Gjykata Penale në mënyrë joligjore e zvarrit aktgjykimin për aksidentin e Llaskarcës
Gjashtë muaj nga shpallja e aktgjykimit për aksidentin e Llaskarcës i cili ndodhi në shkurt të vitit 2019-të, Gjykata Penale e Shkupit ende nuk ua ka dorëzuar palëve aktgjykimin me shkrim, që më pas të njëjtit të kenë të drejtë të ankohen në Apel. Vonesa e dorëzimit të aktgjykimit deri te palët është në kundërshtim […]
Gjashtë muaj nga shpallja e aktgjykimit për aksidentin e Llaskarcës i cili ndodhi në shkurt të vitit 2019-të, Gjykata Penale e Shkupit ende nuk ua ka dorëzuar palëve aktgjykimin me shkrim, që më pas të njëjtit të kenë të drejtë të ankohen në Apel.
Vonesa e dorëzimit të aktgjykimit deri te palët është në kundërshtim me Ligjin për Procedurë Penale, i cili parashikon që aktgjykimi duhet të jetë gati në afat prej maksimum dy muajsh.
“Aktgjykimi që është publikuar patjetër të përgatitet me shkrim në afat prej 15 ditësh pas publikimit, ndërkaq në lëndët e komplikuara me përjashtim në afat prej 60 ditësh, afate të cilat nuk mund të tejkalohen”, thuhet në Neni 407, paragrafi 1 i Ligjit për Procedurë Penale.
Përfaqësuesi ligjor i një pjese të familjarëve të viktimave, nga aksidenti tragjik, Vlladimir Nikollovski për Alsat deklaron që sikur të mos ishte e mjaftueshme zvarritja e gjykimit prej afërsisht 5 vite, tani edhe po zvarritet edhe përgatitja e aktgjykimit. Ai madje, dyshon që arsye e zvarritjes është që të vjetërsohet lënda.
“Nëse vijon sipas udhëheqjes së procedurës deri më tani dhe me përgatitjen e aktgjykimeve, mund të vijë deri në vjetërsimin e lëndës”. “Unë shihem vazhdimisht me ata. Vijnë në zyrë çdo ditë pyesin deri ku është, nëse kam marrë diçka, por me të vërtetë nuk kam çfarë t’u them. Të gjitha afatet ligjore janë shkelur dhe vetëm të drejtohemi në Gjykatën Supreme për gjykim në afat të paarsyeshëm dhe tjetër masë ligjore nuk kemi që mund të përdorim në këtë fazë”, tha Vlladimir Nikollovski, avokat i një pjese të familjeve të viktimave.
Nga ana tjetër, pushimi një mujor i gjykatave fillon më 15 korrik, që do të thotë se nëse nuk dorëzohet deri te palët, gjatë kësaj periudhe, atëherë e njëjta duhet të bëhet pas gjysmës së dytë të gushtit.
Aktgjykimi për aksidentin e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit u shpall dy javë para përvjetorit të pestë të ngjarjes tragjike, ne të cilën humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, në mesin e të cilëve edhe me pasoja të përhershme shëndetësore.
Gjykata i shpalli fajtorë 6 të akuzuarit, pasi autobusi ka qenë teknikisht i parregullt, ndërkaq shoferi nuk ka pasur kujdes dhe ka vozitur mbi normën e lejuar të shpejtësisë.
Sipas aktgjykimit, pronari i Durmos, Durmish Beluli u dënua me 4 vjet burg, ndërkaq shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski me 14 vjet burg. Përgjegjësi i kompanisë për Transport Remzi Miftari u dënua me 6 vjet burg, ndërkaq të punësuarit e stacionit të kontrollit teknik Igor Gjeorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Babarovski me nga 5 vjet burg.
Të gjithë të dënuarit mohojnë fajin dhe kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Ndërkaq të dëmtuarit do apelojnë dënimet sipas tyre të ulëta./Alsat.mk