në kurrizin e qytetarëve dhe punëtorëve dhe nuk i respekton masat e Qeverisë të cilat krijohen për t’i ndihmuar qytetarët me të ardhura të ulëta”, thonë nga LSM-ja.
Si do vazhdohet më tutje?
Edhe krahas përpjekjeve të qeverisë, qytetarët me të cilët biseduam besojnë se lufta e vërtetë ndaj rritjes së çmimeve kërkon një efikasitet më të madh dhe kontroll më të rreptë ndaj tregtarëve.
Krahas shportës së re, ministri i ekonomisë, Durmishi, njoftoi edhe për ulje të reja të çmimeve në tregje nga muaji nëntor, si rezultat i Ligjit për Praktikat e Padrejta Tregtare që hyri në fuqi një muaj më parë.
Prezantimi i shportave të festave është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për t’u përballur me shpenzimet në rritje për jetesë dhe për të ofruar lehtësim për kategoritë më të cenuara të qytetarëve, shtoi ai.
Por për dallim nga ai opozita e vlerësoi masën si “dështim të madh”, duke theksuar se çmimet në tregje nuk u ulën, por mbetën të njëjta.
Në këtë drejtim LSDM-ja njoftoi se do të dorëzojë një zgjidhje ligjore “për ulje reale të çmimeve”.
Megjithëse të dhënat zyrtare tregojnë shenja të stabilizimit të inflacionit realiteti në terren tregon se shumë qytetarë ende po luftojnë me shpenzimet në rritje për jetesë.
Me prezantimin e masave të reja, si shportat e festave, Qeveria do mundësojë japë lehtësime afatshkurtra, por efekti real do të varet sërish nga konsistenca në zbatimin e tyre dhe përgjegjësia e tregtarëve.