Gjuhë urrejtje pas Koçanit: nxitje, manipulim dhe shmangie e përgjegjësisë
Tragjedia në Koçan, përveç dhimbjes dhe pasojave të rënda, ka nxjerrë në pah një tjetër problem të rrënjosur thellë në diskursin politik – gjuhën e urrejtjes, përfshirë këtu nxitjen e ofendimeve të rënda në baza të ndryshme, qofshin ato politike apo ndëretnike. Në shumë raste, kjo ngjarje u shfrytëzua nga funksionarët e lartë politikë për […]


Tragjedia në Koçan, përveç dhimbjes dhe pasojave të rënda, ka nxjerrë në pah një tjetër problem të rrënjosur thellë në diskursin politik – gjuhën e urrejtjes, përfshirë këtu nxitjen e ofendimeve të rënda në baza të ndryshme, qofshin ato politike apo ndëretnike. Në shumë raste, kjo ngjarje u shfrytëzua nga funksionarët e lartë politikë për të përforcuar retorikën përçarëse. Në këtë drejtim, në shumë deklarata publike në ditët pas tragjedisë janë evidenuar tone të ashpra, akuza dhe një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësia institucionale te sulmet personale, etnike, dhe politike, shkruan Portalb.mk.
Fill pas deklaratës së zëvendëskryetarit të BDI-së Arbër Ademi në stacionin policor në Karposh, kryeministri i vendit Hristijan Mickoski doli me deklaratë politike duke thënë se nuk do të ketë mëshirë për fajtorët dhe se nëse duhet do t’i nxjerrim për veshi nga shtëpia. Një gjuhë e tillë kërcënuese polarizoi dhe nxiti qytetarët t’i përshkallëzojnë narrativet politike, siç është e dukshme nga komentet në rrjete sociale.
Sipas analistit politik Sefer Selimi, “kjo gjuhë kërcënuese e kryeministrit jo vetëm që nuk i ndihmon drejtësisë, përkundrazi është një provokim i qëllimshëm për të nxitur reagim të ngjashëm nga pala tjetër në shërbim të defokusimit të debatit publik, në një kohë kur qytetarët presin përgjegjësi, hetim të plotë, transparencë dhe llogaridhënie”.
Arrestimi i ish-ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe funskionarëve të tjerë nxitën dyshimet e publikut se autoritetet po përpiqen që gjithë përgjegjësinë ta hedhin te ish-bartësit e funksioneve dhe jo te pushteti aktual.
Në këtë drejtim analisti Visar Ademi shprehet: “Sa i përket rastit të fundit, ajo që duan të arrijnë është që mos mbetet vetëm një palë e përgjegjshme, por do ndahet përgjegëjsia, pra që të mos flasë vetëm një kryeministër tërë kohës kundër BDI-së, se sa është e korruptuar, e në fund të dalë se maqedonasit arrestohen. Tash, pra, përpiqen me çdo lloj kushti që ta ndajnë përgjegjësinë, dhe të kapen për çështje të korrupsionit që nuk kanë të bëjnë fare me Koçanin, siç e shohim rastin e Ejup Rustemti, që pavarësisht se bëhet fjalë për korrupsion të lartë, është komplet ndryshim i skenarit, sa më jashtë dhe larg Koçanit.
Sulmet ndërpartike ishin të theksuara në të dyja kampet. Sipas Sefer Selimit partitë e koalicionit VLEN kanë vazhduar me refrenin e njohur: “BDI është fajtore…”, duke u përpjekur që maksimalisht të shmangin përfshirjen e drejtpërdrejtë si koalicion në diskursin publik. Reagimet e tyre janë dhënë kryesisht përmes eksponentëve të lartë qeveritarë, të cilët kanë përdorur po ashtu gjuhë nxitëse, denigruese dhe akuzuese – gjë që aspak nuk i shërben procesit, por as momentit delikat në të cilin ndodhet Maqedonia e Veriut.
Edhe në kampin maqedonas duket tendenca për të denigruar çdo lloj kundërshtimi dhe kërkese llogarie nga pushteti. Këtë e tregon p.sh. Rasti tjetër, që tregon defokusimin e debatit publik është ai me djalin e Ljubomir Fërçkoskit, Jon Fërçkoski, tashmë ish- drejtor i Qendrës për Hulumtime dhe Analiza LSDM-së, i cili pasi foli në një intervistë mbi tragjedinë në Koçan kundër përfaqësuesve aktualë politikë, u denigrua me një video ku ai shihet duke konsumuar lëndë narkotike, gjë e cila e detyroi të tërhiqet nga pozitat partiake.
