Deponia ilegale në Nikushtak mbi dy dekada helmon qytetarët, shkilen premtimet për pastrimin e saj

Për më shumë se dy dekada, nuk ka zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Banorët i kanë humbur shpresat se ky problem do të zgjidhet përderisa mbeten të shqetësuar për shëndetin e tyre. Komuna e Likovës arsyetohet se pastrimi i deponisë së egër bëhet rregullisht dhe se “shumë shpejtë […]

qershor 21, 2024 - 22:01
 0  5
Deponia ilegale në Nikushtak mbi dy dekada helmon qytetarët, shkilen premtimet për pastrimin e saj
Pamje nga deponia në fshatin Nikushtakë. Foto nga Portalb.mk

Për më shumë se dy dekada, nuk ka zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Banorët i kanë humbur shpresat se ky problem do të zgjidhet përderisa mbeten të shqetësuar për shëndetin e tyre. Komuna e Likovës arsyetohet se pastrimi i deponisë së egër bëhet rregullisht dhe se “shumë shpejtë do ta rrethojnë deponinë” gjë që është thënë që nga viti 2017, shkruan Portalb.mk.

Ndërmarrja Publike Komunale e Komunës së Likovës “Pisha” që nga viti 1997 me vendim të këshillit komunal, i hedh mbeturinat e fshatrave Nikushtak, Orllancë dhe Grushinë në një deponi të egër dhe pa asnjë standard. Deponia e katandisur në atë gjendje, shihet si sëmundje e pashërrueshme nga banorët e kësaj rrethine. Ajo sjell një sërë problemesh të mjedisit dhe shëndetit për banorët duke filluar me ndotjen e ajrit me erën e saj të keqe, ndotjen e tokës si dhe mundësinë për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.

Portalb kapi në flagrancë madje dhe Ndërmarrjen Publike të Kumanovës duke hedhë mbeturina

Duke inspektuar terrenin te deponia në Nikushtak, takuam punonjës nga ndërmarrja publike Kumanovë “Pastrimi dhe Gjelbërimi” të cilit zbraznin kamionat në deponinë në Nikushtak, edhe pse atyre nuk iu takon të hedhin aty mbeturinat.

Një nga punonjësit e ndërmarjes publike “Pastrimi dhe Gjelbërimi” Kumanovë me të cilët biseduam na tha se vetëm të mërkurën (19.06.2024) i kanë hedhur mbeturinat në deponinë e fshatit Nikushtak, pasi ata kanë problem me deponinë “Krasta” e cila me datë 17.06.2024 është kapluar nga zjarri, dhe për këtë arsye siç tha, mbeturinat i kanë hedhur në deponinë e fshatit Nikushtakë, dhe se për këtë është e informuar edhe Komuna e Likovës.

Kamionë të ndërmarrjes "Gjelbrimi dhe Pastërtimi" Kumanovë gjatë hudhjes së mbeturinave në deponinë Nikushtakë. Foto nga Portalb.mk.
Kamionë të ndërmarrjes “Gjelbrimi dhe Pastërtimi” Kumanovë gjatë hudhjes së mbeturinave në deponinë Nikushtakë. Foto nga Portalb.mk. 

Portalb.mk kontaktoi Ndërmarrjen Publike Komunale “Pisha” të Komunës së Likovës, i pyetëm se a janë në dijeni për hedhjen e mbeturinave nga ndërmarrja publike “Pastrimi dhe Gjelbërimi” Kumanovë, në deponinë e fshatit Nikushtakë, por përgjigje nga ato nuk morëm.

Po ashtu, pyetëm në të dy komunat, Likovës dhe Kumanovës pse po hidhet mbeturina edhe nga Kumanova, por përgjigje nuk kanë kthyer asnjëra.

Qytetarët janë lodhur, “zero rezultat”

Portalb.mk bisedoi me banorët e fshatit Nikushtak, ata ndihen të lodhur me këtë problem të pazgjidhur me vite e vite.

Qytetarët shprehen se pamjet janë shumë të këqija kur bëhet djegia e mbeturinave pasi bëhet tym i madh dhe i njëjti bartet nëpër fshatrat për rreth, vjen gjithashtu erë shumë e keqe.

