Janevska: Asnjë mësues nuk do të mbesë pa punë për shkak të konceptit të ri të reformës në arsimin e mesëm

Asnjë mësues nuk do të mbetet pa punë për shkak të konceptit të ri të reformës në arsimin e mesëm. Përkundrazi, është bërë me qëllim që mësuesit të jenë më të angazhuar, që nxënësit tanë të shkojnë të paktën dy shkallë më lart në testet PISA. Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, nga […]

Jan 30, 2025 - 21:00
 0  5
Janevska: Asnjë mësues nuk do të mbesë pa punë për shkak të konceptit të ri të reformës në arsimin e mesëm
Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës. Foto: MASH

Asnjë mësues nuk do të mbetet pa punë për shkak të konceptit të ri të reformës në arsimin e mesëm. Përkundrazi, është bërë me qëllim që mësuesit të jenë më të angazhuar, që nxënësit tanë të shkojnë të paktën dy shkallë më lart në testet PISA. Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, nga foltorja e Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Daniella Nikollova nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), e cila iu referua reagimeve të ekspertëve për konceptin e propozuar, me të cilin, siç tha ajo, lëndët sociologji dhe filozofi do të bëhen zgjedhore, kurse etika, logjika dhe pedagogjia do të shfuqizohen plotësisht, gjë që do të kontribuojë gjithashtu që shumë profesorë të humbasin vendin e punës, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me akuzat e deputetes Nikolova se nuk ka debat serioz publik për një reformë kaq serioze, ministrja Janevska tha se projekt-koncepti është vënë në debat para opinionit të gjerë.

“Nuk është e vërtetë që nuk ka debat publik. Kam qenë në Fakultetin Filozofik dhe jam takuar me dekanin, me drejtuesit e instituteve. Biseduam dhe mendoj se diskutimi ishte konstruktiv. Ne ramë dakord që brenda tetë deri në dhjetë ditë të bëjnë një propozim se cili duhet të jetë konceptimi”, tha ajo.

Ajo theksoi se arsimi i mesëm nuk është reformuar prej 24 vitesh dhe se nxënësit kanë kaq vite që mësojnë me të njëjtat tekste.

Sipas saj, të gjitha lëndët me zgjedhje, çdo aktivitet shtesë i mësuesit do të vlerësohet edhe nëse janë 16 orë për lëndë dhe katër orë për çdo lëndë tjetër me zgjedhje.

Ajo përsëriti se nuk ka rrezik që mësuesit të humbasin vendin e punës.

Akuzave se me heqjen e lëndëve të caktuara, nxënësit do të mbeten pa mendim kritik, Janevska tha se programi do të pësojë ndryshime, do të ketë debate publike për gjithçka që duhet të ndryshohet dhe çfarë mund të ndryshohet.

“Nga ajo që mund të shihet se si është shoqëria jonë, kërkoj nga profesorët e Psikologjisë, Sociologjisë dhe Filozofisë që të përfshihen pak më shumë, ata janë bartësit dhe majat e asaj që quhet shkenca sociale dhe krijuesit e kësaj shoqërie që të ecë përpara” , thotë Janevska.

Deputetja e LSDM-së Vesna Nikolova tha se në arsim nevojiten reforma, por e rëndësishme është mënyra se si ato realizohen, duke theksuar se duhet debat publik.

Ndaj projekt-konceptit ka reagua edhe Instituti i Filozofisë pranë UKM-së, duke iu bashkuar pedagogëve të gjimnazit të filozofisë, logjikës dhe etikës përmes një letre të hapur pak ditë më parë, duke paralajmëruar ashpër se Koncepti i ri për reformat në arsimin e mesëm parashikon heqjen e këtyre lëndëve nga kurrikula, ndryshim i cili sipas tyre do të krijojë breza nxënësish me mendim kritik të kufizuar dhe mungesë parimesh etike dhe logjike.

Më 16 janar të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Byroja për Zhvillimin e Arsimit njoftoi se është përgatitur draft koncepti për reformat në arsimin e mesëm. Ata ftuan mësuesit, nxënësit, prindërit, ekspertët dhe të gjithë të interesuarit që të japin mendimet, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre, duke u angazhuar kështu në një diskutim publik për miratimin e versionit më të mirë të këtij draft koncepti.

Koncepti është i disponueshëm në faqen zyrtare të Byrosë për zhvillim të arsimit, ndërsa komentet mund të dërgohen më së voni deri më 31 janar në adresën elektronike: [email protected].