Interneti, tokë për mbjellje të urrejtjes, institucionet jofeketive, veprat të pandëshkueshme

Një burrë nga Demir Kapia mori dënim me burg me kusht në kohëzgjatje prej një viti, pasi vjet në muajin korrik në Facebook ka shkruar dy komente me gjuhë të urrejtjes ndaj komunitetit LGBT+. Duke komentuar në këtë rrjet social ai ka bërë thirrje për dhunë ndaj grupit të margjinalizuar, për të cilën Gjykata Themelore […]

dhjetor 14, 2024 - 12:00
 0  6
Interneti, tokë për mbjellje të urrejtjes, institucionet jofeketive, veprat të pandëshkueshme
Fotografi e gjeneruar me IA, në Canva

Një burrë nga Demir Kapia mori dënim me burg me kusht në kohëzgjatje prej një viti, pasi vjet në muajin korrik në Facebook ka shkruar dy komente me gjuhë të urrejtjes ndaj komunitetit LGBT+. Duke komentuar në këtë rrjet social ai ka bërë thirrje për dhunë ndaj grupit të margjinalizuar, për të cilën Gjykata Themelore në Negotinë sipas aktpadisë së Prokurorisë në Kavadar miratoi aktgjykim. Sipas gjykatës në Negotinë, ai ka kryer vepër penale “përhapje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”. Aktgjykimi i cili u miratua në mars të këtij viti është shembull i parë në praktikën gjyqësore vendore për sanksionimin e gjuhës së urrejtjes në bazë të orientimit seksual, shkruan Kanal 77.  

Publiku për aktgjykimin e parë dënues të këtij lloji, mësoi përmes kumtesës nga Qendra Kuir e Shkupit prej ku e përshëndetën vendimin, por përkujtuan se gjuha e urrejtjes sipas legjislacionit të Maqedonisë është vepër penale që prej para dhjetë vitesh.

Që atëherë, gjuhës së urrejtjes i rritet intensiteti me hovin gjithnjë më të madh të digjitalizimit.

“Gjuha e urrejtjes, komunikimi negativ, mostoleranca, padurimi, gjithsesi se edhe më parë kanë qenë pjesë e komunikimit shoqëror dhe kulturës politike, por me zhvillimin e teknologjive të komunikimit kjo është përshpejtuar për arsye të thjeshtë që këto teknologji janë të disponueshme lehtësisht. Ato mundësojnë lidhje të lehtë me përdoruesit e tjerë dhe anonimitet, e ajo që është më e rëndësishme është që të mos ketë kurrfarë pasoja të drejtpërdrejta nga praktikimi i gjuhës së urrejtjes dhe realizimi i njëfarë lloji të mostolerancës”, konsideron prof. dr. Sead Xhigall, komunikolog.

Sead Xhigall. Foto: Metamorfozis
Sead Xhigall. Foto: Metamorfozis

Mediat e reja u bënë “tokë pjellore” për gjuhën e tillë e cila mund të rezultojë edhe me dhunë fizike – thonë njohësit që i kontaktoi MMS-ja.

Megjithatë, ato janë dakord se institucionet nuk i njohin mjaftueshëm rastet e tilla. Procesuimi i tyre i rrallë nuk është gjë tjetër veçse një shtytje për ato që e përhapin gjuhën e urrejtjes.

Dhjetëra denoncime, por asnjë epilog – përvojë e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

Dhe vetëm Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka parashtruar në organet e ndjekës dhjetëra denoncime për gjuhën e urrejtjes në internet. Prej tyre për asnjërën nuk është parashtruar padi, e si rrjedhojë, nuk ka asnjë epilog gjyqësor.

Për njërën prej rasteve, Komiteti ka vendosur që drejtësinë ta kërkojë para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes ndaj orientimit seksual dhe identitetit gjinor të kryer nga lider i partisë politike. Rasti ishte denoncuar në PTHP Shkup, por denoncimi ishte refuzuar dhe vërtetuar nga Prokuroria e Lartë. Në afatin e përcaktuar u parashtrua ankesë në Strasburg, por deri në këtë moment nuk kemi vendim nga GJEDNJ-ja”, sqaron MMS-ja, Sllavica Anastasovska, koordinatore e projektit në Komitetin e Helsinkit.

Kjo shoqatë civile promovoi edhe Platformë për hartëzim të gjuhës së urrejtjes në vitin 2014, kur Kuvendi me procedurë urgjente e ndryshoi Kodin Penal, me ç’rast gjuha e urrejtjes u bë vepër penale.

Denoncimet që arrijnë në Komitetin e Helsinkit përmes kësaj Platforme tregojnë se më e përfaqësuar është gjuha e urrejtjes në bazë të kombësisë, përkatësisë etnike, përkatësisë politike dhe orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

“Në platformën tonë në krye të listës gjendet gjuha e urrejtjes sipas përkatësisë etnike, dhe atë në pjesën më të madhe ndërmjet të dyja komuniteteve më të mëdha etnike në shtet – komuniteti maqedonas dhe shqiptar. Janë vërejtur edhe paragjykime dhe stereotipa ndaj komunitet etnik rom. Kategoria e dytë është gjithsesi komuniteti LGBTI ose gjuha e urrejtjes në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Kjo gjuhë rritet në mënyrë proporcionale me rritjen e dukshmërisë së këtij komuniteti për shembull në muajin e krenarisë”, thotë Anastasovska.

Nga fillimi i këtij viti e deri më 30 shtator, janë regjistruar gjithsej 1057 raste të platformës me elemente të gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës shqetësuese.

Fotografi e gjeneruar me IA, në Canva
Fotografi e gjeneruar me IA, në Canva

“Në numrin më të madh të këtyre rasteve janë regjistruar në mediat sociale”, shton bashkëbiseduesja jonë.

Se gjuha e urrejtjes është në rritje, kur bëhet fjalë për hapësirën e internetit, thekson edhe Prokuroria Publike Republikane.

-Për sa u përket arsyeve më të shpeshta për gjuhën e urrejtjes ose krimin e kryer nga urrejtja, si dhe në lidhje me përkatësinë ndaj grupeve të caktuara individësh që janë më shpesh viktima të këtyre veprave penale, prokuroritë publike veprojnë ndaj denoncimeve për baza të ndryshme dhe pothuajse ndaj të gjitha grupeve të margjinalizuara.  Megjithatë, kur bëhet fjalë për hapësirën e internetit, vërehet një rritje e gjuhës së urrejtjes apo rrezikimeve dhe kërcënimeve ndaj grave, ndaj pjesëtarëve të popullatës LGBT dhe në bazë të kombësisë – thonë nga Prokuroria.

Redaksia jonë e pyeti këtë institucion se sa akuza janë parashtruar në dhjetë vitet e fundit për të dyja nenet e kodit penal që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes (neni 319 dhe 394), por shërbimi për marrëdhënie me publikun na bëri me dije shkurtimisht se veprat e cekura penale nuk veçohen në statistikë të veçantë të prokurorive publike.

A pikërisht për monitorimin e lehtësuar rrjedhës të lëndëve lidhur me veprat penale të kryera nga urrejtja dhe diskriminimi, Prokuroria Themelore Publike Shkup fillimisht emëroi prokuror publik i cili është i ngarkuar ta monitorojë procesuimin e lëndëve të tilla.

E pyetëm Prokurorinë se si është bashkëpunimi me sektorin joqeveritar të prokurores Emilija Mizo Dimkov, e cila u emërua për t’i monitoruar lëndët e tilla, dhe morëm përgjigje se kjo është një pikë kontakti e veçantë me denoncuesit që i përfaqësojnë interesat e personave që paraqiten në cilësi të të dëmtuarve.

“Nga emërimi i saj, prokurorja Mizo është vazhdimisht e disponueshme për të gjitha kërkesat e tilla, e në lidhje me veprimin e prokurorisë së Shkupit në këtë periudhë është evidentuar edhe një aktgjykim në bazë të pranimit të fajit kundër shkupjanit 30 vjeçar, i cili i përballur me prova të mbledhura nga prokuroria pranoi fajin për veprën penale – Dhunë në formë kualifikuese të kryer nga urrejtja”, theksojnë nga shërbimi për marrëdhënie me publikun të Prokurorisë Publike.

Zero denoncime në tre vitet e para nga futja e gjuhës së urrejtjes në Kodin Penal

Në ndërkohë, statistika e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregon se qytetarëve të Maqedonisë u janë nevojitet tre vite për të filluar ta denoncojnë përhapjen e gjuhës së urrejtjes në internet. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2017, policia nuk ka marrë asnjë denoncim për veprën penale “përhapje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”.

