Hetim për dy rrëmbime në Tetovë, njëri prej të rrëmbyerve ishte 16 vjeçar

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë lëshoi ​​Urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër dy personave për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë qenë bashkëkryerës në rrëmbimin e dy personave, njëri prej të cilëve ishte fëmijë. Mëngjesin e 5 majit, dy të dyshuarit rrëmbyen qëllimisht një person, duke e tërhequr zvarrë me forcë nga […]

maj 7, 2025 - 13:00
 0  4
Hetim për dy rrëmbime në Tetovë, njëri prej të rrëmbyerve ishte 16 vjeçar
Prokuroria Themelore Publike në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë lëshoi ​​Urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër dy personave për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë qenë bashkëkryerës në rrëmbimin e dy personave, njëri prej të cilëve ishte fëmijë. Mëngjesin e 5 majit, dy të dyshuarit rrëmbyen qëllimisht një person, duke e tërhequr zvarrë me forcë nga krahët dhe supet, dhe më pas e futën me forcë në makinën e tyre BMW X5. Në automjet, ata e sulmuan fizikisht, duke e goditur me grushte në kokë dhe në fytyrë dhe duke i kërkuar që të identifikonte personat që i morën paratë vajzës së njërit prej të dyshuarve, transmeton Portalb.mk.

“I frikësuar nga sulmi fizik dhe goditjet, i dëmtuari identifikoi dy persona dhe adresat ku mund të gjendeshin. Kur të dyshuarit nxituan të kërkonin dhe të pyesnin për të parin prej tyre, i dëmtuari arriti të largohej nga automjeti dhe ta raportonte incidentin në polici. Po atë pasdite, pranë ndërtesës së Gjykatës Themelore në Tetovë, dy të dyshuarit rrëmbyen edhe një nga personat e përmendur – një fëmijë gjashtëmbëdhjetë vjeç. I mituri u fut gjithashtu me forcë në makinë, filluan ta godasin me grushte dhe kërkuan të tregonte pse e kishte rrahur vajzën e njërit prej të dyshuarve”, thonë nga Prokuroria.

Ata i morën celularin fëmijës dhe e detyruan ta hapte për të lexuar mesazhet, pastaj e nxorën nga automjeti në një parking dhe vazhduan ta rrihnin me grushte dhe një shufër hekuri. Në një moment, i mituri arriti të arratisej dhe të raportonte ngjarjen.

Ekziston dyshimi i bazuar se me këto veprime të dyshuarit kanë kryer dy vepra penale – Rrëmbim personi sipas nenit 141 të Kodit Penal, njëra prej të cilave është formë më e rëndë e rrëmbimit sepse është kryer ndaj një të mituri. Duke pasur parasysh se janë përmbushur bazat ligjore, prokurori publik i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Tetovë për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit.