Edhe ambasadat në “Paradën e Krenarisë” mbështesin komunitetin LGBTIQ+
Sot në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë” në të cilën morën pjesë edhe figura të larta politike në Kosovë e përfaqësues ndërkombëtarë. Në mbështetje të komunitetit LGBTIQ+ dolën edhe nga ambasada e ShBA-së në Kosovë, ajo e Italisë, Gjermanisë, Francës, Zyra e BE-së në Kosovë e nga EULEX-i. Ambasada amerikane i ka falënderuar të […]
Sot në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë” në të cilën morën pjesë edhe figura të larta politike në Kosovë e përfaqësues ndërkombëtarë.
Në mbështetje të komunitetit LGBTIQ+ dolën edhe nga ambasada e ShBA-së në Kosovë, ajo e Italisë, Gjermanisë, Francës, Zyra e BE-së në Kosovë e nga EULEX-i.
Ambasada amerikane i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në “Paradën e Krenarisë” për mbështetjen ndaj komunitetit LGBTIQ+.
“Faleminderit të gjithëve që u bashkuan në mbështetje të të drejtave të LGBTIQ+ në Kosovë dhe në mbarë botën”, thuhet në reagimin e ambasadës së ShBA-së, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në llogarinë e tij në “X”, shpërnadu disa fotografi ku tha se “Gjermania ju do juve ashtu siç jeni”, teksa edhe i uroi pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+ për paradën.
Ngjashëm veproi edhe ambasadori francez, Olivier Guerot, i cili me homologët e tij nga vendet e tjera mbanin në dorë një baner me mbishkrimin “diplomatët për barazi”
Kurse, ambasada e Italisë në Kosovë u shpreh e lumtur me pjesëmarrjen në “Paradën e Krenarisë” në Prishtinë, për t’ia treguar, siç thanë, mbështetjen e Italisë dhe Bashkimit Evropian për komunitetin LGBTIQ+ në Kosovë.
“Ne përfytyrojmë shoqëri ku personave LGBTIQ+ u garantohet barazia në shtëpi, në punë dhe kudo tjetër”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane.
E, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se me krenari marshuan sot në “Paradën e Krenarisë” në Prishtinë, për të treguar mbështetjen e BE-së për komunitetin LGBTIQ+ në Kosovë.
“Barazia dhe të drejtat e njeriut janë vlera themelore të BE-së, dhe barazia për të gjithë do të thotë barazi për të gjithë”, tha Szunyog, transmeton Klankosova.tv.
Në paradën e sotme morën pjesë edhe përfaqësues nga EULEX-i, të cilët në reagimin e tyre thanë se “barazia dhe të drejtat e njeriut janë vlera themelore të BE-së”.
Pjesë e “Paradës së Krenarisë” ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave të tij.