Gati 1 vit nga sulmi në Banjskë, Radojçiqi ende pa aktakuzë
Ani pse është bërë gati një vit prej kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, ende vazhdon të sjellë shqetësime për shkak të vonesës së ngritjes së aktakuzës kundrejt Milan Radoiqiçit, të akuzuarin kryesor të këtij sulmi terrorist. Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator […]
Ani pse është bërë gati një vit prej kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, ende vazhdon të sjellë shqetësime për shkak të vonesës së ngritjes së aktakuzës kundrejt Milan Radoiqiçit, të akuzuarin kryesor të këtij sulmi terrorist.
Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, duke vrarë një polic tw Kosovws, Afrim Bunjakun.
Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në ditët pas sulmit, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.
Se pse ka munguar deri më tani një aktakuzë për Millan Radoiçiq, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, për Front Online janë deklaruar deputetë nga pozita e opozita dhe ish-zëvendës ministri Valdet Hoxha nga MPB-ja.
Enver Dugolli: Qe një vit s’ka aktakuzë, është e pakuptimtë edhe e pashpjegueshme për mua
Enver Dugolli nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar prokurorinë për vonesën e gjatë, duke theksuar se ka mjaft dëshmi që përforcojnë rastin dhe ka kërkuar veprim të shpejta për ngritjen e aktakuzës.
Ai e konsideron situatën si të paqartë dhe të papranueshme për qytetarët dhe institucionet e sigurisë kur, sipas tij, dihet se ka mjaft prova.
“Po kjo vonese e prokurorisë në radhë të parë, për mendimin tim si qytetar është e pakuptimtë për shkak se ka shumë argumente e dëshmi qe tregojnë se çka ka ndodhur qarte atje”, tha Dugolli.
Hisen Berisha: Kjo qeveri nuk ka interes ta dënoj Radoiqiçin
Nga ana tjetër, Hisen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar për rrezikun e ngritjes së një aktakuze pa shqyrtimin e plotë të fakteve, duke theksuar se një qasje e tillë mund të dështojë në gjykatë.
Ai ka kritikuar qeverinë për mungesën e presionit ndaj prokurorisë , sepse sipas tij, kjo qeveri nuk ka interes ta dënojë Radoiqiçin dhe ka kërkuar që aktakuza të bazohet në një hetim të plotë dhe të argumentuar.
“Nuk duhet me u ngut procedura për me u ngrit një aktakuzë, pa u mbledhur e identifikuar të gjitha argumentet për pretendimet e prokurorisë. Në këtë rast, tendenca me e ngrit një aktakuze të ngutshme pa i shqyrtuar mirë faktet edhe argumentet që e mbështesin pretendimin e prokurorisë dhe atë tonin politik është thjesht tendencë me e dërguar në gjykatë edhe ajo me e hedh poshtë si te pa bazë. Edhe kjo dëshmon hapur se kjo qeveri nuk ka interes ta dënojë Radoiqiçin”, deklaroi Berisha.
Valdet Hoxha: Nuk ka arsye të dyshojmë në seriozitetin e Prokurorisë për vonesën e aktakuzës së Radojiqiçit
Ndërsa ish-zëvendës ministri i punëve të Brendshme, Valdet Hoxha ka thënë në një farë forme se nuk ka faj as prokuroria , duke theksuar se vonesat mund të jenë të nevojshme për shkak të kompleksitetit të rastit dhe kërkesave për ekspertiza ndërkombëtare.
Ai ka theksuar rëndësinë e një aktakuzë të qëndrueshme dhe të mbështetur në prova për të ruajtur seriozitetin e procesit gjyqësor.
“Ne aspektin profesional pa dashur të mbroj prokurorinë por rezultatet e prokurorisë speciale deri me tani kanë qenë të kënaqshme në rastet tjera prandaj nuk ka asnjë dyshim apo arsye të dyshojmë në objektivitetin apo seriozitetin e prokurorisë.
Po kjo vonesë siç po interpretohet edhe pse unë besoj që nuk është vonese është për shkak te specifikave të rastit dhe për shkak se me gjase prokuroria speciale ka kërkuar nga shumë institucione edhe ndërkombëtare disa ekspertiza të cilat nuk mund të kryhen në Kosovë, prandaj është e natyrshme një vonesë e tillë por natyrisht të gjithë kemi interes të ngritjes sa më të hershme të aktakuzës në kuptimin të argumentimit të asaj çka ka ndodhur por duhet të kemi parasysh se koha dhe shpejtësia nuk është aleat i rezultatit përfundimtar”, theksoi Hoxha.