Inflacioni në RMV: Një pjesë e produkteve bazë dhe lëndëve të para u shtrenjtuan, ka ende rrezik për rritje të çmimeve (Infografik)
Rritja e çmimeve të sheqerit, mishit, vajit në muajin korrik në bursat botërore. Rënia e çmimit të qumështit, produkteve të qumështit dhe drithërave. Institucionet financiare në vend presin një inflacion të kontrolluar dhe më të ulët në vitin 2024, por përsëri nën hijen e rreziqeve. Nëpër markete dhe tregje të gjelbra ka rritje të çmimeve […]
Rritja e çmimeve të sheqerit, mishit, vajit në muajin korrik në bursat botërore. Rënia e çmimit të qumështit, produkteve të qumështit dhe drithërave. Institucionet financiare në vend presin një inflacion të kontrolluar dhe më të ulët në vitin 2024, por përsëri nën hijen e rreziqeve. Nëpër markete dhe tregje të gjelbra ka rritje të çmimeve të produkteve që përmbajnë sheqer, kakao, pastaj te një pjesë e produkteve të qumështit, pijeve joalkoolike, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Çmimet e sheqerit, mishit, qumështit, vajit, drithërave
Në muajin korrik është vënë re një rënie e parëndësishme, por gjithsesi e lehtë në Indeksin e Çmimeve të Ushqimit të matur nga FAO; Organizata Botërore e Ushqimit. Të dhënat e FAO-s, të cilat janë të rëndësishme sepse japin një pasqyrë të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe lëndëve të para për prodhim, paraqesin bazë dhe sinjal për lëvizjet e çmimeve edhe në vendin tonë.
Të dhënat e fundit të FAO-s tregojnë se në muajin korrik ka rritje të çmimeve të mishit, sheqerit dhe vajit bimor (vaji për gatim), ndërsa rënie të çmimeve ka tek drithërat dhe produktet e qumështit.
Rënia më e madhe është shënuar te çmimet e drithërave. Në muajin korrik, krahasuar me qershorin, rënia është 3,8%, ndërsa krahasuar me korrikun e vitit 2023, rënia është 12%. Ulja e çmimeve është kryesisht rezultat i rritjes së disponueshmërisë sezonale të grurit dhe rritjes së prodhimit dhe stoqeve të mëdha në vendet, prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj, si Brazili, Argjentina. Çmimet e qumështit dhe produkteve të qumështit në korrik janë kryesisht të pandryshuara në krahasim me qershorin, por në krahasim me korrikun e vitit 2023, FAO vëren një rritje të konsiderueshme të çmimeve prej 7,2%.
Çmimet e vajit bimor (një nga lëndët e para kryesore në industrinë ushqimore) janë në rritje të vazhdueshme. Në bazë mujore, në muajin korrik krahasuar me qershorin, indeksi i çmimit të vajit bimor është rritur për 2,4%, si dhe ka rritje të çmimeve krahasuar me korrikun e vitit 2023.
“Te çmimet e vajit bimor ka një rritje të dytë radhazi, në nivelin më të lartë të këtij një viti e gjysmë të fundit. Rritja e vazhdueshme është një reflektim i rritjes së kuotimit global të vajrave të palmës, sojës, lulediellit dhe vajit të rrepës”, deklarojnë nga FAO.
Çmimet e sheqerit, që është edhe një tjetër lëndë e parë e rëndësishme për prodhim, kanë një tendencë rritjeje në muajin e dytë, por ende dukshëm më të ulëta, për 17,9%, krahasuar me korrikun e vitit 2023. Krahasuar me muajin qershor, indeksi i çmimeve është rritur për 0,7%. Çmimet e mishit po rriten gjithashtu. Në muajin korrik, krahasuar me qershorin, indeksi i çmimeve të mishit është rritur për 1,2%, ndërsa krahasuar me korrikun e vitit të kaluar është rritur për 0,8%.
Inflacioni megjithatë “lulëzon” në vendin tonë…
Një kilogram domate mbi 69 denarë, një kilogram speca mbi 100 denarë, një kilogram pjeshka afërsisht 80 denarë – vera po mbaron por çmimet e frutave dhe perimeve (në ofertën e rritur sezonale) nëpër markete dhe tregje të gjelbra mbetën “të nxehta”.
Bie në sy se çmimet e produkteve që përmbajnë sheqer, si çokollata dhe llojet e tjera të ëmbëlsirave kanë pësuar rritje, ndërsa ka korrigjime te çmimet e një pjese të mishit dhe produkteve të mishit.
Edhe pse institucionet e vendit si Ministria e Financave dhe BPM parashikojnë një inflacion të moderuar që do të gravitojë rreth 3%, në jetën e përditshme çmimet e produkteve ushqimore bazë e hollojnë standardin.
Sipas statistikave, në muajin korrik në krahasim me qershorin, shpenzimet për jetesë janë rritur për 0,8%, por në krahasim me korrikun e vitit të kaluar për 3%. Rritja më e madhe vjetore e çmimeve në shpenzimet e jetesës është për kafe, çaj, kakao për 8,7%, pastaj për pijet joalkoolike për 6,7%, për sheqerin, mjaltin rritja është për 5,6%, ndërsa kostoja e mishit është rritur për 2%, për qumështin, djathin, vezët për 2,8%, ndërsa për vajin 1,5%. Të gjitha këto produkte janë pjesë e shportës bazë të konsumit, e cila sipas LSM-së në korrik ka arritur në 981 euro ose 60.325 denarë. Nga kjo shumë, 22.000 denarë shpenzohen vetëm për ushqim dhe pije, që paraqet 36,3% të shumës totale të nevojshme për të kaluar muajin. Sipas vlerësimeve të BPM-së, presioni i çmimeve do të bie, por ka ende rreziqe.
Rishikimet në lidhje me çmimet e importit janë kryesisht në rënie, por pasiguria dhe rreziqet rritëse që lidhen me dinamikën e ardhshme të çmimeve të produkteve primare në bursa për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe ndryshimeve klimatike ende ekzistojnë”- thuhet nga BPM.
Sipas parashikimeve të reja në buxhetin e ribalancuar, ky vit duhet të mbyllet me një normë inflacioni prej 3,5%.