Ish-ambasadori Dedaj: Është hera e parë që Kosova i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut

Kosova i ka dërguar dje notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të “trajtimit jo të drejtë” të presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit më 1 gusht. Në një reagim publik të Zyrës së Presidentes, u tha se Presidenca e Kosovës është e indinjuar me deklarimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e […]

gusht 3, 2024 - 20:30
 0  5
Ish-ambasadori Dedaj: Është hera e parë që Kosova i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut

Kosova i ka dërguar dje notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të “trajtimit jo të drejtë” të presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit më 1 gusht.

Në një reagim publik të Zyrës së Presidentes, u tha se Presidenca e Kosovës është e indinjuar me deklarimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, lidhur me situatën që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja Osmani, derisa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të ngjarjes.

Presidenca kosovare kërkoi nga autoritetet në Shkup që “në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Kosovës”, me urgjencë të trajtojnë këtë rast dhe të merren masa “ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës”.

Lidhur me këtë rast ka reaguar dhe ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Dedaj për televizionin Klan Macedonia tha se është hera e parë që Kosova i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke hedhur poshtë deklaratat e koalicionit shqiptar në qeveri, VLEN se incidente të tilla diplomatike kanë ndodhur dhe në të kaluarën.

Dedaj shtoi se pavarësisht incidentit, raste të tilla nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve.

Se Kosova për herë të parë ka dërguar notë proteste ndaj Maqedonisë së Veriut, e kanë konfirmuar për Klan M dhe nga ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Përpos kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se përveç notës së protestës, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, mbrëmjen e 1 gushtit e ka thirrur në bisedë sqaruese ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Kosovë dhe po ashtu është takuar me zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, me të cilin ka biseduar për këtë ngjarje dhe pasditen e së premtes ka pranuar një “telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. /tvklan.mk