FNA-ja e pyeti profesorin Angjushev: Si të përfundojmë në listën e zezë amerikane?

Forumi për Ndryshime në Arsim me rastin e fillimit të semestrit veror, në Fakultetin Mekanik ka realizuar një aksion simbolik ku ka parashtruar një pyetje retorike për profesorin Koço Angjushev, një nga personat e përfshirë në listën e zezë amerikane “Si të përfundojmë në listën e zezë amerikane?”, transmeton Portalb.mk. “Dekanatit të Fakultetit Mekanik i […]

shkurt 18, 2025 - 13:00
 0  6
FNA-ja e pyeti profesorin Angjushev: Si të përfundojmë në listën e zezë amerikane?
Aksion simbolik nga FNA. Foto nga Forumi për Ndryshime ne Arsim (Facebook)

Forumi për Ndryshime në Arsim me rastin e fillimit të semestrit veror, në Fakultetin Mekanik ka realizuar një aksion simbolik ku ka parashtruar një pyetje retorike për profesorin Koço Angjushev, një nga personat e përfshirë në listën e zezë amerikane “Si të përfundojmë në listën e zezë amerikane?”, transmeton Portalb.mk.

“Dekanatit të Fakultetit Mekanik i çuam mesazh se nuk jemi tërhequr nga kërkesa jonë për largim nga puna të Koço Angjushevit. Ne vlerësojmë se integriteti dhe pastërtia e një profesori janë thelbësore ndërsa Angjushev ka shkelë çdo parim të ndershmërisë”, raportoi FNA-ja.

Ata sot përmes një mbishkrimi në kampusin e Fakultetit Mekanik kanë realizuar një aksion simbolik “Si të përfundojmë në listën e zezë amerikane?”.

“Studentëve në ditën e parë të semestrit veror ua rikujtuam që korrupsioni nuk është diçka që duhet normalizuar dhe toleruar, aq më pak kur vjen nga dikush që supozohet të jetë udhërrëfyes për ata, edhe atë; profesori universitar”, deklaruan nga FNA-ja.

Ndryshe, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) në dhjetor të vitit 2024 ka kërkuar nga institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut që të mos pranojnë në objektet e tyre dy personat tashmë të përfshirë në listën e zezë amerikane, Artan Grubin dhe Koço Angjushevin.

Në vitin 2024 në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin 2023, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.