Historiani Niko Kotherja sjell ekskluzivisht në Manastir ekspozitën “Delegatët e Kongresit “Sami Pojani” dhe “Thoma Avrami” vepra e dy mësuesve dhe veprimtarëve të shkollës shqipe

Niko Kotherja është studiuesi dhe historiani korçar i cili sot me fillim nga ora 17:00 në Muzeun e Alfabetit në Manastir zbarkon ekspozitën e tij me titull “Delegatët e Kongresit “Sami Pojani” dhe “Thoma Avrami” jeta dhe vepra e dy mësuesve dhe veprimtarëve të gjuhës dhe shkollës shqipe”.  Përmes një bisede për Portalb.mk, bën të […]

Nëntor 16, 2024 - 12:00
 0  3
Historiani Niko Kotherja sjell ekskluzivisht në Manastir ekspozitën “Delegatët e Kongresit “Sami Pojani” dhe “Thoma Avrami” vepra e dy mësuesve dhe veprimtarëve të shkollës shqipe
Rilindasi dhe delegati i Kongresit, Thoma Avrami me nxënëse të shkollës femërore të "Korçës". Fotografi nga Niko Ktherja

Niko Kotherja është studiuesi dhe historiani korçar i cili sot me fillim nga ora 17:00 në Muzeun e Alfabetit në Manastir zbarkon ekspozitën e tij me titull “Delegatët e Kongresit “Sami Pojani” dhe “Thoma Avrami” jeta dhe vepra e dy mësuesve dhe veprimtarëve të gjuhës dhe shkollës shqipe”.  Përmes një bisede për Portalb.mk, bën të ditur për herë të parë për jetën dhe veprën e këtyre dy nga delegatët e Kongresit të Manastirit, veprimtarë të shquar të shkollës dhe gjuhës shqipe.

Niko Kotherja, foto nga arkivi personal
Niko Kotherja, foto nga arkivi personal

Portalb.mk: Çfarë do të paraqitni para publikut me këtë ekspozitë?

Niko Kotherja: Këtë radhë unë kam menduar që të dërgoj në godinën e Kongresit të Alfabetit një ekspozitë dhe njëkohësisht të përcjell një kumtesë, në lidhje me dy nga figurat e rëndësishme të lëvizjes patriotike shqiptare, dhe njëkohësisht ata kanë qenë dhe dy delegatët e Korçës, në atë që njihet si Kongresi i Manastirit, në nëntor të vitit 1908. Përmendëm figurën e Sami Pojanit dhe të Thoma Avramit, ose të shënuar në ato dokumentet e kohës me emrin Thoma Abrami, por që e shohim të ketë nënshkruar dhe të ketë botuar me të dyja format e mbiemrave të tij, janë dy prej personaliteteve të rëndësishme që kanë vepruar. Një ndër delegatët që morën pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ishte edhe Thoma Avrami, veprimtar i shquar i lëvizjeve me karakter të theksuar kombëtar. Aktivitetin e tij ai e shtriu në disa shtete të Evropës si dhe më tutje, duke përfshirë gjeografikisht një zonë të gjerë prej nga kontribuoi në çështjen kombëtare shqiptare.

Thoma Avrami u lind në Korçë, në vitin 1871. Në vitin 1889 përfundoi në Selanik kolegjin francez. U kthye në Korçë. Prej vitit 1889 deri më 1891, ai shërbeu pa rogë si mësues i shqipes në Mësonjëtore, duke u bërë një nga mbështetësit kryesorë të drejtuesit të shkollës Pandeli Sotirit. Pas largimit për në Stamboll të Pandeli Sotirit, Thoma Avrami i ndjekur nga qeveria turke shkoi në kryeqendrën e shqiptarëve, në Bukuresht, ku vijoi të organizohet në shoqëritë patriotike të Rumanisë. Këtu, në vitin 1897 bashkë me rilindasit Dervish Hima e Jovan Kuneshka bëhet një nga themeluesit e shoqërisë patriotike “Autonomia”. Më 1897, Thoma Avramin e shohim si bashkëpunëtor të ngushtë të rilindasit Faik Konica. Të dy ata themeluan dhe botuan revistën e famshme “Albania” në Bruksel.