“Deponia në fshatin Nikushtakë është një sëmundje për popullin tonë, në mes të tre fshatrave të bëhet hedhja e mbeturinave, kjo nuk është normale. Mirëpo kjo ndodhë vetëm në vendin tonë. Këtu hedhin mbeturina edhe banorë nga fshatrat tjerë, por ne nuk mund të ndërmarrim diçka sepse ajo deponi ju takon të gjithëve. Shumë herë kemi bërë apel deri te kompetentët, por rezultati është zero”, tha një banor i Nikushtakut.

Një banor tjetër thekson se para shumë viteve kanë filluar të hedhin mbeturina në këtë vend, e cila më pas u shndërrua në deponi.

“Sa e mbajë mend unë prej vitit 2002/2003 kanë filluar me hedhjen e mbeturinave në këtë deponi. Janë munduar edhe komuna e Likovës të bëjnë zgjidhje, por për fat të keq qe sa vite nuk kanë ende zgjidhje. Shpresojmë në të ardhmen të bëhet diçka me këtë deponi, është më mirë ta heqin, se me të vërtetë hedhja e mbeturinave na dëmton shumë, dhe për shëndetin tonë nuk është aspak mirë, jo vetëm për banorët e fshatin tonë por edhe për banorët e fshatrave për rreth, duhet të gjejnë zgjidhje”, tha një banor tjetër.

Arsyetohet Komuna e Likovës

Komuna e Likovës thekson se pastrimi i deponisë bëhet rregullisht nga ndërmarrja komunale, por ata fajin tani ja hedhin edhe kohës së nxehtë dhe hedhjes së mbeturinave edhe nga qytetarët e pandërgjegjshëm dhe kompanive të ndryshme.

“Urojmë që sa më shpejtë t’ua bëjmë dhe rrethojën aty në atë mënyrë që vetëm ndërmarrja komunale ka të drejtë hedhjeje dhe ta mirëmbajë atë”, thanë nga Komuna e Likovës.

Nga Komuna e Likovës sqarojnë se Qeveria e RMV-së përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është në procedurë të përzgjedhjes së operatorit ekonomik, i cili ka për obligim që këtë deponi pjesërisht ta mbyllë.

“Një pjesë tjetër të mbetet vetëm si pikë për grumbullim, ngarkim të mbeturinave deri te deponia regjionale që do të ndërtohet, e cila ende është në procedurë deri sa të formohet deponia e përbashkët regjionale”, thonë nga Komuna e Likovës.

Në lidhje me këtë problem sqarim kërkuam edhe nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, por përgjigje nuk morëm.

Premtim i parealizuar

Sa për rikujtim, kryetari aktual i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, qysh në mandatin e tij të parë premtoi se brenda gjashtë muajve do ta rrethojë me mur deponinë në fjalë.

Nga viti 2020 e deri më sot, pastrimi i deponive komunale të egra dhe deponive të plehrave në rajonet planore Lindore dhe Verilindore vonohet vazhdimisht. Ky premtim i dhënë në Programin e Punës së Qeverisë së RMV-së për periudhën 2020-2024 nuk është realizuar. Në Programin e Punës së Qeverisë së RMV-së për periudhën 2020-2024, në faqen 43, thuhet se pushteti qendror do të zbatojë aktivitetet për një sistem të integruar dhe financiarisht të qëndrueshëm për menaxhimin rajonal të mbeturinave të ngurta në rajonet Lindore dhe Verilindore, ndërsa ndër aktivitetet e premtuara është edhe mbyllja e deponive në komunat e këtyre dy rajoneve. Kanë kaluar 4 vite nga ky premtim, ndërsa në disa rajone ende nuk ka mbaruar procedura e përzgjedhjes së operatorit ekonomik për pastrim të këtyre deponive.

Në vitin 2013 kryetari i atëhershëm i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, si zgjidhje pati premtuar një deponi rajonale në rajonin e Kumanovës.

Në maj të vitit 2021 projektin e njëjtë e promovoi edhe kryetari i komunës, Erkan Arifi.