Hoti optimist se LDK-së do t’i kthehet elektorati: Nëse s’i fitojmë zgjedhjet, mbesim në opozitë
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka komentuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me Lëvizjen vetëvendosje. Ai tha se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i fiton zgjedhjet, kjo parti do të qëndrojë në opozitë, duke përjashtuar në këtë rast mundësinë e bashkëqeverisjes me LVV-në. “Ne jemi duke punuar për t’i fituar këto zgjedhje. Nëse marrim besimin e […]
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka komentuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me Lëvizjen vetëvendosje.
Ai tha se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i fiton zgjedhjet, kjo parti do të qëndrojë në opozitë, duke përjashtuar në këtë rast mundësinë e bashkëqeverisjes me LVV-në.
“Ne jemi duke punuar për t’i fituar këto zgjedhje. Nëse marrim besimin e qytetarëve, ne duhet të udhëheqim me qeverinë e Kosovës, e mandej koalicionet eventuale që mund të bëhen është çështje tjetër. Duhet të ndërtojmë koalicione të qëndrueshme dhe të përafërta me programin e LDK-së. Kjo pra nëse LDK-ja i fiton zgjedhjet. Nëse nuk i fiton zgjedhjet, LDK-ja duhet të mbetet në opozitë”, deklaroi deputeti i LDK-së, Hoti në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai shprehet i bindur se partisë së tij do t’i kthehet besimi nga elektorati, për shkak të, siç tha ai, dështimeve të Qeverisë Kurti.
“Unë jam i bindur se do të na kthehet besimi, sepse nuk ka si të ndodhë ndryshe. Jemi duke punuar në atë drejtim. Besoj se në këto 3-4 vite në opozitë, mund të ketë vërejtje elektorati ynë se sa kemi qenë aktivë në të bërit opozitë, por jemi munduar që të bëjmë një opozitë të strukturuar, të argumentuar duke mbrojtur interesat shtetërorë. Unë besoj që potenciali i LDK-së për të bërë opozitë është dukshëm më i madh sesa që kemi bërë opozitë deri tash”, u shpreh anëtari i Kryesisë së LDK-së.
“Unë tentoj të besoj që besimi do të kthehet në LDK, për shumë arsye. Është bërë një propagandë shumë e madhe që na ka kushtuar në zgjedhjet e fundit. Koha ka treguar që ai rezultat i LDK-së nuk ka qenë i drejtë, nuk e kemi merituar, sepse kemi treguar kompetencë për të udhëhequr me përgjegjësi të lartë. Koha ka dëshmuar që mbështetjen që këta e kanë marrë më 2021 nuk e kanë merituar. Të gjitha premtimet, pa përjashtim, janë shkelur në të gjitha drejtimet. Është lista e premtimeve të dhëna atëherë, asnjë nga to nuk është realizuar – ama absolutisht asnjë! As në ekonomi, as në arsim, as në shëndetësi, as në çështje të jashtme”, deklaroi Hoti.
“Për të gjitha këto arsye, unë besoj që qytetarët do ta kthejnë besimin në LDK”, potencoi ish-kryeministri Avdullah Hoti.