Filipçe: Do t’u përgjigjemi të gjitha nismave që çojnë në identifikimin e shkaqeve, kjo tragjedi nuk duhet të na ndajë

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se partia mbetet e përkushtuar për zbulimin e së vërtetës dhe sigurimin e drejtësisë pas ngjarjes tragjike në Koçan që tronditi vendin, transmeton Portalb.mk. “Ne jemi parti e përgjegjshme dhe shtetformuese.  Do t’u përgjigjemi të gjitha nismave që çojnë në identifikimin e shkaqeve. Në të njëjtën kohë, ne si […]

Mars 17, 2025 - 18:00
 0  4
Filipçe: Do t’u përgjigjemi të gjitha nismave që çojnë në identifikimin e shkaqeve, kjo tragjedi nuk duhet të na ndajë
Foto: Venko Filipçe (profili në Facebook)

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se partia mbetet e përkushtuar për zbulimin e së vërtetës dhe sigurimin e drejtësisë pas ngjarjes tragjike në Koçan që tronditi vendin, transmeton Portalb.mk.

“Ne jemi parti e përgjegjshme dhe shtetformuese.  Do t’u përgjigjemi të gjitha nismave që çojnë në identifikimin e shkaqeve. Në të njëjtën kohë, ne si parti ofrojmë të gjithë kapacitetin tonë njerëzor dhe intelektual për të ndihmuar në këtë proces”, tha Filipçe.

Ai theksoi se ky është një moment kur shoqëria duhet të jetë e bashkuar dhe se çdo akt i përgjegjësisë morale do të mirëpritet.

“Tani nuk është koha për ndarje. Duhet të tregojmë besim te parimet, te drejtësia dhe te institucionet. Kushdo që mban përgjegjësi duhet të përballet me pasojat dhe çdo akt i përgjegjësisë morale është i mirëseardhur”, tha Filipçe.

Gjithashtu, ai u bëri thirrje shërbimeve të sigurisë që të monitorojnë me kujdes situatën dhe të parandalojnë përpjekjet e mundshme për thellimin e krizës.

“Shoqëria jonë multikulturore dhe multietnike nuk duhet të jetë viktimë e pasigurisë dhe tensioneve. Institucionet duhet të monitorojnë me vigjilencë dhe të parandalojnë çdo destabilizim të mundshëm,” paralajmëroi Filipçe.

Në përfundim ai theksoi se tragjeditë mund të shkatërrojnë, por edhe të forcojnë një shoqëri.

“Nga ne varet se si do të dalim nga kjo tragjedi – si një vend që mësoi një mësim dhe solli drejtësi apo si një shoqëri që lejoi që kjo të harrohet. Lavdi e përjetshme të ndjerëve. Populli maqedonas nuk do ta harrojë këtë tragjedi dhe është përgjegjësia jonë që të sigurojmë që ajo të mos ndodhë më kurrë”, përfundoi Filipçe.

Më 16 mars, zjarri në diskotekën e Koçanit mori jetën e 59 të rinjve ndërsa la të plagosur mbi 150 të tjerë.

Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ka rënë në orët e para të mëngjesit të 16 marsit. 

Arsyet e zjarrit janë përdorimi i mjeteve piroteknike të cilat u përdorën gjatë koncertit të grupit “DNK”, ku më pas ata kapluan tavanin dhe u shpërndanë në mënyrë të pakontrolluar. 

Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë. 

Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë. 

Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës.