Gratë me pozita publike në RMV lehtësisht shënjestër e gjuhës së urrejtjes
Pavarësisht përparimeve të dukshme në luftën për të drejtat e grave, përfaqësimit të tyre më të madh në politikë dhe pranisë më të theksuar të temave që prekin gratë, tendencat për të shprehur përbuzje dhe ofendime kundrejt grave vazhdojnë të ekzistojnë. Në veçanti, shënjestër e këtij sulmi bëhen gratë, të cilat, për shkak të profesionit […]
Pavarësisht përparimeve të dukshme në luftën për të drejtat e grave, përfaqësimit të tyre më të madh në politikë dhe pranisë më të theksuar të temave që prekin gratë, tendencat për të shprehur përbuzje dhe ofendime kundrejt grave vazhdojnë të ekzistojnë. Në veçanti, shënjestër e këtij sulmi bëhen gratë, të cilat, për shkak të profesionit që ushtrojnë, janë më të ekspozuara në publik, gjë e cila vihet re më së shumti në rrjetet sociale, si Facebook, Instagram dhe Twitter. Në shumicën e rasteve gjuha e tillë e urrejtjes përdoret si mjet për të minuar dinjtietin dhe statusin e tyre shoqëror, shkruan Portalb.mk.
Autore: Fjolla Zllatku
Sipas një hulumtimi të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), në gjysmën e parë të vitit 2024 janë identifikuar 3,380 komente me gjuhë seksiste kundër grave në politikë, gjë e cila vjen në shprehje sidomos në periudhën para zgjedhjeve. Problemi përkeqësohet nga mungesa e rregullimit adekuat të platformave të lartpërmendura sociale, të cilat shpesh nuk arrijnë të adresojnë në mënyrë efektive shkeljet e vazhdueshme që ndodhin ndaj grave në publik, si dhe nga mosndëshkimi i këtyre rasteve nga autoritetet përkatëse. Kjo mungesë përgjegjësie ndikon negativisht jo vetëm te gratë individuale që përballen me këto sulme, por edhe te përpjekjet e përgjithshme për të krijuar një diskurs më të respektueshëm publik.
Stereotipet e rrënjosura rreth roleve të grave në shoqëri shpesh përdoren si armë për të sulmuar gratë që sfidojnë normat tradicionale dhe zënë pozita udhëheqëse. Kështu “VIP” zakonisht vendosen në një pozitë të vështirë, ku jeta e tyre publike rrezikon atë private. Ndryshe nga burrat, të cilët shpesh përballen me kritika rreth aftësitë së tyre profesionale, gratë përballen me sulme që përfshijnë prekin privatësinë e tyre në mënyrë të pabazë. Cilado qoftë pozita e tyre publike, në politikë, media, biznes apo showbiz, në rastet e këtilla, profesioni, arritjet dhe talenti zakonisht anashkalohen dhe në vend që të prezantohen me shkathtësitë e tyre, ato targetohen për nga morali i tyre si femra. Ekzistojnë shembuj të shumtë që mund të marrim për të ilustruar ekzistencën e kësaj problematike shoqërore.
“Incidente” mediatike të gjuhës së urrejtjes kundrejt grave në sferën publike
Një muaj më parë, këngëtarja e njohur nga Shkupi Adelina Tahiri u bë shënjestër e gjuhës së urrejtjes për të disatën herë. Gjegjësisht, nën postimin në Facebook nga ana e ATV, shkëputje nga emisioni ku mysafire ishte Tahiri, ku ajo fliste për raportet e saj martesore dhe familjare, ndodhen komente të shumta fyese kryesisht në bazë gjinore. Këngëtarja ka qenë viktimë e komenteve të tilla edhe më parë, në veçanti për shkak të martesës së saj me një burrë të përkatësisë etnike maqedonase, kur vëllai i saj u martua me një grua maqedonase, apo edhe dhe kur ishte spikatur në tubimin e partisë së VMRO-së, të gjitha këto pasqyrim i zgjedhjeve personale dhe pjesë të jetës së saj private. Kjo lloj gjuhe jo vetëm që hedh baltë mbi veprimtarinë e saj artistike, por gjithashtu është tregues se stereotipat gjinore ende ekzistojnë në një shoqëri të dominuar nga patriarkati.
