Mickoski me mesazh BDI-së: Për veshi do t’i nxjerrim nga shtëpia të gjithë që kanë punuar në mënyrë kriminele

Nëse mendojnë se do të përpiqen të luajnë në kartën etnike dhe me politikanllëkun që u përpoqën dje me ato konferenca për shtyp të mesnatës, do t’i nxjerrim për veshë nga shtëpia. Duhet ta dinë këtë, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e tij për media duke folur për tragjedinë e zjarit në Koçan, […]

Mars 17, 2025 - 18:00
 0  4
Mickoski me mesazh BDI-së: Për veshi do t’i nxjerrim nga shtëpia të gjithë që kanë punuar në mënyrë kriminele
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Nëse mendojnë se do të përpiqen të luajnë në kartën etnike dhe me politikanllëkun që u përpoqën dje me ato konferenca për shtyp të mesnatës, do t’i nxjerrim për veshë nga shtëpia. Duhet ta dinë këtë, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e tij për media duke folur për tragjedinë e zjarit në Koçan, transmeton Portalb.mk.

Deklarata e Mickoskit vjen pasi zëvendëskryetari dhe zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, në një konferencë për shtyp para stacionit policor “Karposh” mbrëmë e akuzoi pushtetin aktual se në vend të bashkimit dhe solidaritetit, ka treguar politikanllëk, duke ndërtuar nëpërmjet mediave të tij një narrativë se BDI-ja është fajtore për gjithçka.

“Është e qartë se dikush nuk e ka bërë punën e vet dhe tani po përpiqet nën kinse njëfarë politizimi ta fshehë punën kriminale që ka bërë gjatë viteve të kaluara sa ka drejtuar atë institucion”, tha Mickoski në përgjigje të një pyetjeje gazetari.

Sipas Mickoskit, ajo që ka ndodhur është më shumë se krim dhe se “kjo është vrasje masive që dikush e ka lejuar të ndodhë për para, për mito, për korrupsion”.

“T’u përgjigjem atyre që bëjnë konferenca për shtyp në mesnatë, këtu nuk ka politikë, do të përgjigjeni të gjithë ju që guxuat të bëni politikë mbi kurrizin e qytetarëve dhe mbi jetët që këta fëmijë i humbën. Nuk do të ketë mëshirë, do t’i nxjerrim nga shtëpia. Nëse mendojnë se do të përpiqen të luajnë me kartën etnike dhe me politikanllëkun që u përpoqën dje me ato konferenca për shtyp të mesnatës, do t’i nxjerrim për veshi nga shtëpia. Duhet ta dinë këtë”, tha Mickoski.

I pyetur nëse përveç kryetarit të Komunës së Koçanit që sot dha dorëheqje, do të ketë edhe funksionarë të tjerë që vijnë nga partia e tij, Mickoski tha se ai do ta marrë të gjithë përgjegjësinë “nëse unë jam problemi në këtë shtet”.

“Ja, unë e pranoj të gjithë përgjegjësinë mbi mua, nëse unë jam problemi në këtë shtet, nëse kjo është dëshira e individëve. Por nuk do ta kenë atë kënaqësi tani derisa t’i mposhtim të gjithë ata që në mënyrë kriminale bënë atë që bënë, dhe pastaj do të shkojmë në zgjedhje dhe qytetarët do të thonë kush duhet të mbajë përgjegjësi dhe kush duhet të përfundojë në burg”, shtoi Mickoski.

Sipas tij, 12 licenca për kabare janë lëshuar për vitin 2024.

“Vetëm 12 kanë licenca, e prej tyre nuk e dimë se sa janë të vlefshme, sepse supozoj se disave ju ka skaduar afati, sepse janë të vlefshme për 1 vit”, tha Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes se a ka informacione se sa licenca të tilla ka në shtet.

Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.

Sot, 17 mars, Prokuroria Publike ka njoftuar se janë duke vazhduar seancat për caktimin e paraburgimit për personat e dyshuar për zjarrin në diskotekën e Koçanit.

Deri në këto momente 11 persona kanë përfunduar në paraburgim 48 orësh, mbi 20 persona janë të dyshuar, për dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm, informoi sot me 17 mars, ministri i mbrendshëm Pançe Toshkovski.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish drejtori për Menaxhim  me kriza, Bekim Maksuti dhe ish sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskitha se disa nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarje penale juridike kanë vdekur, disa janë në spital.