Dyshime nga BBC: transaksione të pazakonta para deklaratave të Trumpit, fitime milionëshe nga biznesmenë “të privilegjuar”
Një analizë e BBC ka zbuluar një model të dyshimtë në tregjet financiare gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan, ku lëvizje të mëdha tregtare ndodhnin pak minuta apo orë para deklaratave të tij që ndikuan fuqishëm në çmimet e naftës, bursat dhe tregjet e parashikimeve. Sipas raportit, në disa raste tregtarë të caktuar kanë […]
Një analizë e BBC ka zbuluar një model të dyshimtë në tregjet financiare gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan, ku lëvizje të mëdha tregtare ndodhnin pak minuta apo orë para deklaratave të tij që ndikuan fuqishëm në çmimet e naftës, bursat dhe tregjet e parashikimeve.
Sipas raportit, në disa raste tregtarë të caktuar kanë investuar shuma të mëdha pak para njoftimeve kyçe, duke realizuar fitime milionëshe, çka ka ngritur dyshime për përdorim të informacionit të privilegjuar.
Rastet më të theksuara:
* Mars 2026 – “Lufta pothuajse ka mbaruar”
Para se Trump të deklaronte se konflikti ishte drejt fundit, tregtarët nisën të pozicionohen për rënie të çmimit të naftës rreth 47 minuta më herët. Pas deklaratës, çmimi ra rreth 25%, duke sjellë fitime të mëdha për ata që kishin vepruar paraprakisht.
* Mars 2026 – “Zgjidhje përfundimtare” me Iranin
Vetëm minuta para një postimi të Trump për përparim në negociata, u shfaq një rritje e pazakontë e investimeve që parashikonin rënien e naftës. Pas publikimit, çmimi ra rreth 11%, ndërsa bursat u rritën.
* Prill 2025 – Pauza e tarifave (“Dita e çlirimit”)
Pak para njoftimit për pezullimin e tarifave, investimet në tregun amerikan u rritën ndjeshëm. Indeksi S&P 500 u rrit 9.5% brenda një dite, ndërsa disa investitorë fituan deri në 20 milionë dollarë.
* Janar–Shkurt 2026 – Tregjet e parashikimeve
Në platformat Polymarket dhe Kalshi, përdorues anonimë parashikuan me saktësi zhvillime si arrestimi i Nicolás Maduro dhe një sulm amerikan ndaj Iranit, duke fituar qindra mijëra deri në mbi 1 milion dollarë. Disa llogari u mbyllën menjëherë pas fitimeve.
Reagimet dhe dilemat ligjore
Këto zhvillime kanë nxitur thirrje për hetime nga autoritetet amerikane si SEC dhe CFTC, ndërsa nga Shtëpia e Bardhë janë hedhur poshtë akuzat si të pabazuara.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se raste të tilla janë shumë të vështira për t’u provuar, pasi kërkohet identifikimi i burimit të informacionit të brendshëm. Deri më tani, nuk është konfirmuar asnjë hetim zyrtar.
Në përfundim, edhe pse të dhënat sugjerojnë një model të përsëritur që ngjall dyshime për “insider trading”, mungesa e provave konkrete bën që këto raste të mbeten pa pasoja ligjore.(INA)