VLEN: Kush mbajti fjalën fitoi, kush u shit mori zero
Nga koalicioni VLEN theksojnë se elektorati tradicional i Aleancës për Shqiptarët ka qenë gjithmonë opozitar ndaj BDI-së, dhe jo mbështetës i saj, duke shtuar se as Zijadin Sela e as Arben Taravari nuk kanë mundur ta ndryshojnë këtë realitet. Ata theksojnë se “fryma opozitare” e këtij elektorati sot jeton brenda VLEN-it, në të cilin janë […]
Nga koalicioni VLEN theksojnë se elektorati tradicional i Aleancës për Shqiptarët ka qenë gjithmonë opozitar ndaj BDI-së, dhe jo mbështetës i saj, duke shtuar se as Zijadin Sela e as Arben Taravari nuk kanë mundur ta ndryshojnë këtë realitet. Ata theksojnë se “fryma opozitare” e këtij elektorati sot jeton brenda VLEN-it, në të cilin janë bashkuar figura si Arben Fetai, Zeqirija Ibrahimi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti — të cilët, sipas tyre, e kanë mbajtur drejtimin e duhur politik dhe e kanë kthyer opozitën në fitore, duke fituar 10 komuna në zgjedhjet e fundit. Në reagim, VLEN e portretizon veten si “frymën e ndryshimit” dhe BDI-në si kujtim të keq, ndërsa ironizon deklaratat e Valbon Limanit për censusin në Gostivar, duke i cilësuar si përpjekje për të justifikuar dështimin politik të fraksionit të tij
Reagimi i plotë:
Elektorati i Aleancës për Shqiptarët ka qenë gjithmonë opozitar, por opozitë e BDI-së, jo patericë e saj. As Zijadin Sela e as Arben Taravari nuk mund ta përmbysin këtë të vërtetë. Dy herë u përpoqën ta shesin frymën dhe dy herë populli ua ktheu përgjigjen me ZERO!
Votuesit e Aleancës janë me frymën, jo me pazaret. Dhe kjo frymë sot jeton në VLEN, aty ku janë njerëzit që nuk u shitën: Arben Fetai, Zeqirija Ibrahimi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti. Këta e mbajtën drejtimin dhe e kthyen opozitën në fitore.
Izet Mexhiti e demontoi BDI-në në Shkup, Bilall Kasami në Pollog, Zeqirija Ibrahimi e demaskoi deri në palcë, ndërsa Arben Fetai është dëshmia e gjallë se Aleanca e vërtetë është pjesë e VLEN-it dhe e koalicionit që solli ndryshimin.
Ky është VLEN-i fryma e ndryshimit me 10 komuna të fituara!
Në pamundësi për të mbrojtur të pambrojturën, BDI tani ka nxjerrë Halil Snopçen. Por s’mund të fshehësh diellin me shoshë VLEN është e ardhmja, BDI është kujtim i keq!
Sa për “teoritë” e Valbon Limanit për censusin në Gostivar, ndoshta më mirë të pyesë fraksionin e Talat Xhaferit pse e bojkotoi, sesa të shpikë alibi për dështimin e vet politik.