Një tjetër shembull po ashtu i identifikuar në rrjetet sociale është ai kur këngëtarja Big Mama bëhet target i gjuhës së urrejtjes pasi publikohet videoja e incizuar nga Ballkan.info në TikTok dhe e transmtuar nga portali in7.tv ku ajo shihet duke kënduar kënge serbe në një lokal. Komentet që e targetojnë janë plot fyerje, duke kombinuar gjuhën e urrejtjes në bazë gjinore me atë në bazë etnike, me ç’rast përforcohen narrativet diskriminuese dhe ndarjet etnike.
Gjithashtu ndër rastet e fundme është ai i Kaltrina Zekollit, aktualisht zëvendësministre e Transportit dhe Lidhjeve në RMV, e cila gjithashtu është përballur me sulme të ashpra për shkak të qëndrimeve të saj politike. Konkretisht, para më pak se një muaj, në një emision për TV21 ajo shprehu mirënjohjen e saj për kryetarin e partisë Izet Mexhiti, që sipas saj kishte pasur një rol të rëndësishëm në formimin e saj në politikë, duke e mbështetur në këtë formë vendimin e saj për të qenë krah tij në ndarjen e re të strukturës politike. Portali “Explus” shtrembëroi këtë material duke e manipuluar dhe lidhur me një fotografi ku Zekolli duket e ulur me disa persona të tjerë para një tavoline me para, me titullin “Kaltrina Zekolli me shumë kesh pare në tavolinën e Izet Mexhitit në komunën Çair”. Ky lloj postimi, i cili në vetvete përmban gjuhë urrejtje nga vetë mediumi, ka nxitur komente të shumta seksiste, mizogjene dhe denigruese për personalitetin e saj.
Gjithashtu, së fundmi, deputetja e VLEN, Saranda Imeri, u sulmua me komente të kësaj gjuhe në një postim të TV21 të një segmenti të intervistës së saj për po këtë medium, ku ajo tregon për faktin se në të kaluarën ka qenë artiste, tani është politikane, ndërkaq është e diplomuar për gjuhë angleze. Komentet fyese vetëm sa vërtetojnë hipotezën se shumanshmëria e gruas dhe arritjet e saj në shumë sfera, në shoqërinë tonë priren që të shihen me një sy gjykues, përpara se të konsiderohen sukses i përpjekjes dhe investimit që kjo nënkupton.
Është më se logjike se sulmet e këtilla e vështirësojnë përfshirjen aktive të grave në politikë dhe në jetën publike, duke krijuar një ambient armiqësor që minon përfaqësimin gjinor. Efekti i gjuhës së urrejtjes dhe shpifjeve me bazë gjinore është më i thellë sesa dëmtimi i thjeshtë i reputacionit të individëve. Ato krijojnë një klimë frike dhe dekurajimi që pengon gratë e tjera të angazhohen në mënyrë aktive në jetën publike, politike dhe kulturore. Ky fenomen thellon pabarazinë gjinore në hapësirat publike dhe bën që gratë të jenë më pak të pranishme dhe të përfaqësuara.
Ekspertët: Gjuha e urrejtjes ndaj grave është normalizuar
Ekspertët konstastojnë se dhuna online ndaj grave është normalizuar në shkallë të gjerë.
Nga Instituti për të Drejtat e Njeriut, hulumtuesija Kristina Doda na informoi rreth gjetjeve të një prej hulumtimeve të fundme për çështjen edhe më shqetësuese të dhunës gjinore online (apo të ashtuquajturën sajber-bulling), me grupin e synuar – nxënësit e shkollave të mesme në RMV.
Doda na bën të ditur se vajzat e reja janë viktimat më të shpeshta të këtij lloj shqetësimi.
“Stereotipet gjinore, paragjykimet dhe rolet tradicionale i fuqizojnë format kulturore (të dhunshme) të sjelljes në hapësirën fizike dhe atë online. Ndërsa tek djemtë narrativi shqetësues gjendet kryesisht në profile që devijojnë nga normat e pranuara përgjithësisht të heteronormativitetit, analizat tona tregojnë se narrativi ndaj vajzave është kryesisht me konotacion seksual, me komente mizogjene dhe seksiste.”, shprehet ajo.
Gjetje të këtilla bëjnë të ditur se burimi i tendencës për të gjykuar gratë që arrijnë një lloj suksesi në sferën publike, ushqehet që në fëmijëri.