Rilindasi dhe delegati i Kongresit, Thoma Avrami me nxënëse të shkollës femërore të "Korçës". Fotografi nga Niko Ktherja
Rilindasi dhe delegati i Kongresit, Thoma Avrami me nxënëse të shkollës femërore të “Korçës”. Fotografi nga Niko Ktherja

Gjatë kësaj periudhe, Avrami përgjatë dy viteve radhazi ndoqi studimet universitare në Bruksel, në degën e filologjisë. Por, i sëmurë, u detyra që të mos i përfundojë ato. Si krijues, punimet e para të Avramit i hasim në numrat e së përkohshmes “Albania”.

Do të sjelli dhe krijimet e rilindasit Visar Dodani, botuar nën titullin “Mjalt’ e mbletësë”, në vitin 1898, veprër kjo e botuar në Bukuresht. Thoma Avrami u bë një nga bashkëpunëtorët e rilindasit Shahin Kolonja dhe botoi shkrime të ndryshme në gazetën “Drita” që Kolonja nxirrte në Sofje të Bullgarisë.

Më 21 mars të vitit 1903, rilindasi Thoma Avrami filloi në Sofje botimin e revistës me titull “Vetëtima”, në gjuhët shqip dhe frëngjisht. Motoja e këtij organi ishte “Shqipëria e shqipëtarëvet”. Më 1904 Thoma Avrami nga Egjipti bashkë me rilindasin Milo Duçi filloi botimin e revistës “Besa”, e cila u botua në fundin e vitit 1904 për të vijuar deri në muajt e parë të vitit 1905. “Besa” ishte një revistë e përmuajshme që dilte në Kajro dhe përfaqësonte koloninë shqiptare të atjeshme.

Në gjysmën e dytë të vitit 1908, Avrami u kthye në Korçë, ku ishte rihapur shkolla shqipe dhe ai u emërua si mësues i kësaj shkolle. Si përfaqësues i Korçës dhe i klubit “Dituria Shqip”, Avrami u mandatua për të qenë delegat në Kongresin e Manastirit, mbajtur në nëntor të vitit 1908. Ai gjendet në fotografinë e delegatëve të Kongresit dhe njëkohësisht nënshkrimi i tij shihet në dokumentin e aprovimit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Në dhjetor të vitit 1909, në Korçë për herë të parë u vu në skenë drama kombëtare “Besa” e shkruar nga Sami Frashëri, ku ishte një nga interpretuesit e një prej roleve në këtë shfaqje, duke u bërë kështu një nga pionerët e interpretimit skenik shqiptar.

Përmendim këtu që Thoma Avrami është i pari që solli të përkthyer në shqip një roman nga greqishtja. Për herë të parë në godinën e Kongresit në Manastir do të sjelli veprën “Gabimi i tmeruarë” Thoma Avrami e përktheu n ë shqip dhe e botoi në vitin 1911 në Korçë, me mbështetjen e veprimtarit patriot Idhomene Kosturi.

Në vitin 1914, përkrah Themistokli Gërmenjit e Mihal Gramenos luftoi në Korçë kundër trupave greke që sulmuan qytetin dhe prej këtu shkoi në Rumani, ku u vendos në Kostancë dhe iu dedikua shkollës shqipe që e rihapi.

Në vitin 1919 u kthye në Korçë dhe një vit më vonë, më 1920 u emërua drejtor i Liceut Kombëtar të Korçës, detyrë që e ushtroi deri në vitin 1923.

Këtë periudhë, Avrami ishte pjesë e Trupës së Arsimtarëve të Korçës, të cilët në prill 1922 i ngarkuan mësuesit veteran botimin e organit të tyre, të emërtuar “Përlindja arësimëtare”, një e përkohëshme pedagogjike dhe letrare që filloi botimin në Korçë, më 15 qershor të vitit 1922 dhe vijoi për disa numra. Atdhetari i shquar Thoma Avrami, që i kushtoi jetën angazhimeve me karakter të theksuar patriotik e kombëtar, u nda nga jeta në dhjetor të vitit 1943.

Njëkohësisht do të kisha kënaqësinë që aty të ekspozoja edhe botimin e parë të vitit 1925 të të famshmit libër “Historia e Simpat Detarit” që është shqipëruar nga Thoma Avrami, dhe që është botuar në Korçë.

Në pjesën e aktivizimit të Thoma Avramit si mësues, do të ekspozoj aty tre numrat e parë të revistës “Përlindja Arsimtare” që është botuar në vitin 1922 në Korçë, nga Thoma Avrami.