Nga viti 2018 e deri tani, numrat ndryshojnë, por më shumë vepra penale të regjistruara sipas kësaj baze, por edhe autorë të denoncuar penalisht ka pasur në vitin 2022.

Burimi: MPB
Burimi: MPB

Denoncimet për gjuhën e urrejtjes në internet që arrijnë në MPB, më së shpeshti kanë të bëjnë me përkatësinë e një grupi të caktuar sipas përcaktimit gjinor.

-Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, vepron sipas denoncimeve në lidhje me nenin 394-g të KP të RMV “Përhapje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”, përkatësisht pranon denoncime nga qytetarët që më së shpeshti janë dorëzuar me shkrim ose në formë elektronike, në adresën elektronike zyrtare të Sektorit. Pastaj, çdo denoncim shqyrtohet veçmas dhe nëse i përmban elementet e veprës së përmendur penale, dorëzohet me Njoftim në PTHP Shkup dhe veprohet më tutje në koordinim me ato – theksojnë nga Sektori për marrëdhënie me publikun në MPB-në, në përgjigjen dorëzuar MMS-së.

Gjuha e urrejtjes – parakusht për krimin nga urrejtja, paralajmërojnë nga zyra e Avokatit të Popullit

Megjithëse numri është i vogël, qytetarët i denoncojnë rastet e gjuhës së urrejtjes edhe te Avokati i Popullit.

Nga ky institucion potencojnë se parashtresat e llojit të tillë i ridërgojnë në Këshillin për Etikë në mediat, por vetëm nëse bëhet fjalë për portale në të cilat është shqiptuar gjuha e urrejtjes ndaj një grupi të caktuar të margjinalizuar. Kur gjuha e urrejtjes përhapet në rrjetet sociale, Avokati i Popullit nuk vepron sepse siç thonë prej atje, ato janë media private për të cilat ato nuk kanë kompetencë të veprojnë.

-Përveç në Këshillin për Etikë, AP-ja nuk ka procesuar dhe nuk ka vepruar për lëndë të tilla, me ç’rast parashtruesit i udhëzojnë dhe i orientojnë që të drejtat e tyre t’i kërkojnë para Prokurorisë Publike ose Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi – potencojnë në përgjigjen me shkrim.

Duke treguar për rrezikun nga gjuha e urrejtjes, nga zyra e Avokatit të Popullit alarmojnë se kjo është një dukuri e cila mund të çojë edhe në krim nga urrejtja.

I ngjashëm është edhe qëndrimi i profesorit Xhigall, i cili thotë se sipas hulumtimeve të shumta, gjuha e tillë është fitil për dhunë fizike.

Dhuna ndaj grave, dhunë Foto: Milena Anđela/novinarkeprotivnasilja.org
Dhuna ndaj grave, dhunë Foto: Milena Anđela/novinarkeprotivnasilja.org

„Gjithmonë dhuna fizike paraqitet si fazë e fundit e dhunës verbale. Rekomandimet edhe të komunikologëve edhe të psikologëve janë që të mos mundësohet përhapje dhe praktikim kaq i lehtë i dhunës verbale, mostolerancës verbale e cila ndonjëherë nxit dhunë fizike”, paralajmëron komunikologu.

Për pasojat e dëmshme nga gjuha e tillë bëjnë me dije edhe nga zyra e Avokatit të Popullit.

“Gjuha e urrejtjes si koncept ka të bëjë me një spektër të tërë të gjuhës negative, duke filluar nga gjuha e cila shpreh, nxit, bën thirrje për ose promovon urrejtje, deri te fjalët dhe epitetet ofenduese, e madje edhe deri te përmendja e shembujve ekstreme të paragjykimeve, stereotipave dhe anshmërisë”.

Nga zyra e Ombudsmanit në përgjigjen me shkrim drejtuar MMS-së, japin edhe  një sqarim “plastik” për atë si ta njohim gjuhën e urrejtjes.

-Krahas gjuhës së drejtpërdrejtë, gjuha e urrejtjes përfshin edhe shumë forma tjera të shprehjes, si për shembull: përdorimi publik i simboleve ofenduese, për shembull: svastika (kryq i thyer) që është simbol nazist; shenja dhe simbole që kanë ose përmbajnë ofendime dhe shfaqen në parada, protesta, fjalime publike etj.; djegia e kryqeve ose djegia e flamujve dhe simboleve të grupeve të caktuara fetare, shteteve dhe kombeve të caktuara; të shkruarit grafitë me përmbajtje ofenduese, si dhe ngjitja e afisheve me përmbajtje të tillë; shpërndarja e fletushkave me përmbajtje të tillë; shprehja përmes TV-së dhe radios, e së fundi edhe shprehja në Internet dhe përdorimi i rrjeteve sociale që te ne është inkriminuar përmes nenit 394-g të KP-së, theksojnë prej atje.