Nga ana tjetër, aktivistja Biljana Bejkova, veprimtaria e së cilës shtrihet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të gazetareve dhe grave, shtoi se krahas komenteve negative, dezinformimi gjinor duhet shikuar si një faktor burimi i lëvizjes antigjinore që përpiqet të ulë të drejtat e grave.
“Këto narrativa të dëmshme synojnë të diskreditojnë, nënvlerësojnë dhe frikësojnë gratë. Dezinformatat mbi gjininë jo vetëm që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në sferën publike, por gjithashtu nxisin një kulturë të mosdurimit dhe urrejtjes, e cila bie ndesh me parimet themelore demokratike të barazisë dhe drejtësisë. Duke marrë parasysh të gjitha këto, është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto narrativa dhe dezinformata të njihen si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të minuar barazinë gjinore dhe të zhvillohen strategji për parandalimin dhe çrrënjosjen e tyre”, elaboron Bejkova.
Është e domosdoshme që gjendja aktuale të trajtohet me seriozitet, duke kërkuar një reagim të qëndrueshëm nga autoritetet dhe mediar. Autoritetet duhet të përforcojnë kuadrin ligjor dhe të sigurojnë zbatimin e duhur të ligjeve kundër gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore duke paraparë ndëshkime përkatëse. Ndërkaq, mediat kanë përgjegjësinë të promovojnë një diskurs publik të respektueshëm që nuk i toleron sulmet ndaj grave, duke mbajtur një standard profesional raportimi dhe duke kontrolluar komentet në platformat përkatëse. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, mund të krijohet një hapësirë e sigurt dhe mbështetëse, ku gratë mund të ndihen të lira për të marrë pjesë aktivisht në jetën publike, duke kontribuar në përfaqësimin e barabartë gjinor dhe zhvillimin shoqëror.
Sara Milenkovska, hulumtuese për barazi gjinore dhe bashkëthemeluese e Rrjetit “Stella” shpjegoi se gjuha e urrejtjes ndaj grave është normalizuar aq shumë sa bëhet gjuhë standarde për mënyrën sesi politikanë të caktuar, media dhe fatkeqësisht qytetarë sillen, flasin dhe portretizojnë gratë në politikë, në jetën publike dhe në jetën e tyre private.
“Mjafton të shikoni rezultatet e gjuhës së urrejtjes ndaj politikaneve gjatë zgjedhjeve të kaluara, që ndikon drejtpërdrejt në dëshirën dhe mundësitë për më shumë gra që të përfshihen në mbrojtjen e të drejtave të tyre përmes politikës. Megjithatë, jo vetëm gratë në politikë janë viktima, trupi i gruas, prezenca e tyre në publik me vetë ekzistencën e tyre – tashmë është një objektiv i gjuhës së urrejtjes. Për shembull, Lojërat Olimpike dhe mënyra se si flitet për gra të ndryshme tregon se gjuha e urrejtjes nuk është vetëm e bazuar në gjini, por edhe në pabarazi në lidhje me racizmin, ksenofobinë dhe islamofobinë. Pabarazia me të cilën përballen gratë është ndërsektoriale, pra në disa nivele”, tha Milenkovska.
Ajo shtoi se lëvizjet antigjinore, si dhe injorimi dhe mosinvestimi institucional në luftën për një botë më të lirë dhe më të barabartë, vetëm sa e vështirësojnë çdo angazhim për ndryshim.
Gjuha e urrejtjes në RMV është vepër e ndëshkueshme
Ligji për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit ndalon nxitjen e diskriminimit dhe shqetësimin në baza diskriminuese.
Kodi Penal në Maqedoninë e Veriut radhit disa krime të nxitura nga gjuha e urrejtjes, përfshirë ato të kryera nëpërmjet internetit.
Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele ndalon transmetimin e përmbajtjeve mediatike që inkurajojnë ose promovojnë diskriminimin, intolerancën ose urrejtjen.
Ndryshe, analiza e Portalb.mk e publikuar në fund të vitit 2023 nxori në pah se në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm. Nga ana tjetër, institucionet nuk po bëjnë aq sa duhet në këtë drejtim, ndërsa shoqëria civile dhe raportet ndërkombëtare vazhdimisht alarmojnë.