Për përballimin e zjarreve dhe përmbytjeve, RMV-së i duhet urgjentisht Plan kombëtar për përshtatje

Maqedonia, si një vend që nuk ka mjete financiare për t’u përballur me përmbytjet dhe zjarret, duhet urgjentisht të zhvillojë një Plan kombëtar për përshtatje që do të ndihmojë në organizimin dhe koordinimin e masave për t’u përballur me këto kërcënime dhe pasojat afatgjata të ndryshimeve klimatike, është ky mesazhi nga organizatat e shoqërisë civile, […]

dhjetor 3, 2024 - 08:00
 0  6
Për përballimin e zjarreve dhe përmbytjeve, RMV-së i duhet urgjentisht Plan kombëtar për përshtatje
Zjarri mbi fshatin Sellcë, Foto: Parku Kombëtar "Mali Sharr"

Maqedonia, si një vend që nuk ka mjete financiare për t’u përballur me përmbytjet dhe zjarret, duhet urgjentisht të zhvillojë një Plan kombëtar për përshtatje që do të ndihmojë në organizimin dhe koordinimin e masave për t’u përballur me këto kërcënime dhe pasojat afatgjata të ndryshimeve klimatike, është ky mesazhi nga organizatat e shoqërisë civile, anëtarë të Koalicionit Kombëtar të Klimës, transmeton Portalb.mk.

Ambientalistët, në takimin e fundit vjetor, theksuan nevojën për komunikim dhe koordinim më të mirë ndërmjet ministrive dhe institucioneve përgjegjëse në nivel kombëtar dhe vendor në raste të tilla, dhe për forcimin e komuniteteve lokale dhe organizatave qytetare lokale si një mënyrë për të forcuar dhe përmirësuar vendimmarrjen dhe zbatimin e masave në nivel lokal.

Organizatat e shoqërisë civile besojnë se vendet më pak të zhvilluara duhet të marrin më shumë fonde për të përballuar sfidat e një bote të prekur nga ndryshimet klimatike.

“Ku do të drejtohen financat në dekadat e ardhshme në një botë me stuhi të shpeshta katastrofike, përmbytje dhe thatësira që po bëhen gjithnjë e më të vështira për të jetuar dhe punuar? COP 29 përfundoi me vendime jo të plota dhe të paqarta dhe pa diskutime për çështje kyçe. Është e nevojshme të mobilizohen më shumë burime financiare nga vendet e zhvilluara dhe të drejtohen në fondin e adaptimit në mënyrë që vendet më pak të zhvilluara që pësojnë më shumë dëme dhe humbje nga pasojat e ndryshimeve klimatike, të mund të përshtaten shpejt dhe t’i zvogëlojnë këto humbje dhe dëme”, tha Elena nikollovska , koordinatore e programit klimatik në Eko-svest.

Kujtojmë se në raportin e Bankës Botërore me titull “Raporti i klimës dhe zhvillimit të vendit” thuhet se Maqedonia e Veriut është vatër për rreziqe të ndryshme klimatike dhe natyrore, si përmbytjet dhe rritja e rrezikut për zjarre në pyje. Për më tepër, ndryshimet klimatike përkeqësojnë qasjen në ujë të pastër, duke rritur mundësitë për sëmundje të transmetuara përmes ujit. Ngjarjet ekstreme klimatike kanë shkaktuar humbje të mëdha ekonomike në të kaluarën, me një total prej rreth 667 milionë dollarë gjatë 20 viteve të fundit. Përmbytjet e vitit 2015, për shembull, sollën 7 viktima dhe prekën mbi 100,000 banorë, duke shkaktuar dëme prej 107.4 milionë dollarësh.

Edhe raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar i publikuar më 26 janar të këtij viti ka shfaqur të dhëna shqetësuese për Maqedoninë e Veriut. Parashikimet janë të frikshme. Sipas raportit, Maqedonia e Veriut është e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore që paraqesin rreziqe thelbësore për sigurinë publike dhe infrastrukturën publike. Përmbytjet dhe zjarret, edhe në këtë raport, parashikohen të bëhen më të shpeshta dhe ekstreme pasi ndryshimet klimatike ndryshojnë temperaturat dhe modelet klimatike.

FMN parashikon se çdo dhjetëvjeçar të ardhshëm Maqedonia e Veriut mund të përballet me përmbytje potencialisht kërcënuese për jetën e njerëzve.