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në politikë – shkak shtesë për shqetësim

Tema është kaq e ndërlikuar, saqë autorët mund të analizohen edhe në aspektin psikologjik edhe sociologjik.

Skamja, pasiguria, rreziku social janë vetëm pjesë e faktorëve që mund të shërbejnë si shkas për ato që e përhapin gjuhën e urrejtjes si ventil shfryrës të fshehur pas tastierës.

“Lidhur me profilin psikologjik të personit ose grupet që e bëjnë këtë, gjithsesi disa faktorë ekonomikë, socialë mund të ndikojnë që këto njerëz të inkurajohen, të nxiten, t’i lëshojnë ato mekanizma kontrolluese (si psikologjike, ashtu edhe sociologjike). Ndërkaq, kërcënohen, praktikojnë edhe gjuhë të urrejtjes dhe vepra të dhunshme të urrejtjes. Këto raste vërtet duhet të analizohen në veçanti që të përcaktohen në mënyrë precize faktorët e ndikimit”, konstaton prof. dr. Xhigall.

Sipas tij, shqetëson gjithashtu edhe ajo që gjuha e urrejtjes përdoret edhe për qëllimet politike.

“Rrjetet sociale ndonjëherë janë fushë e komunikimit e cila është e menduar dhe e organizuar në mënyrë të planifikuar kundër atyre që mendojnë ndryshe, partive ose oponentëve tjerë në bazë ideologjike, fetare, etnike, gjuhësore nga shumica ndaj grupeve pakicë. Ky është fakt shqetësues sepse këtë lloj të komunikimit me frikësim, mostolerancë dhe gjuhë të urrejtjes përpiqet ta përdorë si mjet për mobilizim politik, partiak ose mobilizim tjetër”, paralajmëron bashkëbiseduesi ynë.

Praktika e keqe gjyqësore, shkaqet e ndërlikuara

Përballja me gjuhën e urrejtjes sipas tij, është diçka që institucionet duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre. Megjithatë, kjo nuk mjafton. Kjo temë duhet të marrë vëmendje më të madhe edhe në programet arsimore.

“Me gjasë ekspertët juridike mund të ofrojnë zgjidhje më të mira që në mënyrë më specifike të kontekstualizohen dhe precizohen llojet e ndryshme të gjuhës së urrejtjes dhe akteve të dhunshme të urrejtjes. Pastaj mund të përmirësohet kapaciteti lidhur me atë se si informohet për rastet e tilla, si procesuohet ajo në vetë institucionet, të përmirësohet kapaciteti i tyre dhe jo vetëm t’i pranojnë informacionet por edhe t’i zgjidhin në mënyrë efikase. Gjithsesi këtu është shumë i rëndësishëm edhe edukimi, të përfshihen më shumë përmbajtje në programet arsimore, por edhe të përmirësohet kapaciteti i organizatave joqeveritare të ndërmerren një pjesë e aktiviteteve”, përfundon Xhigall.

Nga zyra e Avokatit të Popullit rekomandojnë kornizë institucionale e cila do të kryejë parandalim, ndjekje, kontroll dhe sanksionim të gjuhës së urrejtjes dhe krimit nga urrejtja.

Ky institucion ka edhe propozime të tij për atë se çfarë mekanizma mund të përdorë shteti në këtë drejtim:

-Shteti duhet të vendosë sistem adekuat për ndjekje dhe denoncim të kryerjes dhe hulumtimit të gjuhës së urrejtjes, të mundësojë sistem të ndihmës juridike falas për viktimat e gjuhës së urrejtjes, të punojë në rritjen e vetëdijes publike të qytetarisë, dhe të realizojë vazhdimisht trajnim të policisë, prokurorëve dhe gjykatësve, shërbimeve që janë më të thirrur për të vepruar në pjesën e parandalimit, procesuimit dhe sanksionimit të autorëve të gjuhës së urrejtjes, si dhe në pjesën e pasojave eventuale që mund të dalin nga gjuha e tillë – thuhet në përgjigjen institucionale.

