Incidenti me Presidenten në Shkup, zëdhënësi i Kurtit shpërndan reagimin e Ministrisë së Jashtme
Zyra e Kryeministrit ka bërë një reagim lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi Presidentja Vjosa Osmani. Kurti nuk e ka thënë ende asnjë fjalë, mirëpo zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu e ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, raporton Express. MPJD […]
Zyra e Kryeministrit ka bërë një reagim lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi Presidentja Vjosa Osmani.
Kurti nuk e ka thënë ende asnjë fjalë, mirëpo zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu e ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, raporton Express.
MPJD ka thënë se me shqetësim ka mësuar rreth incidentit, e trajtimin ndaj Osmanit e ka quajtur jodinjitoz.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tone”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Bekim Kupina, Këshilltar për Media në presidencë, ka deklaruar Gazetën Express se sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes, gjë të cilën nuk e ka lejuar Osmani.
Sipas Kupinës, sigurimi më pas ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten dhe se pastaj ka reaguar Policia e Kosovës për të hapur rrugën.
“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, tha Kupina për Gazetën Express.