Gjykata Speciale urdhëron kontroll forenzik të kompjuterëve të Hashim Thaçit në paraburgim
Me kërkesë të Prokurorisë dhe me aprovimin e Gjykatës, është marrë vendim që të kontrollohen kompjuterët dhe printerët që ka përdorur ish-presidenti Hashim Thaçi gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Sipas një dokumenti gjyqësor, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, më 8 shtator 2025 ka autorizuar “kontrolle shtesë forenzike” mbi materialet


Me kërkesë të Prokurorisë dhe me aprovimin e Gjykatës, është marrë vendim që të kontrollohen kompjuterët dhe printerët që ka përdorur ish-presidenti Hashim Thaçi gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Sipas një dokumenti gjyqësor, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, më 8 shtator 2025 ka autorizuar “kontrolle shtesë forenzike” mbi materialet e ruajtura nga pajisjet që pretendohet se janë përdorur nga Thaçi.
– Identifikimi i emrave të skedarëve të të gjitha dokumenteve/skedarëve (të pretenduara) që janë printuar nga z. Thaçi ndërmjet ose në data të caktuara, përkatësisht: [Redaktuar];
– Identifikimi i emrave të skedarëve të të gjitha dokumenteve/skedarëve që tregojnë se janë të pranishme në / ose janë djegur në një ose më shumë CD(s) dhe/ose DVD(s) gjatë periudhës nga [Redaktuar] deri më [Redaktuar]; dhe
– Zgjerimi i fushës kohore të kërkimit të mëparshëm për deklaratën [Redaktuar] (“Deklarata [Redaktuar]”) për të përfshirë periudhën [Redaktuar].
Analizat janë kryer nga një kompani e jashtme forenzike, e cila ka marrë kopje të të gjitha dokumenteve dhe printimeve të realizuara nga kompjuterët e ish-presidentit dhe më pas i ka dorëzuar ato në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në dokumentin e cituar thuhet se qëllimi i këtij veprimi ishte analiza e plotë forenzike e materialeve të përdorura nga Thaçi për çështje që lidhen me procesin gjyqësor ndaj tij.
Kontrolli i pajisjeve elektronike është zhvilluar gjatë muajit shtator dhe për këtë veprim ka qenë në dijeni edhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit. Ky vendim vjen pas një serie masash të ndërmarra ndaj Thaçit, përfshirë ndalimin e vizitave nga mbi dhjetë persona, të cilat ishin urdhëruar më herët nga e njëjta gjyqtare. Prokuroria kishte kërkuar që kufizimi të zgjerohej edhe për vëllezërit e tij, por pas reagimeve publike, kjo kërkesë nuk u aprovua.