Sektori civil i cili e ndjek këtë çështje, e përshkruan gjuhën e urrejtjes si “dukuri shoqërore malinje” e cila është gjithnjë më e pranishme në diskursin publik në vend.

“Të dhënat tona tregojnë se gjuha e urrejtjes dhe gjuha shqetësuese rritet në kontekst të evenimenteve aktuale shoqërore-politike dhe me rritjen e dukshmërisë së komuniteteve të margjinalizuara”, thotë Anastasovska nga Komiteti i Helsinkit.

Emërimin e prokurorit për ndjekje të lëndëve për vepra penale nga urrejtja dhe diskriminimi, ajo e vlerëson si një pikë të ndritshme në komunikimin e Prokurorisë me organet joqeveritare. Megjithatë, praktika gjyqësore në sanksionimin e gjuhës së urrejtjes,  nuk është e mirë – konstaton bashkëbiseduesja jonë.

“Shkaqet pse nuk kemi praktikë të mirë gjyqësore janë të ndërlikuara, nga njohja e pamjaftueshme e gjuhës së urrejtjes deri te perceptimi dhe vullnetari i prokurorisë”, thekson Anastasovska.

Gjuha shqetësuese ose gjuha me të cilën thirren në diskriminim, të përfaqësuar në 30% të parashtresave në KPMD

Telefon, Foto: Gilles Lambert/ Unsplash
Telefon, Foto: Gilles Lambert/ Unsplash

Përveç MPB-së dhe Prokurorisë, Komiteti i Helsinkit e raporton gjuhën e urrejtjes edhe në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, andaj e pyetëm këtë organ se çfarë kompetencash ka në procesuimin e rasteve të tilla.

Nga Komisioni na u përgjigjën se kur konstatojnë gjuhë shqetësuese japin rekomandime për heqjen e cenimit të së drejtës.

– Kjo mund të përfshijë fshirjen ose heqjen e një postimi që përmban gjuhë shqetësuese, kërkim faljeje publike, të përmbajturit nga një fjalim i tillë në të ardhmen dhe/ose ndjekjen e trajnimeve për të sensibilizuar diskriminuesin e përcaktuar. Nëse diskriminuesi nuk vepron sipas rekomandimit brenda afatit të caktuar, KPMD-ja paraqet kërkesë për nisjen e procedurës për kundërvajtje në gjykatën kompetente – sqaron Komisioni.

Mendimet që ajo i sjell mund të përdoren në procedurat gjyqësore që lidhen me gjuhën e urrejtjes si vepër penale, por edhe në cilat do raste të diskriminimit të konstatuar. Komisioni ka edhe kompetencë ligjore për të nisur procedura me detyrë zyrtare, dhe ekipi për marrëdhënie me publikun thekson se këtë mundësi ligjore e kanë shfrytëzuar disa herë deri më tani.

– Më së shpeshti hapet procedurë sipas detyrës zyrtare për rastet kur ka indikacione për një formë më të rëndë të diskriminimit, për diskriminim që mbulon një numër më të madh njerëzish, ose me pak fjalë, sa herë që ka interes social ose strategjik për të – thonë nga KPMD-ja për MMS-në.

Në përgjigjen me shkrim për redaksinë tonë, ata shtojnë se në rastet e diskriminimit që i kanë konstatuar deri më tani në fushën e diskriminimit publik, ka qenë në formën e shqetësimit apo gjuhës me të cilën bëhet thirrje, nxitje ose jep udhëzime për diskriminim.

Nga fillimi i funksionimit të tij, pra nga viti 2021 e deri më sot, Komisioni ka pranuar 398 raste për mbrojtje nga diskriminimi në fushën e informimit publik dhe medias. Ky numër paraqet pothuajse 31% të numrit të përgjithshëm të parashtresave.

KPMD-ja ka konstatuar diskriminim në 73 raste, në 45 prej rasteve nuk është konstatuar diskriminim, ndërsa 271 kërkesa janë refuzuar (kryesisht për shkak të mungesës së kompetencës së Komisionit për të vepruar ose për shkak të parregullsisë së parashtresës). Për nëntë lëndët e mbetura, procedura është në vazhdim e sipër, theksuan nga Komisioni në përgjigjen drejtuar MMS-së.

Autore: Vanja Micevska

Ky shkrim është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti për diversitet 2.0 – Agjendë e re.