Deklarata nga samiti në Bruksel: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE
Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor u takuan më 18 dhjetor në Bruksel në një samit ku, përmes një deklarate përfundimtare, u pajtuan për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe ku vendeve të rajonit iu kërkua t’i zgjidhin mospajtimet. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Ne rikonfirmojmë edhe një […]
Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor u takuan më 18 dhjetor në Bruksel në një samit ku, përmes një deklarate përfundimtare, u pajtuan për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe ku vendeve të rajonit iu kërkua t’i zgjidhin mospajtimet.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Ne rikonfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet”, thuhet në deklaratë.
BE-ja mirëpret vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t’u përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimin e ritheksuar ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, thuhet tutje në deklaratë.
Duke folur pas samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se komisioni do të vazhdojë me integrimin gradual të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.
Kosovës dhe Serbisë i kërkohet t’i zbatojnë marrëveshjet
Vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor iu kërkua që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete sikur edhe me fqinjët në BE, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.
“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën, për një kohë tepër të gjatë e kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë mbeten kyç”, thuhet në këtë dokument.
Në veçanti, Kosovës dhe Serbisë i është kërkuar që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.
“Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, theksohet në tekstin e deklaratës.
Çfarë u tha para samitit?
Duke folur pas mbërritjes të mërkurën në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kritikoi Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.
Osmani tha se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”.
Por, Ursula von der Leyen tha se BE-ja e mbështet edhe Kosovën, përfshirë edhe heqjen e masave dhe nisjen e procedurave për dhënien e statusit të kandidatit, por për këtë duhet tejkaluar problemet që ekzistojnë “për shkak se vendimet në BE merren me konsensus”.
“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me një qëndrim. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet pajtueshmëri nga vendet anëtare, të cilën tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim sepse, gjithsesi, është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë“, tha von der Leyen.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqytuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Duke folur për çështjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, Osmani tha para takimit se ato, pos që janë të “padrejta”, janë edhe “joevropiane” sepse, siç u shpreh, “po e dënojnë një popull me 1.7 milionë banorë, i cili është populli më proevropian në rruzullin tokësorë, me mbi 97 për qind të qytetarëve të saj që mbështesin procesin e integrimit në BE”.
Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.
Ndërkohë, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, tha para fillimit të samitit se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe se gjeografikisht i përket Evropës.
“Është e qartë se Komisioni Evropian, së bashku me mua, dëshiron me të vërtetë të shohë përparim në procesin e zgjerimit gjatë pesë vjetëve të ardhshme të mandatit tim. Jemi të gatshëm të punojmë për këtë”, tha Kalas.
Të pranishëm në samit nga Ballkani ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.
Pos shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit, pastaj presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas./REL