Hasani në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s: Mos e largoni vëmendjen nga Ballkani
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të Aleancës Transatlantike në Pragë. Ministri theksoi domosdoshmërinë që NATO mos të largojë vëmendjen e saj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin e […]
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të Aleancës Transatlantike në Pragë.
Ministri theksoi domosdoshmërinë që NATO mos të largojë vëmendjen e saj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.
“Samiti i NATO-s në Uashington, duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton, veçanërisht përballë sfidave të jashtme të sigurisë.
Në takimin e sotëm jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë, rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën e lirë dhe sovrane dhe angazhimin tonë për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive. Shqipëria mbetet e vendosur për të luajtur rolin e saj si aleate e palëkundur e vlerave euroatlantike”,-tha Hasani, në një deklaratë.
Ministrat aleatë trajtuan progresin e vendimeve të marra në Samitin e Vilniusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e territorit aleat, prioritetet e Samitit të Uashingtonit dhe veçanërisht vijimin e ndihmës për Ukrainën.
Ministrat e vendeve aleate u mblodhën në një sesion të vetëm informal, ku riafirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën dhe diskutuan se si mund të forcojnë mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës në terma më afatgjatë.