Fronti Evropian e mbylli aksionin “Roja për Gjuhën”, u hoqën tendat nga para Gjykatës Kushtetuese
Tendat që u vendosën para Gjykatës Kushtetuese nga ana e Frontit Evropian, u hoqën sot pasi Kushtetuesja vendosi që të mbahet seancë përgatitore, përkatësisht nuk ka sjellë vendim për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të gjuhëve, njofton Portalb.mk. Kreu i BDI-së pas përfundimit të seancës së Kushtetueses tha se tani për tani do të tërhiqen nga […]
Tendat që u vendosën para Gjykatës Kushtetuese nga ana e Frontit Evropian, u hoqën sot pasi Kushtetuesja vendosi që të mbahet seancë përgatitore, përkatësisht nuk ka sjellë vendim për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të gjuhëve, njofton Portalb.mk.
Kreu i BDI-së pas përfundimit të seancës së Kushtetueses tha se tani për tani do të tërhiqen nga para Gjykatës Kushtetuese, do të analizojnë situatën dhe do të marrin vendim për veprim të mëtutjeshëm.
“Vendimi më i mençur do të ishte, që në seancën e sotme të hidhen poshtë 13 iniciativat dhe të mbyllet ky kapitull. Tani ne do të tërhiqemi të analizojmë situatën”, tha Ahmeti.
Fronti e nisi aksionin pak ditë më parë nën sloganin “Roja për Gjuhën” , duke ngritur tenda në shenjë proteste kundër nismës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ndryshe, pas diskutimeve të gjykatësve kushtetues, gjykata votoi që të mbahet seancë përgatitore me qëllim dëgjimin e shumë palëve, ekspertëve juridik në këtë rast, që mund të shprehin këndvështrime të ndryshme rreth Ligjit në fjalë. Tani për tani, nuk dihet data e saktë për mbajtjen e seancës përgatitore.
Gjykatësja Elizabeta Dukoska ka kërkuar seancë përgatitore, ku do të ftohen ekspertë nga jashtë dhe do të shqyrtohen në detaje të gjithë pjesët e Ligjit për Gjuhët, me qëllim sqarimin e saktë të gjendjes faktike dhe juridike.
Sipas kryetarit të gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski propozimi duhet pranuar për ta bind opinionin për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.
Nga ana tjetër gjykatësja Dobrilla Kacarska është shprehur kundër këtij lloji të seancës, sepse, sipas saj, gjykata është ajo që duhet ta thotë fjalën përfundimtare, sepse është çështje juridike dhe jo mendim për ndonjë lëmi tjetër.
Ana Pavllovska Daneva ka përkrahur propozimin që të ketë seancë përgatitore. “Unë jam 20 vjet eksperte e Kushtetutës, por ka fusha që unë s’i di, dhe nuk është negative nëse kemi rastin të dëgjojmë edhe profesorë tjerë të Kushtetutës dhe t’i dëgjojmë argumentet e tyre. Fundja, jemi gjykatë dhe duhet t’i dëgjojmë të dy anët. Pse mbahen seancat përgatitore? Për t’i dëgjuar dy anët”.
Seanca e Gjykatës Kushtetuese ka nisur në mungesë të dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.
Në fillim te seancës gjykatësi Fatmir Skender ka kërkuar që seanca të shtyhet për dy javë, ku prezent do të jenë edhe dy gjykatësit shqiptarë dhe përbërja e gjykatës do të jetë e plotë.
Propozimi i gjykatësit Skender është votuar kundër, ky i fundit ka lëshuar seancën, ndërsa ajo vazhdoi pa prezencën e tij.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.
- LEXO: Zëvendëskryeministri Fetai raportoi një kërcënim që mori në e-mail: Nuk mund të qëndroj indiferent
- LEXO: Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses: Çfarë të presim dhe ku gaboi politika për 20 vite?
- LEXO: Ligji i gjuhëve, në dorë të gjykatësve Kushtetues
- LEXO: Maqedoni, u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve
- LEXO: Protesta para Qeverisë kundër ligjit të gjuhëve