Revista "Përlindja arësimëtare" botuar më 1922 nga veterani Thoma Avrami, fotografi nga studiuesi Niko Kotherja
Revista “Përlindja arësimëtare” botuar më 1922 nga veterani Thoma Avrami. Fotografi nga studiuesi Niko Kotherja

Botimi i kësaj reviste ishte vendimi i trupit pedagogjik të Korçës për të botuar aso kohe këtë revistë e cila mëtonte të sillte para syve të mësuesve të rinjë, atë formatin se si do të ishte mësuesi i ri i shqipes në atë kohë. Gjithashtu do të ekspozoj dhe numrat e vetme që janë botuar të revistës “Besa” e cila ka dalë në Kajro në tetor të vitit 1904 deri në fillimin e vitit 1905. Janë pesë numrat të cilat janë botuar nga Thoma Avrami dhe redaktori Milo Duçi, të cilat janë të shkruara në shqip, në frengjisht dhe në greqisht.

Për lexuesit tuaj dua që të sjell ndërmend se Thoma Avrami është autor i këngës himn, postulati shpirtëror, kombëtar e patriotik që Thoma Avrami ju la trashëgim brezave. Bëhet fjalë për këngën me titull “Dua më shumë Shqipërinë”, që në origjinalin e saj mban titullin “Dëshërim i mëmëdheut”. Kjo këngë himn mban autorësinë e Thoma Avramit dhe njëkohësisht unë do të ekspozoj aty një nga botimet e vjetra, ku gjendet teksti i plotë i kësaj kënge të interpretuar nga shqiptarët në vende të ndryshme, por njëkohësisht kjo këngë bën akoma pjesë edhe sot e kësaj ditë në repertuorit e korit të famshëm karakteristik të Korçës, korit “Lira”.

Më tutje, në pjesën tjetër të figurës së Sami Pojanit. Sami Pojani jetoi pak vite. Ai u nda nga jeta kur ishte 31 vjeç. Kur hedhim vështrimin në aktivitetin që ai ka zhvilluar dhe shenjat që la pas na duket e pamundur që një njeri brenda një periudhe kaq të shkurtër të jetës të ketë vepruar kaq vrullshëm. Fatmirësisht, jeta dhe veprimtaria e tij ka mbetur e fiksuar në një mori dokumentesh, që sot na shërbejnë për të hedhur dritë mbi një atdhetar të shquar, mbi Sami Pojanin. Do të ekspozoj numrat e gazetës “Korça” që ai ka filluar të botojë në të njejtin qytet në dhjetorin e vitit 1908. Janë disa numra interesant, të botimit të tyre origjinal.

Portreti i delegatit Sami Pojan, foto nga studiuesi Niko Kotherja
Portreti i delegatit Sami Pojan. Fotografi nga studiuesi Niko Kotherja

Sami Pojani u lind në Korçë në vitin 1880. Ishte vëllai i vogël i aktivistëve patriotë Orhan Pojani dhe Mahmud Pojani. Për të kuptuar se ku ze fill ndjenja kombëtare në jetën e Sami Pojanit na duhet të bëjmë një përshkrim të shkurtër të dy vëllezërve të tij. Orhan Pojani, bashkë me Jovan Kosturin dhe Thimi Markon është një nga themeluesit e Mësonjëtores së Parë Shqipe, veprimtar i dalluar që e hasim në shumë dokumente të kohës. Njëkohësisht, Orhan Pojani ishte kryetar i shoqërisë shkollore “Përparimi”, që u formua në Korçë si zbatim i njërit prej vendimeve të marra në Kongresin e Elbasanit, në shtator të vitit 1909, ku patrioti Orhan Pojani mori pjesë edhe si delegat i Korçës.

Është mbresëlënës moment i fundit i jetës së rilindasit Orhan Pojani, të cilin na e ka lënë të dokumentuar rilindasi Mihal Grameno. Me rastin e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, në vitin 1913 në Vlorë u zhvilluan kremtime e festime kombëtare. Në këto festime mbërriti edhe veteran kombëtar Orhan Pojani. Në momentin ceremonial të festimeve, kur në shtizë po ngrihej flamuri kombëtar, Orhan Pojani pësoi arrest kardiak nga emocioni i madh që ndjeu kur pa se në qiell po valëvitej i lirë flamuri kuq e zi. Vëllai tjetër i Sami Pojanit ishte Mahmud Pojani, që në dokumentet e kohës e gjejmë si pronarin e shtypshkronjës së njohur “Korça”.

