Gërvalla në forumin Wachau: Kërkova veprime konkrete për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka qëndruar në Austri, ku mori pjesë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”. Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla ka thënë mes tjerash se në dy panele ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nevojën e […]
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka qëndruar në Austri, ku mori pjesë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla ka thënë mes tjerash se në dy panele ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Para homologëve nga shtetet pjesëmarrëse, në dy panele të ndara shpalosa qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik si dhe bëra thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë ajo.
Gërvalla tutje ka thënë se e ka ritheksuar mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë, Tanja Fajon, ka thënë se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është “tani ose kurrë”.
“Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i cili ekziston prej një viti, është një dëshmi e mirë se ne duhet ta trajtojmë zgjerimin si një domosdoshmëri gjeostrategjike që ka nevojë për mbështetje politike. Është tani ose kurrë”, tha Fajon në fjalën e saj.
Derisa Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, që ishte pjesëmarrës në takimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Vjenë konfirmoi mbështetjen e Kroacisë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Në mbledhjen e sotme u miratua Deklarata, e cila synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën evropiane, bazuar në arritjet e tyre, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, deklaroi Radman.