Gjykimi për rastin “Organizatorët e 27 prillit” u shty për më 13 qershor
Gjykimi për rastin “Organizatorët e 27 Prillit” u shty sot për më 13 qershor të këtij viti. Siç sqaroi gjyqtari Ilija Tërpkov në fillim të seancës së sotme në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, nga avokati Elenko Milanov, i cili përfaqëson ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ka pranuar njoftim se për shkaqe shëndetësore […]
Gjykimi për rastin “Organizatorët e 27 Prillit” u shty sot për më 13 qershor të këtij viti. Siç sqaroi gjyqtari Ilija Tërpkov në fillim të seancës së sotme në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, nga avokati Elenko Milanov, i cili përfaqëson ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ka pranuar njoftim se për shkaqe shëndetësore të një anëtari të ngushtë të familjes, nuk mundi të merrte pjesë në seancën e sotme, transmeton Portalb.mk.
Të akuzuar në këtë rast janë ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat për transport dhe lidhje dhe arsim, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski.
Ata akuzohen për veprën penale të “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë nga korriku i vitit 2021, me të cilin Veljanoski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg, ish-ministrat Janakieski dhe Ristovski u dënuan me 6 vjet e tre muaj burgim, ndërsa ish-drejtori i DSK-së Atanasovski u dënua me gjashtë vjet burgim dhe lëndën e ktheu në rigjykim.
Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ilija Tërpkov, ndërsa përfaqësuese e prokurorisë është prokurorja publike Iskra Haxhi Vasileva.
Kujtojmë se nga dhuna e 27 prillit në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.