Filloi ndërtimi i autostradës Tetovë-Gostivar, Mickoski dhe Mexhiti: Korridori 8 është arterie evropiane
Sot u bë vendosja e gurthemelit për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar. Me këtë rast kryeministri dhe zëvendëskryeministri i parë, Hristijan Mickoski dhe Izet Mexhiti thanë se, kjo nuk është vetëm rrugë, por një arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi që, që sjell Evropën në Ballkan dhe Ballkanin në Evropë, transmeton Portalb.mk. “Po […]


Sot u bë vendosja e gurthemelit për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar. Me këtë rast kryeministri dhe zëvendëskryeministri i parë, Hristijan Mickoski dhe Izet Mexhiti thanë se, kjo nuk është vetëm rrugë, por një arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi që, që sjell Evropën në Ballkan dhe Ballkanin në Evropë, transmeton Portalb.mk.
“Po ndërtojmë rrugë për popullin tanë. Korridori 8 është më shumë se një rrugë. Është arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi, e lidh zemrën e Ballkanit. Vendimi ynë strategjik është i qartë: Maqedonia përfundon seksionin e saj dhe e sjell Evropën në Ballkan, dhe Ballkanin në Evropë. Me fillimin e kësaj autostrade, ne po shndërrojmë rajonin e Pollogut në udhëkryq të mundësive dhe investimeve, vendeve të punës, po shkurtojmë rrugën midis Shkupit, Ohrit dhe Strugës dhe po afrojmë kufirin në Qafë Thanë me çdo shtëpi tonën dhe çdo ide biznesi që pret treg. Po krijojmë mundësi që t’i kthejmë fëmijët në shtëpi”, tha Mexhiti.
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski tha se sot po fillojnë një nga projektet kryesore të infrastrukturës – ndërtimin e autostradës së re Tetovë-Gostivar, me gjatësi 18 kilometra.
“Gjëja e parë është se si një vend që për fat të keq nuk ka qasje në det, sa herë që bisedonim brenda qeverisë, ishte një sfidë për ne të zbulonim se cili ishte avantazhi ynë strategjik në raport me të gjitha ato vende në rajon, por jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë në përgjithësi, dhe pastaj të gjithë shumë thjesht arritëm në një përfundim së bashku, dhe ky është se si vend jemi ndoshta të vetmit që kemi potencialin të jemi pjesë e korridoreve pan-evropiane. I pari është ai që po trajtojmë sot, që është Korridori 8, i dyti është Korridori 10. Korridori 8 që lidh Detin Jon dhe Adriatik me Detin e Zi, Korridori 10 që lidh Mesdheun me Evropën Qendrore në këtë pjesë të Evropës, por edhe Korridori 11 që kalon nëpër fqinjësinë tonë lindore”, tha Mickoski.
Projekti i ndërtimit të autostradës së re Tetovë–Gostivar do të kushtojë 90 milionë euro.
Në këtë ngjarje ishin pjesëmarrës edhe ambasadorja e SHBA-së Angela Aggeler dhe politikanët nga koalicioni VLEN si dhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndryshe, në qershor të vitit 2024, shpronësimi i tokave ka shfaqur revoltë te banorët, pronarë të tokave ku do të realizohet ndërtimi i dy autostradave në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht Koridoreve 8 dhe 10 nga kompania “Bechtel&Enka”.
Të njëjtit kanë dalë disa herë në protesta duke bllokuar rrugët, për shkak të çmimit të ulët vlerësues për tokat e tyre.