Pas shumë vonesave u lëshua në funksion ‘Rruga e Butiqeve’ në Tetovë me kalldrëm të marrë nga rrugë të tjera, ndalohet qarkullimi i veturave gjatë ditës

Pas disa zvarritjeve dhe shtyrjeve të afateve, ka përfunduar rikonstruimi i Rrugës së Butiqieve (Radovan Coniq) në Tetovë, raporton Portalb.mk. Kjo rrugë edhe pse duhej të përfundonte në muajin tetor, e njëjta u lëshua në funksion zyrtarisht sot. Në këtë rrugë tani më nuk lejohet të kalojnë veturat, por vetëm këmbësorët. Rruga do të ketë […]

dhjetor 6, 2024 - 15:00
 0  4
Pas shumë vonesave u lëshua në funksion ‘Rruga e Butiqeve’ në Tetovë me kalldrëm të marrë nga rrugë të tjera, ndalohet qarkullimi i veturave gjatë ditës
Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelilii/Portalb.m

Pas disa zvarritjeve dhe shtyrjeve të afateve, ka përfunduar rikonstruimi i Rrugës së Butiqieve (Radovan Coniq) në Tetovë, raporton Portalb.mk. Kjo rrugë edhe pse duhej të përfundonte në muajin tetor, e njëjta u lëshua në funksion zyrtarisht sot. Në këtë rrugë tani më nuk lejohet të kalojnë veturat, por vetëm këmbësorët.

Rruga do të ketë regjim të posaçëm të komunikacionit, gjatë ditës do të ndalohet lëvizja e veturave, por datat definitive do të caktohen javën që vjen. Gjatë ditës do të lejohet të kalojnë vetëm veturat e policisë, zjarrfikësve dhe ndihmës së shpejtë.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se ky projekt është i rëndësishëm më shumë nga aspekti i rikthimit të identitetit të qytetit se sa nga aspekti infraatrukturor.

“Në gjithë periudhën e kaluar, gati 30 vjeçare, qyteti jonë u shpërfytyrua nga të gjitha aspektet urbanistike dhe një nga ata ishte edhe humbja e vlerave të trashëgimisë tonë dhe të kaluarës tonë të lavdishme të këtij qyteti”, tha Kasami.

Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelilii/Portalb.m
Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelilii/Portalb.m.mk

Megjithatë edhe pse kjo rrugë u shtrua me kalldërma, të njëjtat janë larguar nga disa rrugë të tjera në qytet të cilat kanë mbetur me gropa dhe në baltë.

Një qytetare e Çarshisë së Epërme për Portalb.mk tha se komuna i ka marrë kalldërmat që banorët i kanë blerë vetë dhe i kanë vendosur te Rruga e Butiqeve.

“Te rruga 185 dhe 156 në Çarshinë e Epërme, ja si e kanë lënë rrugën na i morën kalldërmat edhe i kanë vendosur te Rruga e Butiqeve”, tha ajo.

Kështu duket kjo pjesë ku janë larguar kalldërmat.

I pyetur për këtë shqetësim të qytetarëve, Kasami tha:

“Tash nuk e di cilët banorë, me kërkesë të banorëve janë larguar kalldërmat dhe ajo pjesë është në programin e asfaltimit të atyre rrugëve për vitin 2025. Tash jemi në kushte dimri, e dimë se në këto kushte nuk mundet të asfaltohen, janë në programin 2025 dhe do jenë me prioritet ndër rrugët e para që do asfaltohen”

Pak ditë para se kjo rrugë të lëshohej në përdorim, qytetarë të pandërgjegjshëm prenë drunjtë e mbjella përgjatë kësaj rruge.

Punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve, me një gjatësi prej rreth 420 metrash, fillimisht u shtynë për shkak të nevojës për miratimin e një shtese buxhetore, pasi kostoja e projektit doli më e lartë se sa ishte parashikuar.

Rruga duhej të përfundonte në korrik të këtij viti, por punimet u shtynë me kërkesë të bizneseve që operojnë në këtë rrugë për shkak të sezonit veror ku ata kanë më shumë punë.

Më pas punimet filluan në muajin gusht 2024, ku u tha se duhej të përfundonin në muajin tetor 2024 por që as kjo nuk u bë në këtë afat.

Rikonstruimi i Rrugës së Butiqeve u bë përmes bashkëfinancimit të projektit të IPA programit ndërkufitar me Kosovën 2014-2020 “Ringjallje e zejeve dhe ndërtim të kulturës për zhvillim të përbashkët turistik”, ku është i kyçur edhe Prizreni.

Marrëveshja për rikonstruimin e kësaj rruge u nënshkrua me 30 nëntor 2022 nga kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe ish-ministrit të Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov.

Me këtë projekt pritet që të ruhet identiteti dhe autenticiteti i Rrugës së Butiqeve apo i Çarshisë së Epërme.

Kjo rrugë në të kaluarën ishte shumë e njohur dhe e frekuentuar nga qytetarët për artizanalet megjithatë sot bizneset që ndodhen aty nuk kanë punë sikur para disa viteve.