Gazeta "Korça" që botonte delegati Sami Pojani. Foto nga stuediuesi Niko Kotherja
Gazeta “Korça” që botonte delegati Sami Pojani. Fotografi nga stuediuesi Niko Kotherja

Përmes kësaj shtypshkronje nuk u botuan vetëm libra e tekste shkollore, por edhe gazetat e revistat e përkohshme që panë dritën e botimit ato kohë në zonën e Korçës. Në këtë ambient familjar u lind dhe u rrit veprimtari i shquar Sami Pojani.

Në moshën 6 vjeçare, Samiu ishte një ndër nxënësit e parë të Mësonjëtores së Korçës, ku u mbrujt me dashurinë për Shqipërinë, gjuhën e shkollën shqipe. Më tutje vijoi mësimet në gjimnazin e qytetit dhe i përfundoi ato në Liceun e Manastirit. Nga Manastiri Sami Pojani shkoi në Stamboll, ku përfundoi shkollën e lartë të administratës. Më pas u emërua në pozicione të rëndësishme në krahina të ndryshme të administratës së perandorisë Osmane. Jetën si nëpunës i kësaj administrate Sami Pojani e vijoi deri në vitin 1906, kur u tërhoq nga detyra e nënprefektit të Kolonjës dhe iu dedikua tërësisht lëvizjes patriotike shqiptare.

Gjatë këtij viti Sami Pojani u lidh me veprimtarët e shquar të lëvizjeve me karakter kombëtar. Ai bashkëpunoi me Bajo Topullin, duke formuar në qytetin e Korçës degën e komitetit të fshetë “Për lirinë e Shqipërisë”, organizim që u krijua në nëntor të vitit 1905 në Manastir. Sami Pojani vendosi kontakte me luftëtarët e çetave të armatosura që vepronin në zonën e Korçës dhe më gjerë. Nga shënimët e miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij mësojmë se Sami Pojani “mori pjesë me komitët e Korçës në kohën e sultan Abdylhamitit, por qeveria ja dogji gjithë mallin që kishte.”

Sami Pojani në nëntor të vitit 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, si delegat i Korçës. Portretin e tij e shohim mes delegatëve të tjerë të fotografuar në qytetin e alfabetit dhe nënshkrimi i tij gjendet në aktin e përfundimit të mbledhjeve të Kongresit, ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe.

Gazeta "Drita" e datës 28 nëntor 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë shkruante për kontributin e patriotit Sami Pojani. fotografi nga Niko Kotherja
Gazeta “Drita” e datës 28 nëntor 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë shkruante për kontributin e patriotit Sami Pojani. fotografi nga Niko Kotherja

I entuziazmuar pas vendimeve të Kongresit të Manastirit, Samiu bashkë me vëllain e vet Mahmud Pojanin, bleu makineritë e shtypshkronjës që e vendosi në Korçë, duke çelur kështu shtypshkronjën “Korça”, në të cilën botoi gazetën e parë shqipe të titulluar me të njëjtin emërtim: “Korça”. Gazeta e përjavshme “Korça” filloi botimin e saj në dhjetor 1908 dhe u mbyll në vitin 1910. Drejtor i gazetës ishte Sami Pojani, ndërsa kryeredaktor Lytfi Zavalani. Në fillimet e botimit Sami Pojani u ndihmua edhe nga rilindasit Mihal Grameno dhe Hil Mosi.

Në një letër të tij të datës 24 korrik 1909, Sami Pojani i shkruan shoqërisë “Bashkimi” në Bukuresht, se: “Lipset ta dini se fillim i gazetës “Korça” dhe punërat që mund të bëjë shtypëshkronja e kësaj gazette nuk janë për fitimin e nonjë njeriu, po janë vetëm për mirësin e kombit tonë.”

Në zbatim të vendimeve të Kongresit të Elbasanit që zhvilloi punimet e veta në shtator 1909, u themelua në Korçë shoqëria e mësimit “Përparimi”. Trupa drejtuese e shoqërisë, sipas një dokumenti të datës 15 janar 1910, përbëhej nga kryetari Orhan Pojani, arkëtari Idhomene Kosturi, sekretari Mihal Grameno, nënkryetari Stavro Karoli dhe këshilltarët Sami Pojani, hafiz Ali Korça dhe Belul efendi Çiçko.