Nga rrjedha e diskursit, është e qartë se u zhvillua një tendencë tashmë familjare defokusimi, që debati të zhvendoset nga tragjedia dhe pasojat e saj drejt arrestimeve dhe përplasjeve politike. Në këtë drejtim kishte dhe reagime të ashpra ndaj tubimeve publike dhe protestave qytetare. Në vend që të dëgjohej zëri i qytetarëve të revoltuar, institucionet i trajtuan protestat si një kërcënim, duke i delegjitimuar ato. Edhe figura mediatike të afërta me pushtetin janë vënë në sulm kundër të gjitha nismave qytetare dhe zërave që kërkojnë drejtësi. Një shembull i tillë është postimi i Dragan Pavlloviq Llatas ku fton për “deratizim” dhe ai i Milenko Nedellkovskit, i cili nuk zgjedh fjalët por shprehet me fyerje të hapura si “Kjo bushtër rren”.
Më tej, postimet dhe komentet fyese pas tragjedisë në Koçan tregojnë se gjuha e urrejtjes nuk është thjesht një pasojë e retorikës politike, por një urrejtje e rrënjosur thellë, e cila vetëm pret një shkëndijë për të shpërthyer. Deklaratat provokuese të politikanëve kanë shërbyer vetëm si katalizator, duke i dhënë hapësirë një retorike tashmë ekzistuese, latente, e cila del në sipërfaqe sa herë që ndodhin ngjarje të tilla. Sipas Visar Ademit “gjuha e urrejtjes ka qenë gjithmonë, nga pavarësia e deri tash. Ndonjëherë është aktivizuar më shumë, ndonjëherë ka marrë qetësi absolute, për shkak të dinamikave të ndryshme politike. Pra, ajo ekziston, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë sepse jemi një shoqëri te e cila ai që fiton e poshtëron atë që humbet”.
Kështu në postim të shumta, mes komenteve të tjera ngushëllues dhe atyre që shprehin bashkëndjenjë me të prekurit nga kjo tragjedi, mund të gjejmë dhe raste të reagimeve ofenduese drejtuar bashkëqytetarëve apo politikanëve. Një rast i tillë është ai i faqes së Facebookut Busulla Politike, e cila me postimet e saj ironizuese shpreh një prirje për të fajësuar ish-ministrin Kreshnik Bekteshi ende pa nisur procedura, me të cilën shkelet parimi i presumimit të pafajësisë, e ndërkaq tendencë e ngjashme vihet re dhe nga pala maqedonase me lajmet e para të arrestimit të tij.
Mbi nivelin e përgjithshëm të komunikimit publik mes partive politike, Selimi shprehet se ka qenë shumë i ulët. “Përmasat e tragjedisë në Koçan e kanë degraduar edhe më shumë diskursin publik, duke e shndërruar në një gjuhë të ashpër, nxitëse dhe akuzuese. Kjo gjuhë kërcënuese jo vetëm që nuk i ndihmon drejtësisë, përkundrazi është një provokim i qëllimshëm për të nxitur reagim të ngjashëm nga pala tjetër në sherbim të defokusimit të debatin publik, në një kohë kur qytetarët presin përgjegjësi, hetim të plotë, transparencë dhe llogaridhënie.”
Gjuha e urrejtjes që u intensifikua pas tragjedisë në Koçan është një simptomë e një problemi më të thellë në shoqërinë tonë – një kulturë politike ku retorika e ashpër, instrumentalizimi i ndasive ndëretnike dhe shmangia e përgjegjësisë janë bërë norma.Në këtë klimë të tensionuar, rreziku më i madh mbetet fakti se gjuha e urrejtjes nuk është një fenomen i izoluar, por një flakë që mund të ndizet lehtësisht në çdo moment. Prandaj, mbetet përgjegjësi e politikanëve, mediave dhe shoqërisë civile të promovojnë një diskurs të matur dhe të shmangin manipulimin e emocioneve kolektive për interesa politike.