I sëmurë dhe i drobitur, Sami Pojani vijonte aktivizimin në lëvizjen patriotike shqiptare. I urdhëruar nga mjekët, për pak kohë u tërhoq në Këlcyrë, ku edhe ishte martuar, me shpresë se do t’i përmirësohej shëndeti nga klima. Edhe pse i pa mundur fizikisht, Sami Pojani iu ngjit karvanit me kuaj dhe udhëtoi në Korçë, ku arriti një ditë më parë se sa të zhvillohej mitingu madhështor për mbrojtjen e shkronjave shqipe, në shkurt 1910.

Hipur mbi një kalë të bardhë, rilindasi mbajti një fjalim historik për të kundërshtuar orientimet e shkrimit të gjuhës shqipe me shkronjat e alfabetit arab.

Sami Pojani deklaroi se shkronjat shqipe do t’i mbrojmë me gjak nëse do të jetë e nevojshme.  Kjo do të ishte dalja e fundit publike e Sami Pojanit. Javën e fundit të jetës u nis për të shkuar nëpër klinika të specializuara evropiane.

Kur arriti në Selanik u shtrua në spitalin italian. Aty dha frymën e fundit. Sami Pojani u nda nga jeta në moshën e 31 viteve të jetës. Gazetat të rrethuara me shiritin e zisë jepnin lajmin e ndarjes nga jeta të rilindasit dhe patriotit. “Koha” e Mihal Gramenos, në shkurt 1911, disa ditë pas vdekjes së Sami Pojanit shkruante: E pabesuar po mjerisht e vërtetë. Ai që quhej Sami Pojani vdiq! Le të derdhen lotët tona pa pushim. Le të qajë dhe vajtojë Shqipëria një nga bijtë e saj të dashur i cili mbylli sytë! Le të qajë shtypi shqip një nga themeluesit e shkëlqyer e të parë! Le të qajnë edhe kundërshtarët dhe armiqtë një burrë trim dhe kalorës!”

Gazeta "Koha" e Mihal Gramenos jep lajmin e vdekjes së patriotit Sami Pojanit, shkurt 1911, foto nga studiuesi Niko Kotherja
Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos jep lajmin e vdekjes së patriotit Sami Pojanit, shkurt 1911, foto nga studiuesi Niko Kotherja

Para jush sjell një citim nxjerrë prej një dokumenti, ku shkruhet: “Si kujtim më të shenjtë të këtij atdhetari të madh, Shqipëria mban emrin e tij dhe Korça ka një shtypshkronjë të cilën ai e kishte blerë me të hollat e veta dhe kur vdiq ja fali Bashkisë së Korçës.” Por, sot e kësaj dite, nga shtypshkronja e Sami Pojanit nuk ka mbetur asnjë gjurmë, ose të paktën një fragment që të shërbente si relike e historisë, e të vendosej në ndonjë stendë muzeu.”

Do të sjell për vizitorët edhe çertifikatat origjinale të dekorimit të figurës se Sami Pojanit në vitin 1962, portretet e tyre fotografike te Pojanit dhe të Avramit që do ti ekspozoj si dhe një kumtesë të këtyre dy delagtëve që kanë marrë pjesë në Kongresin e Manastirit. Pasi mendoj se që është shumë e rëndësishme që përtej njohjes të emrave te delegatëve që kanë marrë pjesë në atë Kongres, ti njohim dhe kontributet e tyre që ata kanë dhënë para dhe pas Kongresit të Manastirit.

Portalb.mk: Këto të dhëna për herë të parë për publikun i zbuloni sot?

Niko Kotherja: Absolutisht po, këto janë të dhënat që vinë për herë të parë, për publikun e Manastirit, me sa e di askush më parë nuk ka marrë një nismë, të shpalosë biografitë dhe portretet monografike të delegatëve të Kongresit të Manastirit.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për publikun?

Niko Kotherja: Një mesazh për shqiptarët e Maqedonisë, të jenë sa më të unifikuar rreth alfabetit të shqipes, të jenë sa më të unifikuar rreth çështjes shqiptare, duke lënë me një anë ndasitë politike. Të mendojnë për atë se çka është e rëndësishme, për atë se çfarë na kanë lënë paraardhësit tanë si amanet. Ata na kanë lënë mesazhe bashkimi, unifikimi dhe sjelljes sa më mirë ndaj të shkuarës tonë historike dhe njëkohësisht të tashmës tonë, e cila nesër do të jetë përsëri një e shkuar historike.